EmailFacebookKontakt

“Ja Krishti lind, lavdërojeni” – U kremtua me gëzim në të gjithë vendin Lindja e Shpëtimtarit

“Ja Krishti lind, lavdërojeni”

U kremtua me gëzim në të gjithë vendin Lindja e Shpëtimtarit

Kryepiskopi Anastas, në mesazhin e tij urues theksoi: “… S’ka gjë më të bukur sesa të duash, edhe sikur të lodhesh, sado që të vuash. S’ka gjë më të bukur sesa të duash, “më Krishtin” vërtet të duash!”

Për të tridhjetë e tretin vit radhazi të lirisë së besimit, në mbarë Kishën tonë Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të rilindur dhe rimëkëmbur në të gjitha trevat e vendit tonë, falë përpjekjeve të Kryepiskopit të Tiranës, Fortlumturisë së Tij, Anastasit, gjëmuan hareshëm kambanat për të shpallur Lindjen e Zotit tonë Jisu Krisht.

Në Katedralet kryesore të Kryepiskopatës dhe Mitropolive, qyteteve dhe qytezave por edhe në ato më të vogla, në fshatra dhe komunitete të largëta dhe të kufizuara, u kremtua me madhështi Liturgjia Hyjnore e Krishtlindjes, ku populli shpresëtar, me pjesëmarrjen në adhurim, përjetuan një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë e njerëzimit, atë të Mishërimit të Perëndisë. Kjo ngjarje që mbetet përjetësisht e re i jep shpresë e optimizëm mbarë shoqërisë dhe vendit.

Nëpër kisha u lexua mesazhi urues i Krishtlindjes i Kryepiskopit Anastas, në të cilin, ndër mesazhet e shumta që përcolli, mbizotëronte bindja e fortë se falë Krishtit Emanuel, pra “Perëndia është me ne”, merr kuptim dhe plotësi jeta jonë. Gjithashtu, Fortlumturia e Tij nxiti mbarë të krishterët duke theksuar se “… Në epokën tonë të ashpër dhe të veçantë, ku në shumë zona vërshon furishëm urrejtja dhe dhuna, ne të krishterët, që i qëndrojmë besnik atij që u shfaq në mish, Princit të paqes, le të bëjmë gjithnjë qëndresë, me tërë forcat tona shpirtërore dhe trupore, kudo dhe me aq sa mundemi…”.

***

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, Liturgjinë Hyjnore e kryesoi Mitropoliti i Amantias, Hirësi Nathanaili, në bashkëmeshim me Episkopin e Krujës Hirësi Anastasin dhe klerikë të tjerë të kryepiskopatës. Qindra besimtarë u bashkuan në një atmosferë lutëse të thellë shpirtërore, të thelluar edhe më tel falë periudhës parapërgatitore të Kreshmës 40-ditore të Krishtlindjes, si dhe gjithë veprimtarive adhuruese që paraprinë.

Në këtë të kremte feston edhe paraklisi i “Lindjes së Krishtit”, pranë katedrales, i pikturuar mjeshtërisht, ku me këtë rast u krye Liturgji Hyjnore një ditë më parë, në vigjilje të festës.

Në Liturgjinë Hyjnore mori pjesë edhe Kryetarja e Parlamentit, znj. Elisa Spiropali, e cila edhe përcolli urimet e rastit tek Mitropoliti i Amantias, Hirësi Nathanail dhe përmes tij gjithë besimtarëve të Kishës Orthodhokse.

***

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Korçë, Liturgjinë Hyjnore panegjirike e kreu Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani, me pjesëmarrje të klerikëve të qytetit. Pas Liturgjisë, sipas traditës, Hirësi Joani priti në selinë mitropolitane vizitat dhe urimet e autoriteteve lokale, personaliteteve politike, krerëve fetarë lokalë si dhe besimtarëve orthodhoksë.

