“Isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë.” (Math. 25:26). Të frymëzuar nga ky pasazh i Ungjillit të Shenjtë, një grup seminaristësh të vitit të 3-të të Shkollës Teologjike-Hieratike të Durrësit, në mbasditen e 30 nëntorit, shkuan për të vizituar azilin e pleqve në qytetin e Kavajës.
Grupin prej 8 studentësh e paraprinte At Luka Veroni, pedagog në këtë seminar. Në të hyrë të azilit na prisnin shumë njerëz në moshë të thyer, të gëzuar për ardhjen e vizitorëve. Të mplakur trupërisht, por me zemër të madhe. Ata jetojnë ndoshta ditët e fundit të jetës së tyre, por në rini kanë bërë vepra të mira për shoqërinë njerëzore. Tani, në këtë moshë, kërkojnë interesim e përkujdesje nga shoqëria, nga më të rinjtë. Këta njerëz me shumë vite në kurriz, kanë një botë të pasur shpirtërore, një dashuri të madhe për Perëndinë dhe botën në tërësi.
Futemi në mjediset e ndenjes së këtyre njerëzve; kudo gëzim, kudo interes për të biseduar; ku secili përpiqej të bënte ftesë për ta vizituar studentët. “Kam punuar gjithë jetën, – rrëfen plaku nga Kavaja Jani Kërçyku, – dhe kur isha i ri mbaja në shtëpi një plak të vetmuar pa familje, e trajtoja mirë deri në ditën kur ai vdiq. Po ja ku më ndodhi dhe mua kështu. Unë nuk krijova familje dhe tani që u mplaka s’kam më fuqi të punoj, kam ardhur këtu në azil. Njerëz të afërm s’më kanë mbetur, përveçse një vajzë tezeje dhe një kushëri. Eh, – psherëtin ai, – Kush i di planet e Zotit, kush e di fundin. I lutem Zotit tonë Iisu Krisht, ditën dhe natën, këtu në dhomën time, që të gjej paqe në shpirtin tim, e cila është shumë e vyer për ne njerëzit që nuk jemi më aktivë në shoqëri.”
“Kushtet këtu në azil, siç i shikoni dhe vetë, – vazhdon xhaxha Jani – i kemi të mira dhe kujdestarët sillen mirë me ne, por pa besimin e shpresën tek Perëndia Iisu Krisht unë nuk mund të jetoja dot i qetë shpirtërisht. Lavdi Perëndisë tonë që ju solli këtu, të na shikoni ne pleqtë e gjorë.”
Në mjediset e azilit u krijua një atmosferë e ngrohtë nga kjo vizitë. Të gjithë pleqtë kishin dalë nga dhomat e tyre dhe donin të bisedonin me studentët.
Pleqtë e azilit ishin nga rrethe të ndryshme, por edhe studentët ishin gjithashtu nga rrethe të ndryshme, ky që një shkak që bashkëbisedimi të bëhej më interesant dhe lidhjet u bënë më të ngushta.
Biseda rreth temave të ndryshme vazhdoi gjatë dhe koha kaloi shpejt, dhe na duhej të largoheshim prej këtyre njerëzve të vetmuar e të dashur, që na pritën me aq dashamirësi e gëzim.
Kur u bëmë gati për të ikur, të gjithë pleqtë e azilit dolën për të na përcjellë deri tek porta, të gjithë ata kishin të njëjtën porosi: “të na vini, të na vizitoni përsëri, mos na harroni”.
Ishte një bekim i madh Perëndie që ne ishim për vizitë tek këta njerëz aq bujarë dhe të dashur.
U larguam nga azili me mbresa të mira dhe me një ndjenjë keqardhjeje për këta njerëz të vetmuar. Në shpirtin tonë e ndjejmë se këtyre njerëzve u kemi një borxh të madh dhe, me shpresë dhe me dëshirën e Perëndisë, duhet t’i vizitojmë përsëri dhe më shpesh.
Spiro Qosja
Student i Shkollës Teologjike – Hieratike