Bashkëjetesës shembullore i rritet temperature nga alergjia e disave për kryqin
Në peizazhin shqiptar janë shtuar kambanoret e kryqet. Krahas minareve! Eshtë shenja e një besimi të rilindur, të cilin s’e zhduku dot as proselitizmi osman as ateizmi komunist. Të dy të dhunshëm, por jo plotësisht efikasë ndaj diçkaje që ndodhej në thellësitë më të mëdha të shpirtrave. Ato i gjen sidomos në zonat veriore dhe jugore, ku prania e krishterë është edhe më e qenësishme, përgjithësisht të ngritur me kontributin e vetë besimtarëve, në vende ku më parë ka pasur kisha të shkatërruara nga dy “stuhitë” që përmendëm pak më lart. Por, kohët e fundit një “virus” po prek disa qarqe të mediave, pushtetit madje, edhe fetare: alergjia ndaj kryqit.
Elbasani dhe kryqi i Fikasit
Kur zbret për në qytetin e Elbasanit, janë dy fshatra, Fikasi dhe Shën Jo(a)n Vladimiri (të cilin shtypi do ta bëjë më zor Shën Gjon). Të krishterë prej të paktën më shumë se një mijë vjetësh, kanë pasur në territorin e tyre shumë kisha e kishëza, që tregonin përkushtimin e thellë jo vetëm të tyre, por edhe të pelegrinëve që prej shekujsh vizitojnë vendin e shenjtë çudibërës ku u varros Shën Joan Vladimiri. Këtë besim, pas vitit ’90, banorët e kanë shprehur edhe me një sërë simbolesh të vendosura aty ku kanë pasur kishat e tyre, të shkatërruara para dhe pas komunizmit. Nuk kanë munguar edhe dëmtimet e tyre, por ato vinin si rezultat i parave që paguanin misionarë të huaj, që si duket ua vrisnin sytë kryqet e konizmat e krishtera. I tillë është edhe kryqi për të cilin u bë shumë zhurmë kohët e fundit.
Kryqi ngrihet në vendin ku më parë ka pasur një kishë dhe rruga që i shkon pranë është ndërtuar disa shekuj pas ekzistencës së vendit të shenjtë.
Shqetësues në këtë rast është fakti se, atë që bënin fshehurazi duke paguar misionarët e huaj, sot ka ardhur koha që kërkojnë ta bëjnë shqiptarë, fetarë, politikanë a gazetarë. Eshtë shenjë e një evoluimi mjaft negativ dhe shpresojmë të mos ketë pasoja për të ardhmen e vendit. Mbase pas atyre pesë shekujve, kur të krishterët u përndoqën, iu morën taksa të jashtëzakonshme, u martirizuan, nuk u lejuan të ndërtonin kupola e të ngrinin kryqe, ka akoma njerëz që tolerancën e bashkëjetesën e kuptojnë si nënshtrim të “më të voglit”. Le t’i harrojnë dëshirat e tyre, sepse orthodhoksët nuk kanë më frikë ta shpallin besimin e tyre dhe të ngrenë sërish kisha madhështore dhe simbolet e tij. Ashtu si ata nuk ndërhyjnë në ndërtimet e simbolet e të tjerëve, nuk kanë për të lejuar as edhe të tjerët t’i mësojnë si t’i luten dhe ku t’i luten Perëndisë. Janë të tjerët që duhet të mësojnë tolerancën dhe bashkëjetesën e vërtetë, që do të thotë të pranosh edhe demonstrimin publik të besimeve të ndryshme nga i yti.
Sarandë – Xara, një precedent i rrezikshëm për vetë shtetin
Siç kemi shkruar edhe në numrin e shkuar, në fshatin Xarë të Sarandës policia ndërtimore i vuri ca dinamit dëshirave të shqiptarëve për të bërë pjesë në familjen evropiane. E gjithë ngjarja është një ekzagjerim i qëllimshëm i një diskutimi për kompetencat midis kryetarit të komunës dhe drejtorit të Parkut.
Së pari, kryqi u ngrit me lejen e autoritetit kompetent, kryetarit të komunës, pranë kishës ekzistuese të vitit 1910 dhe do të shërbente edhe si kambanore. Madje, më mirë të themi, ishte një kambanore në formë kryqi. Dhe, mjafton të lexosh çka thotë shtypi, për të kuptuar se shqetësimi kryesor i Auron Tares nuk ishte ndërtimi i kryqit, por që ai të ishte sa më i vogël dhe më pak i dukshëm. Si duket, “pashai i Butrintit”, ka si shqetësim të vetëm, që të mos “bezdisë” turistët e shumtë me simbole të krishtera, duke dashur të harrojë se mjaft nga ato që ka nën këmbë janë dëshmi pikërisht e kësaj tradite dymijëvjeçare. Drejtori me kompetenca dhe orekse të mëdha njihet për natyrën e tij ca si ekstreme në çështje nacionale, por askush nuk ka ndër mend ta lejojë që ato t’i përziejë me çështjet fetare dhe që opinionet personale t’i kthejë në detyrim për besimtarët orthodhoksë.
Së dyti, dëshmia më e mirë se këtu nuk kemi të bëjmë me një çështje “leje ndërtimi”, janë kërcënimet e egra që morën si ndërtuesi i kryqit ashtu edhe kryetari i komunës. Kërcënime që ngërthenin edhe citime fetare.
Së treti, mënyra e veprimit të policisë ndërtimore është pak të thuhet skandaloze. Të nisur nga një urdhër mjaft i errët dhe i dyshimtë, që nuk është e qartë se kush e ka dhënë, pa asnjë lloj lajmërimi paraprak siç e kërkon ligji, dy xhipa të policisë ndërtimore dhe një i rendit shkuan mbasdite në Xarë, pas orarit të punës. Ata iu afruan kishës dhe kryqit nga një rrugë dytësore dhe vendosën dy herë dinamit në të, pa arritur ta shembnin, pasi iu desh t’ia mbathnin këmbëve nga ardhja e besimtarëve të revoltuar. Bariorë që protestuan edhe në ditët e mëpasme kundër drejtorit të parkut dhe autoriteteve shtetërore dhe u vunë në roje të kryqit, janë edhe sot.
Së fundi, tritoli i Xarës, pati një jehonë mjaft të gjerë, duke ushtuar në gjithë Evropën, e cila u shqetësua pasi një shtet nga një anë kërkon të bëhet anëtar i saj dhe nga ana tjetër lejon organet e veta të hedhin në erë simbole të shtrenjta për të gjithë kontinentin tonë.
Hapja e kutisë së Pandorës
Ata që e nisën këtë histori, për çfarëdo arsyeje që e bënë, nuk kuptuan se po hapnin “kutinë e Pandorës” të dasive. Aktet që pasuan, si dhunimi i kampingut orthodhoks në Çukë të Sarandës dhe ai i dëmtimit të kryqit orthodhoks në fshatin Stan-Karbunarë, në rrugën midis Lushnjës dhe Beratit, tregojnë se qarqe e njerëz ekstremistë kanë marrë mesazhin se mund të cënojnë objektet e besimin orthodhoks nën imunitetin shtetëror. Mbase nuk ka qenë ky qëllimi, por një politikani a funksionari shtetëror nuk i lejohet të shkojë pas pasioneve personale dhe të harrojë fatet e vendit. Bashkëjetesa fetare në vendin tonë është vërtet shembullore dhe shekullore, por një kohësisht edhe mjaft e brishtë dhe jeton duke u ujitur çdo ditë me dashuri e tolerancë për atë që është ndryshe nga ty.
T