EmailFacebookKontakt

Jemi 1680 vjet para apo prapa?

Ndërsa sot Kishës në Shqipëri i mbahen padrejtësisht nga pushteti qendror dhe lokal, (në kundërshtim me aktet ndërkombëtare të pranuara e të firmosura nga shteti ynë demokratik), kisha, manastire, pasuri të tundshme e të patundshme, ikona, llogari bankare, dokumente arkivore etj., në Evropë, ku përfshihet dhe Shqipëria, jo vetëm sot, por që më 313 pas Krishtit, veprohej krejtësisht ndryshe.

Atëherë drejt kujt shkojmë? Drejt Evropës apo si gjithmonë, prapa saj?

EDIKTI I MILANOS – Viti 313 pas Krishtit

Duke patur parasysh që liria e ushtrimit të fesë nuk duhet ndaluar dhe se i duhet njohur secilit e drejta për të nderuar Perëndinë siç e gjen të udhës, kam dhënë urdhër edhe më përpara që të krishterëve t’u lejohet të ruajnë kultin dhe besimin e tyre. Por, meqenëse, në atë edikt qenë vënë mjaft kushte të posaçme, shumë mund të kenë hequr dorë ndofta nga ajo fe. Kur pra unë, perandori Konstandin, bashkë dhe me perandorin Licin, kemi ardhur në Milano dhe kemi menduar për gjithçka është e dobishme dhe e mirë për shtetin, vendosëm ndër shumë të tjera, të cilat i konsideruam të dobishme për shoqërinë, të rregullojmë së pari ato që kanë lidhje me adhurimin e Perëndisë, domethënë t’u akordojmë si të krishterëve, ashtu dhe gjithë të tjerëve, lirinë për të zgjedhur nderimin e Perëndisë që ata vetë do të pëlqejnë, që Perëndia të tregohet dashamirës për ne dhe për të gjithë sa jetojnë në perandorinë tonë. Veç kësaj, vendosim në lidhje me të krishterët, që lokalet ku ata zakonisht mblidheshin, t’u kthehen përsëri gratis dhe pa vonesë, qoftë të konfiskuara nga shteti, qoftë të blera nga të tjerët. Dhe, në qoftë se dikujt i janë dhuruar ato lokale, t’ua kthejë detyrimisht të krishterëve. Dhe, meqë të krishterët kanë patur, përveç lokaleve të kultit, edhe të tjera, jo si pronë individuale, por që i përkisnin komunitetit të tyre, ju urdhërojmë t’i ktheni… Zbatoni sa më parë këtë urdhër, që të ndihmoni kështu në ruajtjen e qetësisë publike. Dhe që rregullat e kësaj urdhërese të mund t’u bëhen të njohura të gjithëve, t’i afishoni kudo.

Eusebi, “Historia e Kishës”, Libri X, kreu V.