Drejtorit të Përgjithshëm të Radiotelevizionit, z. Skënder Buçpapaj
Drejtorit të Televizionit, z. Qemal Sakajeva
Jemi shumë të indinjuar për lojen që po kryhet nga forca te caktuara antiorthodhokse, të përfaqësuara nga “Komiteti” famëkeq i “mbrojtjes së Autoqefalisë” dhe shpifjet e paturpshme të kryetarit te tij, z. Petrit Bidoshi, në bisedën e transmetuar nga Televizioni Shqiptar ditën e hënë, datë 12.09.1994, në adresë të figurës më të shquar dhe më të nderuar të Kishës sonë, Kryepiskopit Anastas, pa prezencën e te cilit Autoqefalia e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë do të ishte një shprehje pa kurrfare vlere.
Eshte interesant fakti se ky Komitet fantazem, me në krye, Petrit Bidoshin, gjithmonë vetëm vrer kanë vjellë kundër klerikëve dhe Kishës sonë, por kjo barrë që i është caktuar atij është shumë e rëndë dhe do t’i shtypë kurrizin, sepse është jo vetëm antikristiane, por dhe antikombëtare.
Figura e Kryepiskopit Anastas, është një figurë e nderuar botërore. Puna e palodhur, aftësia dhe devotshmëria e tij e nxorën Kishën tonë nga balta dhe e bënë anëtare të denjë, me të drejta të barabarta, në bashkësinë e kishave botërore. Pikërisht, është përparimi dhe konsolidimi i kësaj kishe, me kuadro te aftë shqiptarë, që po e tërbon atë Komitet fantazëm (dhe ata që qëndrojnë pas), që kanë mundësinë fatkeqe për të përdorur mjetet më të fuqishme të masmedias shqiptare.
Gjithmonë, në momente të caktuara, të acarimit të politikës së marrëdhenieve greko-shqiptare, ky “komitet” ka kërkuar t’i bëjë varrin KOASH, duke goditur Kryepiskopin tonë, vetëm e vetëm sepse ai është i kombësisë greke. Kjo është një lojë shumë e rrezikshme, në kundërshtim të plotë me interesat kombëtare, të cilat, ne orthodhoksët, dimë t’i mbrojmë shumë më mirë se ata që ndezin urat e zjarrit dhe këtë fakt e ka treguar historia jonë shumëvjeçare, madje shumëshekullore.
Sa mjeranë dukeshin në ekranin e Televizionit zotërinjtë Bidoshi dhe Kuri, të cilët mbetën me gisht në gojë, pasi nuk u vajten kleriket e ftuar. Kjo nuk do koment, mbasi kanë katandisur të bisedojnë me vetvehten.
Me paturpësinë më të madhe zoti Bidoshi akuzon se dhe Ungjilli në Kishë lexohet greqisht. Por harron se ështe një popull i tërë që shkon në kishë dhe e degjon të gjithë shërbesën fetare në gjuhën shqipe. Ketë ia falim, sepse ai dhe “Komiteti” që përfaqeson nuk ia kanë pare ndonjëherë deren kishës dhe klerikëve të saj.
Askujt më tepër se Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nuk mund t’i dhimbsen martirët e saj, që kanë rënë për fe dhe atdhe, por Kisha jonë nuk është instrument politik i askujt, ndaj dhe nuk i instrumentalizon. Për ne, kujtimi me i madh dhe më i denjë per ta, është ai që ju behet në shërbesat fetare dhe përshpirtjet në Kishë, sa here që kanë datën e vdekjes, te cilat asnjëhere nuk kanë munguar, per asnjë.
Por, nga t’i dije këto zoti Bidoshi?!
Jemi, gjithashtu, shumë të fyer, që figura poliedrike dhe shumë e dashur e Imzot Nolit, i cili ështe themeluesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të gojohet nga njerëz injorantë, që e lakojnë atë sëbashku me Nikolla Markun, i cili është i shquar për vjedhje, si në Seminarin e Priftërinjve në Durrës, shkas për të cilin u largua, po ashtu dhe në Kostur. Përsa i përket episodit me dhespotin e Kosturit, nuk është e vështirë të provohet se është kokë e këmbë një trillim provokues dhe i paskrupullt, sepse bashkë me Nikolla Markun atje ka pasur dhe shumë të tjerë.
Duam t’i shpjegojmë zotit Bidoshi, këtij mekanizmi të kurdisur, qe hiqet si shpetimtar i Autoqefalisë se ë ka emërtuar keq “Komitetin” e tij, sepse nuk e di kuptimin e përmbajtjes së fjalëve, Kishë Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. Kisha është trupi i Krishtit dhe bashkon gjithë besimtarët rreth saj. Përkatësia fetare e kësaj kishe është orthodhokse, që e dallon nga kishat e tjera dhe është Autoqefale, se është e vetëadministruar. Por, “Komiteti për shpëtimin e Autoqefalisë”, që është krijuar për shkatërrimin e Kishës dhe për t’i shërbyer antiorthodhoksisë, siç duket i interes on vetëm vetadministrimi dhe kjo, jo pa qëllim, sepse kështu ka mundësi të rrëmbejë pjesën e vet. Por, meqënëse nuk do t’ia arrijë kurrë këtij qëllimi, le të vazhdojë të marrë ndonjë lëmoshë prej atyre që e kurdisin.
Siç ka ndodhur dhe herë të tjera, nxitja për të shpifur nëpërmjet Televizionit Shqiptar, sjell pas një fushatë të paskrupullt, që bashkon në një rrymë të vetme ish-komunistë, ekstremistë fetarë jo të krishterë, pseudoatdhetarë dhe pseudofetarë, që kanë të vetmin qëllim, që të shkatërrojnë Kishën dhe Autoqefalinë e saj, prandaj marrin në shenjë kreun e kësaj Kishe, që është Kryepiskopi, i cili është njëkohësisht simboli i urtësisë dhe tolerances fetare që e karakterizon Kishën tonë.
Eshte turp për Televizionin Shqiptar, që nxjerr në ekran kukulla të tilla të kurdisura, per të thyer ndjenjat e besimtarëve orthodhoksë të kombit shqiptar.
Biseda të tilla nuk i shërbejnë as kishës e as kombit, sepse jane përçarëse dhe destabilizuese. Zoti Bidoshi, si Antidemokrat në shpirt, kujton se heshtja dhe toleranca jonë karshi fyerjeve dhe denigrimit që i bën kishës sonë dhe Kryepiskopit tonë, do të vazhdojnë pafundësisht, por po i themi publikisht se këtej e tutje do t’ia çjerrim atë maske satanike, atij dhe atyre qe fshihen prapa tij, per këtë loje te rrezikshme.
Ju themi dhe instancave më të larta shtetërore, se ky zotëri dhe ky “Komitet”, po i vënë pengesa ecurisë së proceseve demokratike që po zhvillohen në vendin tonë.
Dhe se fundi, gjatë gjithë emisionit na bënë një përshtypje shumë të keqe pyetjet tendencioze kunder KOASH, por dhe antidemokratike, të gazetarit Bujar Muharremi. A e meriton një njeri me tendenca të tilla ekstremiste, të qendrojë në një institucion kaq të lartë demokratik, siç është RTV?
Kryesia e Kishës Korçë
Lidhja e Rinisë, Grave dhe Intelektualëve pranë KOASH-it, Korçë
Shoqata e Bashkimit të Orthodhoksëve të Shqipërisë “Fan S. Noli”, Korçë