***

Mitropoliti i Beratit, Hirësi Asti, kryesoi Liturgjinë Hyjnore të Krishtlindjeve në Kishën Katedrale të Shën Dhimitër Mirovlitit, në bashkëmeshim me klerikë të periferisë së tij episkopale. Besimtarët e pranishëm të qytetit të Beratit, patën rastin dhe nderin të kenë të pranishëm Presidentin e Republikës, Shkëlqesinë e Tij z. Bajram Begaj, i cili zgjodhi pikërisht atë qytet dhe, përmes vizitës së Tij në selinë e Mitropolisë, shprehu urime të përzemërta për mbarë komunitetin orthodhoks dhe të gjithë të krishterët në vend. Në festimet në këtë Mitropoli, të pranishëm ishin edhe personalitete politike të zonës, autoritete të pushtetit lokal dhe mjaft besimtarë të ardhur, që zgjodhën këtë vend për të kremtuar.

***

Në Mitropolinë e Shenjtë të Gjirokastrës, Liturgjia Hyjnore e Krishtlindjes u krye në Katedralen e re të Ngjalljes së Krishtit, nga Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësi Dhimitri. Nuk mungoi pjesëmarrja e gjerë e besimtarëve, të cilët u mblodhën në atmosferë adhuruese shpirtërore dhe me gëzimin që përcjell kjo e kremte. Në sallën e veprimtarive të kompleksit arsimor pranë katedrales, Mitropoliti pati rastin të presë vizitat e rastit të besimtarëve të pranishëm, në veçanti të atyre që jetojnë larg vendlindjes dhe rikthehen në të kremtet e mëdha të vitit. Ditën e dytë të Krishtlindjes, ku Kisha jonë kujton Kryedhjakon Stefanin, siç është bërë traditë, edhe këtë vit u përsërit takimi me studentët orthodhoksë të Mitropolisë, në kuadër të kujdesit baritor të Hirësi Dhimitrit për të rinjtë. Kisha është përpjekur vazhdimisht që t’i mbajë të rinjtë të lidhur me vendin, duke u theksuar mundësinë e rikthimit pas përfundimit të studimeve të tyre.

***

Mitropoliti i Fierit, Hirësi Nikolla, kryesoi Liturgjinë Hyjnore të Lindjes së Shpëtimtarit në Katedralen e Shën Gjergjit në Fier, me pjesëmarrje të besimtarëve të shumtë edhe nga enoritë përreth, ndërsa priti urimet në ambientet e kësaj kishe të hirshme. Urimet e rastit përcollën edhe autoritetet lokale dhe përfaqësues të klasës politike të rajonit.

***

Në Mitropolinë e Elbasanit, Hirësia e Tij, Mitropoliti Andon, kreu Liturgjinë Hyjnore në bashkëmeshim me klerikë të qytetit, në kishën e re të Shën Nikollës. Morën pjesë në lutje dhe adhurim besimtarë të shumtë orthodhoksë dhe, në veçanti, të rinj e të reja. Mitropoliti Andon priti urimet e besimtarëve të grigjës së tij, autoriteteve të pushtetit vendor, personaliteteve politikë por edhe përfaqësuesve të komuniteteve të tjera fetare, si një traditë dhe shprehje e harmonisë ndërfetare.

***

Atmosfera kremtuese në Kishën tonë vijon gjatë gjithë dymbëdhjetëditëshit që pason, deri në të kremten e shën Joan Pagëzorit, ku veçohet festimi i Shën Vasilit me urimet për Vitin e Ri (1 janar), si edhe Shfaqja e Perëndisë (Theofania – 6 janar) që shndërrohet në një festë mbarëpopullore në fakt me shenjtërimin e ujërave dhe mbarë krijesës. Në këtë mënyrë, Kisha jonë e ringritur bëhet faktor për ndriçimin e gjithë shoqërisë dhe bekim për mbarë vendin, duke dhënë atë që është dhe që ka pa kursyer dhe pa përjashtime.

Orfea Beci

Momente nga kremtimi i hirshëm i lindjes së Zotit Krisht në qytete të ndryshme të vendit tonë.