Pritje zyrtare me rastin e Pashkës
Në të kremten kulmore të Kishës sonë, Pashkës, Ngjalljes së Zotit Jisu Krisht, dyert e Selisë së Shenjtë të Kryepiskopatës dhe të Mitropolive në vendin tonë u hapën për të pritur krerë të shtetit, përfaqësues të komuniteteve fetare, politikanë, përfaqësues të ambasadave, akademikë, personalitete dhe besimtarë të shumtë, të cilët erdhën për të përcjellë urimet paskale. Në Selinë e Kryepiskopatës, Fortlumturia e Tij, Imzot Joani priti për herë të parë nga zgjedhja e Tij si Kryepiskop, krerë të të gjitha fushave.
Gëzim i shumëfishtë në Mitropolinë e Fierit
Në të kremten e shën Gjergj Trofeprurësit, emrin e të cilit mban edhe Katedralja “Shën Gjergji” në Fier, Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Hirësia e Tij, Nikolla, gradoi në “Stavrofor” atë Ilia Zakën, i hirotonisur dhjakon në korrik të vitit 1992, prift në mars të vitit 1995 dhe atë shpirtëror në vitin 2002.
Në këtë ditë morën uratën e anagnostit (lexuesit) edhe 6 djem, anëtarë të grupit rinor që prej 10 vjetësh, të cilët kanë dhënë kontribut të çmuar në shërbim të Mitropolisë.
Juljan Bida, i diplomuar në Theologji Sociale dhe Shkenca Religjioze dhe katekist i Mitropolisë; Dhimitër Kapaj, Ivan Dimo dhe Joan Ndreko, studentë të vitit III në Theologji Sociale dhe Shkenca Religjioze; Emanuel Banushi dhe Spiro Kane (studentë të vitit III në Akademinë Theologjike).
Lavdërojmë Perëndinë që na sjell punëtorë për vreshtin e Tij!
Ingrida Bida
Panair në skitin e Grave Miroprurëse
Më 3-4 maj 2025, në Skitin e Grave Miroprurëse pranë kompleksit të manastirit të hirshëm të Shën Vlashit në Durrës, u zhvillua Mbrëmësorja panegjirike dhe Liturgjia Hyjnore. Liturgjia u krye nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan, në bashkëmeshim me Mitropolitin e Fierit, Hirësi Nikollën; Mitropolitin e Beratit, Hirësi Astin dhe Episkopin e Krujës, Hirësi Anastasin dhe klerikë të Kryepiskopatës së hirshme, me pjesëmarrje të gjerë të besimtarëve nga brenda dhe jashtë vendit.