Meqenëse nga institucione, media dhe individë shpesh “harrohet” kontributi i Kishës për monumentet, rikujtojmë:
Deri më sot janë restauruar plotësisht 78 kisha dhe manastire, janë riparuar mbi 170 kisha, pa përmendur këtu ndërhyrjet shpëtuese dhe emergjente. Deri tani, nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë janë investuar në fushën e restaurimeve mbi 11 milionë euro.
Mjafton të përmendim vetëm disa nga kishat dhe manastiret e restauruara, të cilat janë më të njohura dhe kanë vlera unikale për trashëgiminë tonë shpirtërore e kulturore: Manastiri i Ardenicës, Lushnjë; Manastiri i Shën Kozmait, Kolkondas, Fier; Manastiri “Fjetja e Hyjlindëses”, Zvërnec, Vlorë; Kisha e Gjithë Shenjtorëve, Himarë; Manastiri i Shën Dhimitrit, Qeparo; Kisha e Shën Gjergjit, Çukë-Sarandë; Kisha e Hyjlindëses, Vrahogoranxi Gjirokastër; Kisha e Shën Marisë, Zervat Gjirokastër; Manastiri i Shën Nikollës, Nivan, Zagori, Gjirokastër; Kisha “Fjetja e Hyjlidëses”, Leusë, Përmet; Kisha e Manastirit të Shën Prodhromit në Voskopojë, Korçë; Kisha e Manastirit të Shën Joan Vladimirit, Elbasan; Kisha e Shën e Parashqevisë (Premtes), Çetë, Kavajë; Kisha e Kosinës, Përmet; Kisha e Shën Kollit në Porto Palermo, Himarë…
Për realizimin e kësaj vepre i është kushtuar një rëndësi e veçantë bashkëpunimit me institucionet shtetërore të trashëgimisë kulturore, duke ndjekur me përpikëri format ligjore në fuqi, si në hartimin e projekteve të restaurimit nga persona të licencuar në këtë fushë, miratimin e tyre në organet e posaçme në rang kombëtar të trashëgimisë kulturore, ashtu dhe zbatimin me përpikëri nga kompani të licencuara për restaurimet, kriteret dhe kushtet e vendosura nga projektet e miratuara. Në të gjitha rastet, komunikimi me Institutin e Trashëgimisë Kulturore Kombëtare dhe Ministrinë e Kulturës është i ndërsjellë dhe i vazhdueshëm. Të gjitha janë realizuar me kujdesin e drejtpërdrejtë të Kryepiskopit Anastas, i cili ka siguruar edhe fondet për restaurimin e monumenteve.