EmailFacebookKontakt

Jemi një kandil i ndezur përpara ikonës së Perëndisë

Mbrëmjen e së Shtunës së Madhe, mijëra njerëz do të bllokonin edhe një herë – ashtu si zakonisht gjatë viteve të fundit Rrugën e Kavajës, duke mbajtur në duar qirinj të ndezur. Nata e Ngjalljes përbën tashmë pikë referimi në kryeqytetin shqiptar për të gjithë, të krishterë dhe myslimanë. Primati i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Krypiskopi Anastas, i emocionuar përshkruan atmosferën mallëngjyese dhe flet për entuziazmin e të rinjve. Shoqëria po ndryshon, ngadalë. Dhe Kryepiskopi, me punën e tij, ka kontribuar vendosmërisht në këtë fakt. Si dhe në zbutjen e kontradiktave në mozaikun e Ballkanit.

Jashtë në dritare, z. Anastas ka tri vazo me lule të bukura shumëngjyrëshe. Xhami është i krisur në disa vende dhe një plumb ndodhet i ngulur në një cep. “E kam lënë kështu që të kujtoj”, thotë ai në mënyrë lakonike. Në mur një fotografi të kujton diçka tjetër – fasadën e ndërtesës së igumenit të Shën Vlashit në Durrës, e vetmja që kishte mbetur nga manastiri i vjetër. Në vendin ku dikur ka qenë kisha, besimtarët dhe priftërinjtë kryejnë Shërbesën e Mbrëmjes. Kështu ka qënë atëherë. Sot, në të njëjtin vend, një kompleks i hijshëm dhe i bukur strehon studentët e Akademisë Teologjike dhe në krah lartësohet manastiri i vjetër, tashmë i restauruar.

Gjithandej e njëjta pamje. Nocionet “para dhe pas” tregojnë një punë gjiganteske, e cila është kryer me mund, fizik dhe shpirtëror. Por më të rëndësishëm janë njerëzit; që tashmë e konsiderojnë Kishën Orthodhokse si pjesë të pandarë të shoqërisë shqiptare – një mjedis ku të gjithë janë të barabartë, rastet nuk mungojnë dhe shqetësimet gjejnë vend “për t’u prehur”. Kryepiskopi nuk flet shumë për vete, por njerëzit që e rrethojnë flasin për të: me respekt, dashuri dhe shqetësim “sepse shpesh provon së tepërmi durimin e tij”.

Nuk keni ndonjëherë dyshime, nuk zemëroheni, e pyes, përderisa kam parë veprën shoqërore kolosale që realizohet me iniciativën e tij në Shqipëri, e cila po vuan ende. Ngjitet në sofitë ku banon, më përgjigjet, dhe aty ka një kishëz të vogël, ku shprehet dhe lutet, “Dhe pastaj, vazhdoj…”. Nëse emri i tij thotë diçka, mund të shprehë Ngjalljen e Orthodhoksisë në Shqipëri. Por, para Ngjalljes ekziston një Golgotha e gjatë. Dhe në të ecën ende. Pa rënkuar, thjesht dhe me besim të plotë.

Si e dini që ka Perëndi, Fortlumturi?

E shoh kudo. Në misterin e makrobotës – në pafundësinë e qiellit, në misterin e mikrobotës – në kompleksitetin e qelizës dhe të atomit. E ndjej kur eci në një natyrë të virgjër. Ndërsa mendoj mrekullinë e pabesueshme që mbart vazhdimisht: trupin tim, organet e mrekulleshme, funksionet e tyre. Nuk jemi ne shkaku i vetvetes, konkludimi i kombinimit të fatit, produkt i një force të panjohur. E ndiej brenda vetes. I flas shpesh. Dhe, shpejt ose vonë, vjen përgjigjja e Tij. Madje dhe heshtja e Tij thotë diçka. Nëse ndonjëherë diçka thyhet brenda meje, përsëri i drejtohem Perëndisë “Shpëtuesit tim nga zemërngurtësia dhe shtrëngatat”, dhe dëgjoj në mënyrë mistike çka i tha Petrit: “O besëpak, përse ngurrove?”. Vazhdimisht komunikoj me Të brenda misterit të Kishës. Nuk është fjala për një arritje personale, por për një dhuratë të Hirit të Perëndisë. Kur isha më i ri, m’u desh të luftoja shumë ndaj pyetjeve të ndryshme. Atëherë u referohesha zakonisht një sërë argumentesh logjike mbi këtë çështje. Tani nuk e ndjej këtë nevojë. Thjesht vendos një përvojë personale. Po, besoj! Dhe dhjetëvjeçarët e kërkimeve intelektuale dhe të përvojës fetare e konsoliduan edhe më thellë besimin tim.

