Më 25 nëntor 1973 kaloi në përjetësi episkopi ndihmës kryesor i Kryesisë së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Irine Banushi. U pre një lis i fortë i Kishës; u tha një hardhi shumë e ngarkuar me rrush për të ardhmen e saj. Ishte 67 vjeç. Vdekjen ia shkaktoi turbekulozi e diabeti, që i grindën shëndetin gjatë burgut e internimeve.
U bë episkop në kohë të vështira për Kishën tonë, për gjithë Shqipërinë. Vendi ishte i okupuar. Fazhizmi, që më përpara, por, sidomos pas pushtimit të vendit e bashkimit të tij me Italinë, nisi përpjekjet e presionet mbi kryesinë e atëhershme të Kishës, për bashkimin e saj me Vatikanin. Në këtë drejtim, qysh para pushtimit fashist punonin një sërë qendrash unite, të ngritura në qytetet Elbasan, Kavajë, Lushnjë, Fier, Vlorë, Korçë e Gjirokastër. Po kështu, pas pushtimit qenë ngarkuar dhe persona të caktuar, që e ndiqnin këtë problem: Nunci apostolik De Nigris e arbëreshi Dr. Roselino Petrota. Veç këtyre, regjimi fashist kishte arritur të infiltronte në këshillat e larta të Kishës disa laikë të lëkundur nga radhët e orthodhoksëve me influencë, që ta merrte kalanë nga brenda.
Në këtë periudhë Irineu ende nuk qe hirotonisur. Ishte arsimtar për gjuhën latine e historinë në Gjimnazin e shtetit dhe njëkohësisht pedagog në Seminarin orthodhoks kombëtar Apostull Pavli. Si element i përgatitur mirë nga ana kulturore dhe me influencë në rrethet orthodhokse dhe patriote të vendit, konsiderohej, si duket, pengesë për qëllimet e tyre. Prandaj qe në shenjestër. Ndryshe, nuk kuptohet se pse në shpalljen e luftës Italo-greke ai arrestohet dhe internohet në Itali. Lirohet bashkë me shumë orthodhoksë të tjerë të internuar si të rrezikshëm, pas ndërhyrjes së Kryepiskopit të atëhershëm.
Ky është fillimi i një shkrimi të nisur nga i ndieri Z. Dhimitër Beduli, për episkop Irineun, mikun e tij të punës e të besimit. Si shok e bashkëpunëtor, ai me siguri kish shumë për të thënë për të: Një jetë e një miqësi që në moshë të re, një luftë për forcimin e konsolidimin e KOASH-it, që i kaliti në të njëjtat llogore.
Por… asgjë nuk duhet të mbetet e pambaruar. Duhet çuar deri në fund, e aq më tepër nga ne, që sot më tepër se kurrë duhet ti kultivojmë këto traditë orthodhokse tek brezi i ri, i cili patjetër duhet të njohë punën, mundin e këtyre pasuesve të Krishtit, të cilët ruajtën e vunë themelet e Orthodhoksisë në vendin tonë. Meriton një studim të veçantë (e pat nisur Z. Dh. Beduli me materialet e grumbulluara e me korrespondencën, që mbante me Imzot Irineun, sidomos gjatë viteve të internimit të tij) ky theolog, ky martir, që sakrifikoi çdo gjë për Kishën. Më poshtë po japim disa të dhëna biografike, si dhe një letër të Imzot Irineut ku flitet për periudhën e izolimit në Manastirin e Ardenicës.
Ilia Banushi (emri i tij para hirotonisjes episkop) u lind në Shkodër më 18 gusht 1906. Mbaroi Seminarin Orthodhoks theologjik të Cetinjës e më vonë fakultetin theologjik të Universitetit të Beogradit. Pas kësaj punoi si pedagog në Seminarin kombëtar “Apostull Pavli”, si mësues i latinishtes dhe historisë në Gjimnazin e Shtetit në Tiranë.
U hirotonis episkop (pasi ishte hirotonisur më parë prift po në këtë manastir), në Manastirin e Shën Naumit në 1 shkurt 1942 dhe plotësoi kështu Sinodhin e Shenjtë të Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale, duke penguar e mënjanuar kështu ndikimin unit në Kishën tonë.
