EmailFacebookKontakt

Irineu i Lugdunës (23 gusht)

Meqënëse që fëmijë shkonte shpesh tek Shën Polikarpi i Smirnit (23 shkurt), do ketë lindur në Smirni, rreth vitit 140. Haset në vitin 177 si prift në Lugdunë (Lion) në Francë. Gjatë persekutimit të atëhershëm, mondanizmi, një herezi e re, në dukje e përshtatshme, bëri për vete mjaft të burgosur të painformuar. Prandaj, këta me anë të Irineut të zellshëm, i dërguan një letër në favor të asaj herezie Episkopit të Romës, Elefter, i cili e kishte dënuar si herezi. Por megjithëkëtë, Irineu mbeti Orthodhoks. Besimtarët e bënë kryebari të tyre, pas ikjes së episkopit të tyre, Pothinit, që gjithashtu ishte nga Azia e Vogël (v. 177 ose 178). Martirizimin e tyre, nga më të vjetrat dhe më të bukurat, e përshkroi sipas të gjitha gjasave Irineu. Ai u mundua për përhapjen e Krishtërimit tek grekët, latinët dhe keltët dhe njëkohësisht luftoi herezitë.

At i shquar e theolog autentik, zotërues i Retorikës, Letërsisë e Filozofisë, në sajë të autoritetit të tij ndërhynte paqësisht në problemet kapitale mbarëkristiane. Kështu, vërtetoi se ishte shumë më e keqe skizma, sesa kremtimi, qoftë dhe i festës kulmore të Pashkës, në data të ndryshme. U martirizua në vitin 202 me shtizë. Tepër produktiv dhe i talentuar, i ndërgjegjshëm dhe hulumtues i palodhur, ai kompozoi shumë, por ruhen vetëm pak vepra apologjetike, ekleziologjike, didaktike e dogmatike; ruhen, kryesisht ato antiheretike, siç është vepra e shkëlyer “Kontrolli e përmbysja e Dijes me pseudonime”. Me dëshirë e pasion, Irineu e paraqiti Kishën si mbajtëse të Hirit e autoritet të besimit të drejtë, që iu dorëzua asaj, në mënyrë të shkruar e të pashkruar, nga Krishti me anën e apostujve; si mistikisht i parë, ai nënvizoi pamjen, pjesëmarrjen e Perëndisë dhe hyjnizimin; referoi si simbole të Ungjillorëve katër qeniet e gjalla (luanin, viçin, njeriun e shqiponjën) dhe Hyjlindësen e shikonte si kundërpeshë të Evës (Irine = paqësor).

At Justini