Kohët e fundit objektet orthodhokse të periudhës bizantine të Shqipërisë së Jugut u bënë objekt studimi i një grupi të Institutit të bizantologjisë të Universitetit të Vjenës, udhëhequr nga drejtori Institutit dhe studiuesi i njohur Prof. Dr. Johannes Koder. Në përbërje të grupit ishin edhe Prof. Dr. M. Stasinopulu, si dhe 12 studentë të vitit të fundit.
Kjo vizitë ishte e përfshirë në programin e detyrueshëm mësimor të Institutit, ndaj çdo student kishte përgatitur një punim për një ose dy objekte, që do të përdoren në punimet e diplomës dhe një pjesë do të botohen në revistën e Institutit.
Vëmendjen e grupit e tërhoqën veçanërisht kishat e Voskopojës, ajo e Hyjlindëses në Labovën e Kryqit, Kisha e Shën Nikollës në Mesopotam etj. Dëmtimi i afreskeve në Kishën e Shën Mihailit në Voskopojë ishte për ta një befasi dhe nuk arrinin ta kuptonin si ishte i mundur një sulm ndaj këtyre vlerave unikale.
Kristofor Beduli