EmailFacebookKontakt

ITALI – Takim i madh ndërkombëtar për paqen në Asizi

ITALI
Takim i madh ndërkombëtar për paqen në Asizi
– Merr pjesë edhe Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë Anastasi –
Në fund të tetorit në Asizi zhvillohet takimi i 4-t ndërkombëtar për
paqen. Ai është organizuar nga Papa Benedikti XVI, dhe do të
karakterizohet nga një pelegrinazh ku do të marrin pjesë udhëheqës
fetarë nga e gjithë bota. Tema e takimit është “Pelegrinë të paqes,
pelegrinë të së vërtetës” dhe do jetë një rast lutjeje, refleksioni dhe
dialogu rreth paqes dhe drejtësisë në botën e sotme.
Takimi i parë i Asizit u zhvillua në vitin 1986, me temën “Ditë botërore
për lutjen për paqe”, kur bota kërcënohej nga gara e armatimeve, i dyti,
në janarin e vitit 2002, pak pas sulmit terrorist mbi kullat binjake dhe
fillimit të luftës në Afganistan, kur dialogu midis feve dukej se ndodhej
në një pikë kritike, për t’u shprehur së bashku se besimet nuk pranonin
asnjë lloj dhune në emër të Perëndisë… Edhe ky takim do zhvillohet në
shenjën e lutjes dhe synimit për paqe dhe tolerancë, sepse kush i drejtohet
Perëndisë nuk mund te mos punojë edhe për paqen, dhe kush punon për
paqen i afrohet vetvetiu Atij.
Pjesa kryesore e programit do të zhvillohet në datën 27 tetor, ku
pasdite do të bëhet një “marshim për paqen”, me pjesëmarrjen e
përfaqësuesve nga e gjithë bota të të gjitha besimeve të krishtera,
myslimane, hebre, budiste, shintoiste, induiste, animiste etj., dhe me
pjesëmarrjen për herë të parë të një përfaqësie të atyre që nuk i përkasin
asnjë besimi, me bindje agnostike, si shenjë vëllazërimi e mirëkuptimi të
të gjithë njerëzve me vullnet të mirë pa asnjë dallim.
Në këtë takim, marrin pjesë edhe përfaqësi të Kishave Orthodhokse
dhe Patriarku Ekumenik Vartholomeu. Kisha jonë do të përfaqësohet
nga Kryepiskopi Anastas.