Në Shqipëri, vitet e fundit, fjala e Perëndisë përhapet jo vetëm nëpërmjet Ungjillit, por edhe nëpërmjet veprimtarisë së spikatur shoqërore të Kishës. Jo vetëm fjalë, por edhe vepra. “Për mua, fjala e Perëndisë është vepër”, vëren Kryepiskopi. “Dhe vepra e Perëndisë është fjalë. Ajo që ne themi vepër, bëhet me fjalë. ‘Tha dhe u bënë’. Fjala e Tij nuk bie kurrë përtokë, pa dhënë fryte. Dhe çdo gjë që jep fryte nuk ka diçka të huaj nga fjala. Nuk besoj se të gjitha sa u bënë, janë rezultat i një menaxhimi të mirë. Eshtë lulëzimi dhe frytdhënia i të gjitha përpjekjeve që bëmë me sinqeritetin maksimal. Përpjekja është sjellja e Ungjillit të dashurisë dhe të shpresës në një hapësirë ku në të kaluarën nuk kishte besuar dhe aq shumë në to”.

Kryepiskopi Anastas do një Kishë në të cilën të marrin pjesë të gjithë. “Nga brezi i vjetër i klerikëve kishin mbetur shumë pak, rreth 15, të moshuar dhe të lodhur. Që të rimëkëmbej Kisha, duhej të punonin që të gjithë: burra, gra, fëmijë, të rinj, të shkolluar, të pashkolluar”. Në një kohë kur kishat romanokatolike dhe protestante dërgonin secila qindra vetë në Shqipëri, bashkëpunëtorët e Anastasit nuk i tejkaluan asnjëherë të 16. “Nuk ka asgjë personale në Kishë. Thjesht, dikush bën bashkërendimin, është dirigjenti. Të gjitha janë produkt i përpjekjes së përbashkët. Por, gjithnjë kemi qenë shumë pak. Ndiej një mirënjohje të thellë për njerëzit e zgjedhur që kam pranë. Duhet t’ju them se gjysma e tyre janë klerikë ose murgesha dhe gjysma tjetër janë laikë. Janë dhe shumë të tjerë, që na ndihmuan me lutjen, me mbështetje ekonomike dhe me mirëkuptimin e tyre. Madje edhe njerëz që nuk kishin lidhje me Kishën”.

Ndofta ngaqë për ata që bëjnë pyetje lidhur me Perëndinë, shembulli i një kleriku që i pranon të gjithë, flet për lirinë e dashurinë, i shmanget intolerancës fetare dhe u jep të njëjtën rëndësi si nevojave shpirtërore por edhe nevojave të përditshme të njerëzve rreth tij, u jep përgjigje dhe lehtësim shqetësimeve më të thella. A nuk janë ato vallë që çuan në krijimin e feve?

“Bindja ime për dukurinë e fesë në përgjithësi, është se ajo hap horizontin për një realitet të tejskajshëm. Fetë janë pjella të dëshirës së njeriut për të shenjtën. Ato e mbajnë të hapur derën e përvojës njerëzore drejt pafundësisë”.

