Mister të çuditshëm shikoj dhe s’e marr dot vesh. Zëra barinjsh mbërrijnë në veshët e mi. Sot nuk luajnë me fyejt e tyre një këngë të rastësishme. Buzët e tyre psalin himn qiellor. Engjëjt bëjnë himnologji, kryeengjëjt himnojnë, psalin Keruvimet dhe lavdërojnë Serafimet. Panegjirizojnë të gjithë duke parë Perëndinë mbi dhe dhe njeriun në qiej. Sot Betlehemi imitoi qiellin: Në vend të yjeve, pranoi engjëj, në vend të diellit, pranoi Diellin e Drejtësisë. Dhe mos kërko të mësosh se si. Se atje ku Perëndia do, ligjet e natyrës ndryshojnë. Ai, pra, e deshi dhe e bëri. Zbriti në tokë dhe e shpëtoi njeriun. Të gjitha bashkëpunuan me Atë për këtë qëllim.
Sot lind Ai që ekziston përjetësisht dhe bëhet ai që nuk ka qenë kurrë më parë. Është Perëndi dhe bëhet njeri! Bëhet njeri dhe përsëri Perëndi mbetet! Kur lindi, judenjtë nuk e pranuan lindjen e Tij të çuditshme. Nga njëra anë, farisenjtë keqinterpretuan librat e shenjtë dhe, nga ana tjetër, skribët mësonin të tjera gjëra në vend të atyre që duheshin mësuar. Herodi kërkonte të gjente Foshnjën e sapolindur jo për ta nderuar, por për ta vrarë. E pra, të gjithë këta fërkojnë sytë, duke parë Mbretin e Qiellit të gjendet përmbi dhe me trup njerëzor, i lindur prej mitrës virgjërore.
Erdhën mbretërit për t’iu falur Mbretit të përmbiqiellshëm të lavdisë.
Erdhën ushtarët për t’i shërbyer Kryegjeneralit të Fuqive qiellore.
Erdhën gratë për të nderuar Atë që i shndërroi hidhërimet e grave në gëzim.
Erdhën virgjëreshat për të nderuar Atë që krijoi gjinjtë dhe qumështin, e që tani po pi qumësht prej Nënës Virgjëreshë.
Erdhën foshnjat për t’iu falur Atij që u bë foshnjë, për të kompozuar himn lavdërimi nga goja e foshnjave” (Ps. 8:3).
Erdhën për t’iu falur fëmijët që mania e Herodit i bëri martirët e parë.
Erdhën barinjtë për t’iu falur Bariut të mirë, që e sakrifikoi jetën e tij për hir të dhenve të tij.
Erdhën priftërinjtë për t’iu falur Atij që u bë Kryeprift si Melkisedeku (Hebr. 5:10).
Erdhën skllevërit, për t’iu falur Atij që mori formë skllavi për ta shndërruar skllavërinë tonë në liri.
Erdhën peshkatarët për t’iu falur Atij që i ktheu në “peshkatarë njerëzish” (Matth. 4:19).
Erdhën taksambledhësit për t’iu falur Atij që nxori ungjillor nga taksambledhësit.
Erdhën prostitutat për t’iu falur Atij që i dorëzoi këmbët e Tij te lotët e një prostitute.
Me pak fjalë erdhën të gjithë sot mëkatarët për të parë Qengjin e Perëndisë, që ngre mbi shpatullat e Tij mëkatin e botës.
Magët për t’iu falur.
Barinjtë për ta lavdëruar.
Doganierët për ta predikuar.
Prostitutat për t’i ofruar mira.
Gruaja samaritane për t’i hequr etjen.
Kananeasja për t’u bërë mirë.
Pasi të gjithë kërcejnë prej gëzimit, dua edhe unë të kërcej, dua të vallëzoj, dua të bëj festë të madhe. Pa kitarë, pa daulle, pa llambadhe të ndezura në dorën time. Po kremtoj me të madhe duke mbajtur, në vend të këtyre, shpërgënjtë e Krishtit. Këto janë shpresa ime, këto janë jeta, këto janë shpëtimi im, këto daullja ime, këto kitara ime. Prandaj i kam me vete: Për të marrë fuqi prej fuqisë së tyre, që të thërras bashkë me engjëjt: “Lavdi Perëndisë në më të lartat” e bashkë me barinjtë “dhe mbi dhenë paqe e mbi njerëzit mirëdashje” (Llk. 2:14).
Dhe a e dini pse? Sepse Ai që para gjithë jetëve lindi nga Ati në mënyrë të pashpjegueshme, lind sot nga virgjëreshë në mënyrë të përmbinatyrshme. Se si ndodhi, këtë e di hiri i Shpirtit të Shenjtë.
Perëndia pranoi të shfaqet përpara nesh me pamje të dukshme njeriu, që të shpërbëjë me anë të kësaj mënyre çdo lloj dyshimi për ekzistencën e Tij. Dhe pas kësaj, na mësoi me anë të pranisë së Tij të prekshme dhe të padyshueshme, që të na udhëheqë lehtësisht në besimin e vërtetë, në të padukshmet e të përmbinatyrshmet.
Fëmijë shikoj Perëndinë e parajetshëm! Në grazhd prehet Ai që ka fron qiellin!
Duar njerëzore prekin të paafrueshmin dhe të patruptin!
Me shpërgënj është i lidhur fort Ai që shkatërron prangat e mëkatit!
…Ejani, pra, të kremtojmë! Ejani të bëjmë festë me të madhe!
Sot u zgjidhën prangat shumëvjeçare.
Djalli u turpërua.
Demonët u terratisën.
Parajsa u hap.
Mallkimi u zhduk.
Mëkati u përndoq.
Mashtrimi u largua.
E vërteta u zbulua.
Predikimi i besimit të mirë u derdh dhe u përhap ngado.
Mbretëria e Perëndisë u mboll përmbi dhe.
Engjëjt bisedojnë tok me njerëzit. Të gjitha u bënë një.
Përse vallë? Sepse Perëndia zbriti në tokë dhe njeriu u ngjit në qiej. Zbriti Perëndia në tokë dhe përsëri ndodhet në qiej. I tërë është në qiell dhe i tërë në tokë. U bë njeri dhe është Perëndi. Është Perëndi dhe mori trup. Mbahet në përqafimin virgjëror dhe në duart e Tij mban tërë botën. Në grazhd qëndron dhe lëviz tërë gjithësinë. Brenda në shpërgënj mbështillet dhe shpërthen prangat e mëkatit.
… Fjala e Evës tregoi drurin që nxori Adamin nga Parajsa. Fjala e Marisë tregoi Kryqin që e vuri Adamin përsëri në parajsë.
Këtij pra, Fjalës së Perëndisë dhe Birit të Virgjëreshës, që çeli rrugë në vend të pakalueshëm, le t’i drejtojmë lavdërim bashkë me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë në jetë të jetëve.
Amin.