Veproi si episkop vetëm 5 vjet (1942-1946), sepse e penguan e madje periudhën tjetër të jetës e kaloi burgjeve dhe internimeve.
Në kishën tonë të Ungjillëzimit është nderuar vazhdimisht kujtimi i tij, jo vetëm ditën e Shën Irineut, 23 gusht, por në çdo ditë të shënuar.
Me rastin e 55-vjetorit të hirotonisjes së tij, le ta kujtojmë Atë e ta nderojmë për punën që bëri për kishën tonë orthodhokse. Le të ndjejmë edhe ne diçka nga vuajtjet e tij për Krishtin, nga ëndrrat që pati për të ardhmen e tij dhe të kishës. Ato u bënë realitet me fitoren e demokracisë, pavarësisht se ai nuk pati fatin t’i shikojë. Kisha jonë, me Kryepiskopin Anastas si Kryebari të mençur e të urtë, ecën e konsolidohet.
Me këtë rast po japim pjesë nga letërkëmbimi i tij me z. Dh. Beduli, pikërisht në momentet e vetmisë së tij, kur përkujtonte i vetëm 20-vjetorin e hirotonisjes së tij, por, njëkohësisht i bindur se besimtarët, shokët e tij, nuk e harronin për asnjë moment.
10/1/1962
Të dashtunit e mi,
Zoja Hariti e Dhimitër!
Që të dy bani, a por ma mirë të shprehem, merrni pjesë në historikun e meshtarisë sime; kjo ndodhi plot para 20 vjetëve, tu fillue udhëtimin prej Tiranet me datën 27/1/1942, me ujë të ftohtë të tërbuem, derisa i përcjellun prej një tufani me borë prej Pogradeci (Datë 28/1/1942), deri në vendin e destinuem për t’u dorëzue në gradët e meshtarisë, por ma mirë të thami, pjesëmarrës si puntuer pavyer në Vneshtin e Shpëtimtarit Zotit Krisht, pra në Kishën Orthodhokse të Shqipërisë.
Asokohe Zoja Haritinë, si nuse e Dhimitrit t’em të dashtun, m’anën e bashkëshortit të vet, më dhuron një palë çorape të leshta, sepse nuk kishe të tjera për të përballue të ftohtin e asaj kohe. Por, pikërisht ajo situatë e vobektë vazhdon deri në ditën e sotçme, mbas 20 vjet dorëzim si meshtar i Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Jo vetëm çorapë, por as dyshekë, as jorgan, as sende të tjera, ma të nevojshme që quhen: shtresa e mbulesa.
Qe pra, fytyra e gjallë e Jerarkut Irine, ku sot në vend që t’ishte pranë të dashamirsve, për të kremtue 20-vjetorin e meshtarisë gjendet i vetmuem në një manastir. Ktë e kam për mburrje, sepse po të mos ishte dëshira e Perëndisë nuk do ishe ku jam, por, besoj se Zoti ka për t’u mëshirue, që edhe unë, si të gjithë vëllazënit e mi në Krishtih, të jem në krye të detyrës, për të cilën u dorëzova para 20 vjetëve.
Në vazhdim të letrës kam fotografinë përpara t’asaj dite kur u dorëzova në Manastirin e Hijshëm të Shën Naumit, pranë liqenit të Pogradecit, shoh Kiçon e Dhimitrin, të cilët, besoj, se nuk më kanë hjekë nga zemra. Në vend që të ishin në sofër me mue, pranë, ditën e Shën Trifonit dorëzue në gradën episkop për të kremtue datën përkujtimore, sot dashamiri i tyre asht i vetmuem në heshtjen e thellë të manastirit por jo i harruem prej Jush. Kjo më bën që të mos dëshpërohem, sepse edhe këtu celebroj Liturgjinë e Shenjtë, jo me ceremoninë e një episkopi, por si meshtar i thjeshtë, tuj e lutë Perëndinë, që të na japë jetë e shëndet e si të jetë dëshira e të Naltit. ashtu u bëftë.
Përherë vëllai i juaj + Irineu
Në foto: Nga dita e hirotonisjes episkop në Shën Naum (Imzot Irineu është i treti nga e majta midis hierarkëve të lartë.)