Çdo të enjte në mëngjes, At Luka, një prift amerikan, meshon në një sallë të Universitetit të Tiranës, për studentët, që marrin pjesë në një lutje impresionuese. Mos vallë kushtet e vështira shkaktojnë kërkime më intensive drejt Perëndisë se sa, p.sh. në Greqi? “Nuk e besoj. Thjesht, këtu njerëzit shprehen në mënyrë më të drejtpërdrejtë, sepse janë privuar nga kjo mundësi për shumë dhjetëvjeçarë. Kontakti ynë me Perëndinë është një çast tepër i shenjtë dhe personal, ndaj dhe duhet një mjedis individual shprehjeje. Çka kryhet në mënyrë tepër teatrale, nuk mendoj se është gjithnjë më autentike. Në Greqi ka njerëz të rinj të shkëlqyer, të cilët nuk bëjnë shumë zhurmë, por kanë një ndjeshmëri esenciale dhe janë në kërkim për çështjen që quhet besim, madje edhe ku ata lëvizin në një mjedis ku të tjerët e kanë përcaktuar tashmë si larg besimit. Në se do t’u flasësh dhe do të dëgjosh me respekt përvojat, hezitimet e tyre, do të shohësh njerëz që janë në kërkim. Çdo njeri ndodhet në evolucion të vazhdueshëm deri në çastin e fundit. Mendoj se detyra e Kishës është që të përballojë me respekt kërkimet e secilit, qoftë kur ato janë të bujshme, qoftë kur janë të heshtura dhe plot dyshime. Dhe kjo mund të bëhet me respekt dhe durim. Duke ofruar liri dhe dashuri”.

Këto Kryepiskopi i quan tepër të rëndësishme. “Secili kërkon që të shprehet, të jetë diçka e veçantë, edhe në çastet më të vogla. Nuk besoj se mund të ketë liri të vërtetë pa dashuri. Ashtu siç nuk mund të ketë dashuri pa liri”.

Kryepiskopi Anastas, duke qenë se ka udhëtuar nëpër botë si studiues, nuk është i mendimit se fetë funksionojnë të shkëputura. “Ajo që duhet kuptuar është se besimet e tjera fetare nuk janë bashkime idesh të ndryshme, bindjesh dhe zakonesh adhuruese, por janë grupe organike që evoluohen duke adoptuar elementë nga mjedisi i tyre. Kështu, kemi vënë re se prania e tezave dhe pikëpamjeve të krishtera, kur kjo prani është serioze dhe pa imponime, i shtyn të tjerët që të interpretojnë tezat bazë të tyre nën dritën e të vërtetave të krishtera”.

Por cili është sipas tij roli i Kishës sot?

“Së pari, Kisha duhet të mbetet pikërisht ajo që është: Arka e së vërtetës që zbulon misterin e Perëndisë dhe misterin e njeriut. Trupi i Krishtit që i jep kuptim jetës dhe vdekjes. Eshtë një prani që nga fillimi i jetës deri në fund. Njëkohësisht, Kisha nuk mund të mbyllet në vetvete, të bëhet një geto. Eshtë brumi me destinacion brumosjen e botës. Prandaj, ajo duhet të tregojë ndershmëri ndaj aspektit shoqëror dhe të jetë sa më afër me njeriun e zakonshëm. Ajo që mbetet gjithnjë e rrezikshme është ngasja që kemi, ngasja e shkëlqimit, arrogancës, e luksit të pakuptimtë. Për disa gjëra kërkohet autokritikë e vazhdueshme, që të ruajmë thjeshtësinë dhe karakterin tonë imediat”.

Po e ardhmja? “Dëgjoni. Ne qeniet njerëzore jemi një kandil, vaji i të cilit do të mbarojë. Jemi një kandil i ndezur para ikonës së Perëndisë dhe së shpejti vjen fundi. Përpjekja ime është që në Shqipëri të krijohen struktura të tilla, që pas fundit tim gjërat të ecin mirë. Por, unë nuk shqetësohem. Historia ndodhet në duart e Perëndisë; hapësira dhe koha janë në duart e Atij që ka qënë, që është dhe që do të vijë. Në duart e Tij është edhe jeta ime, dhe e gjithë atyre që dua, edhe e Kishës, e mbarë botës. Nga ky aspekt, unë jam tepër i lirë dhe i qetë”….

