“Megafoni i prishur” Nikolla Marku fyen besimtarët orthodhoksë dhe ndjell përçarje fetare. Disa ditë më parë, në ekranin e televizionit “SOT 7”, të Pogradecit dha një intervistë të gjatë i vetëquajturi klerik N. Marku, i cili kishte marrë përsipër të diskreditonte Kishën orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Me kartën e patriotit “që i dhimbset vendi dhe që po lufton për të shpëtuar orthodhoksinë nga tradhëtarët grekë”, ai për më se një orë hodhi baltë mbi komunitetin orthodhoks shqiptar. Kjo intervistë, që luajti rrezikshëm me ndjenjat e larta fetare dhe patriotike dhe që u dëgjua nga banorët e Pogradecit, Korçës e më gjerë, ka krijuar një zemëratë masive, çka është shprehur në takime e protesta të hapura, jo vetëm nga besimtarët orthodhoksë, por edhe të mbarë opinionit qytetar. Kështu, ditën e diel qindra banorë të Korçës nënshkruan një protestë të hapur drejtuar televizionit privat “SOT 7” dhe pseudoklerikut N. Marku. Në protestën e tyre, besimtarët orthodhokse dhe banorët e tjerë të Korçës nënvizojnë faktin, se feja nuk është vegël e politikanëve grindavecë e të paekuilibruar, që fshihen pas Nikolla Markut. “Ka ikur koha,- theksonin ata,- kur pashallarët turkoshakë dhe të tjerë antishqiptarë i konsideronin me qëllim besimtarët orthodhoksë në Shqipëri, si grekë. Mos duhen të konsiderohen edhe besimtarët myslimanë si turq dhe ata katolikë si italianë?” Në protestën e mësipërme, në përgjigje të akuzave dhe të shpifjeve të të vetëquajturit klerik ortodoks, bëhet edhe një prezantim i tij. “Ai,- shkruhet në protestë,- nuk përfaqëson askënd, edhe Kishën e Shën Marisë në Elbasan e ka pushtuar me forcë, i ndihmuar nga banditët e tij. I përjashtuar nga Seminari Orthodhoks për vjedhje, person i papërgjegjshëm e me nivel të ulët kulturor, që improvizon skenarë stabilizues, të nxitur nga suflerë të diskredituar.” N. Marku në intervistën e tij u përpoq të minonte unitetin dhe mirëkuptimin e ndërsjelltë midis tri feve tona. Një unitet që, siç dihet i ka rezistuar kohëve dhe ngjarjeve të ndryshme destabilizuese.
Në protestë kritikohet edhe televizioni lokal “SOT 7”, i cili i ofroi ekranin e vet një personi, që me një zhargon fyerjesh e plot mllef, kërkon të prishë unitetin kombëtar e të krijojë incidente me fqinjët. “Durimi dhe mirëkuptimi që na imponon kultura qytetare nuk janë pa fund”,- shkruajnë orthodhoksët dhe qytetarët korçarë, duke paralajmëruar, se nuk do të jenë indiferentë ndaj çështjeve kaq delikate, që kanë të bëjnë me harmoninë ndërfetare dhe interesat kombëtare.
Jorgjeta Gjançi