EmailFacebookKontakt

Intolerance e turpshme

Prej disa kohësh, në qytetin e Tepelenës, në mungesë të një kishe për komunitetin e atjeshëm, është marrë me qera një dhomë, në të cilën herë pas here kryhen ceremoni fetare.

Një Liturgji Hyjnore ishte planifikuar edhe më 26 korrik, ditën e Shën Parashqevisë, por kur është shkuar në dhomën-kishë besimtarët janë gjendur para një të papriture të dhimbshme: Drynat e dyerve ishin thyer dhe në mes të dhomës u ishte vënë zjarri të gjithë objekteve të shenjta që gjendeshin atje. Megjithatë, Liturgjia e Shenjtë u krye.

U njoftuan edhe organet e rendit, por, deri tani, nuk duket të ketë ndonjë zhvillim.

Ky sakrilegj nuk është vetëm i turpshëm e revoltues për besimtarët, por është edhe një shprehje intolerance që nuk duhet nënvlerësuar. Ndërsa në vitet e komunizmit objektet e shenjta u shkatërruan e u dogjën në emër të një ideologjie ateiste, që nuk e pranonte ekzistencën e Perëndisë, këto veprime janë shprehje të një intolerance të re fetare, të panjohur më parë në mjedisin shqiptar, me burime nxitjeje tepër të dyshimta.

Ndaj, po s’iu pre rruga, në radhë të parë nga organet kompetente shtetërore, do të lejohet të ndizen zjarre të reja, që do djegin shumë më tepër dhe të cilat do jetë e vështirë të shuhen.

Në foto: Çfarë ka mbetur nga ikonat dhe Ungjilli i djegur.