…Po atë ditë që u dorëzua prift, iku në Ugandë të Afrikës. “Fronti hierapostolik më kishte prekur shumë. Ajo periudhë e parë ishte e ngjyrosur nga nocionet gjeografike. Siç thuhet në Veprat e Apostujve “ju do të jeni dëshmitarët e mi edhe në Jerusalem, dhe në Jude, dhe në Samari, edhe gjer në fund të dheut”. Por nuk e kisha menduar kurrë, se “fund i dheut” do të ishte kaq pranë, në Shqipëri”.

Ardhja në Shqipëri nuk ishte e planifikuar. Ishte më tepër “ajo që në gjuhën teologjike themi “pranim i vullnetit të Perëndisë, ashtu siç e ndjeva atë çast se shprehej për mua”. Ishte janar i vitit 1991, kur Imzot Anastasi pati një telefonatë në Kenia ku ndodhej, nga Patrikana e Konstandinopojës, me të cilën e informonin se ishte zgjedhur Eksark Patriarkal në Shqipëri. Misioni i tij ishte të konstatonte “çfarë kishte mbetur në vend pas gjithë asaj furtune të persekutimit”.

“Udhëtova në të gjithë vendin dhe pashë një shkretëtirë, një pyll ku ishin djegur të gjitha pemët dhe kishte kaluar buldozieri. Ç’mund të bëje në këtë tokë të gurtë? Por, duke komunikuar me njerëzit dhe duke parë se ishte ruajtur dëshira dhe besimi, pata ndjesinë, se farat kishin mbetur në tokë dhe pritnin për t’u mbirë. Dhe kështu bëra të pamundurën për të gjetur njerëz që ende e ruanin besimin dhe të eci përpara”.

Tepër të vështira kushtet dhe më të vështira bëheshin meqenëse ai ishte grek, në një kohë kur marrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë ishin tejet të tendosura.

“Ekzistonin hije dyshimi ndaj nesh”, – kujton Primati i Kishës së Shqipërisë. “Pyesnin: Përse kanë ardhur? Mos vallë do të përdorin fenë për qëllime të tjera?”. Nuk ishin të pakta rastet kur televizioni jepte filma, të xhiruara në kohën e E. Hoxhës, që paraqisnin intelektualë shqiptarë duke vuajtur nga intrigat e priftërinjve greko-orthodhoksë. “Kalonin mesazhe; ishte gjë e rrezikshme. Dhe kjo ishte tepër e vështirë dhe e paparë për mua, sepse me një gjë të tillë nuk isha përballur në Afrikë. Ishte e vështirë t’u afroheshe njerëzve, që për dhjetëvjeçarë të tërë ishin rritur me sigurinë, se nuk ka Perëndi, as Kishë, as dashuri, as të vërtetë. Duhej t’i duroje e t’i kuptoje ata”.

Një vit më pas u bë pyetja: Ç’duhej bërë? Tashmë Orthodhoksët kërkonin qëndrimin e tij. “Vendimi nuk ishte i thjeshtë. Kisha grumbulluar material të rëndësishëm nga udhëtimet e mia në mbarë botën, kryesisht për kuptimin e feve të tjera, që doja t’i përpunoja e t’i botoja”. Fakultete universitare të Greqisë dhe të botës e kishin shpallur Doktor “Honoris Causa”. Në korrik të vitit 1992 Patrikana Ekumenike e zgjodhi Kryepiskop të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Pak më vonë, Akademia e Shkencave të Athinës e zgjodhi si anëtar korrespondent të saj.

Por, vështirësitë erdhën edhe nga prapavijat kishtare. “Gjërat ishin serioze dhe nuk jua fsheh, se për një çast mendova të tërhiqesha. Natyrisht, dorëheqja nuk është zgjidhje. Ndaj, mendova si herën e parë: Perëndia do të tregojë. Dhe vazhdova…”.

Që nga viti 1992 deri më sot janë dorëzuar 110 klerikë të rinj, janë ngritur nga themelet 74 kisha, janë restauruar 5 manastire dhe 65 kisha-monumente kulture, ndërsa janë riparuar mbi 130 të tjera. U hap Akademia Teologjike në Shën Vlash të Durrësit dhe Liceu Kishtar në Gjirokastër, si dhe kompleksi “Nazaret” me shtypshkronjën, punishten e drurit, ikonografisë e qirinjve. Gjithashtu, Qendra Diagnostike “Ungjillëzimi”, ndofta më e mira në vend, ku mund të vizitohen që të gjithë njerëzit kundrejt një shume simbolike. Kopshte fëmijësh dhe qendra rinore në të gjithë vendin, programe rurale, ujësjellësa, të higjienës e ekonomisë familjare, ndërtim rrugësh, si dhe një punë e gjerë humanitare, karakterizojnë veprimtaritë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në planet imediate janë tri qendra të përgatitjes profesionale dhe më vonë, pse jo, një Universitet.

Një vit më parë, si tani, kosovarët dyndeshin në Shqipëri. “Në shumicën dërrmuese të besimit mysliman, të ndjekur nga serbët, të cilët disa kërkuan t’i identifikonin me Orthodhoksinë… Mendimi ynë ishin fjalët e Krishtit: “Pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, isha i huaj dhe më morët në shtëpi”. Ndaj, vendosëm që të qëndronim me respekt para dramës njerëzore”.

Brenda një jave Kisha grumbulloi 10 milionë dollarë. U ngrit kampingu për ta… Madje edhe sot i vetmi kamping që funksionon në të gjithë Shqipërinë është ai i Kishës Orthodhokse. U mobilizua e gjithë Kisha, u mbyll Akademia Teologjike dhe studentët punonin në kamping. Kujdes i veçantë u tregua për të sapolindurit dhe nënat. Gratë merrnin ushqimet dhe i paketonin në pako të bukura, për të zbutur sadopak dhimbjen me pak ndjeshmëri. U ndihmuan më shumë se 25.000 kosovarë në të gjithë vendin. “Ne nuk i pyetëm këta të ikur se ç’janë, nga janë, çfarë besojnë. Më e rëndësishmja për të varfërin dhe të vuajturin është t’i respektosh dinjitetin”.

Kryepiskopi Anastas, një luftëtar i shumanshëm i paqes, ka kontribuar vendosmërisht në ndryshimin e klimës së armiqësisë dhe mosbesimit midis Shqipërisë e Greqisë. Ai punon vazhdimisht për pajtimin, brenda dhe jashtë Kishës, brenda dhe jashtë Shqipërisë. “Jo armëve!”, thirri më 1997. “Vaji i fesë nuk duhet të përdoret nga asnjëra palë për të ndezur konfliktet, por për të shëruar plagët dhe për të qetësuar zemrat”, këmbëngulte në vitin 1999. Duke marrë pjesë aktive në kongrese të ndryshme ndërfetare dhe me ndërhyrje të goditura në Masmediat ndërkombëtare, ai mbështet paqen dhe pajtimin, madje edhe aty ku mosmarrëveshjet nacionale dhe fetare duken si perde të hekurta…

Nevojat e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë vazhdojnë të jenë të mëdha; në para dhe në potencial njerëzor. Dhe Kryepiskopi është i preokupuar për më tej. Cila është ndjesia pas nëntë vjetësh? “Eshtë një mision kompleks përgjegjësia që një Kishë Orthodhokse lokale të rijetojë dhe të zhvillohet. Çfarë kisha bërë deri tani në jetën time, qe tepër e vlefshme për atë çka po bëj tani. Ishte si një falëkryq që u plotësua me ato që kisha jetuar në të kaluarën. Gjithashtu, më kanë ndihmuar edhe studimet universitare, që kanë të bëjnë me fetë e tjera”. “Nuk kam iluzione se do ta shpëtojmë ne situatën, por ne japim disa standarte mirësjelljeje dhe qëndrimesh që sigurisht ndikojnë gjerësisht në shoqëri. Prandaj dhe sot ekziston respekti i shoqërisë shqiptare për Kishën Orthodhokse. E dinë se ne nuk jemi spektatorë, por marrim pjesë në përpjekjen e lartësimit të jetës së këtushme”.