– Konsulta V e Sindesmos për problemet e edukimit teologjik orthodhoks-
Nga data 14-20 gusht 1994, në afërsi të Stambollit, u mblodh konsulta e V panorthodhokse kushtuar problemeve të edukimit teologjik në kohën e sotme. Konsulta i zhvilloi punimet në Manastirin e Shën Triadhës, në ishullin Halki, në Detin Marmara. Nga viti 1844-1971 ky manastir ka shërbyer si shkollë teologjike.
Universi orthodhoks
Sot në botë ekzistojnë mbi 300 milionë besimtarë orthodhoksë, të përqëndruar në komunitete të mëdha dhe kompakte në shtetet e Evropës Lindore ose në komunitete relativisht të vogla emigrantësh në diasporë, të grupuar në baza etnike.
Komunitetet orthodhoksë të Evropës Lindore dhe të Lindjes në përgjithësi formojnë Kisha Autoqefale, në rangun e patriarkive, siç është Kisha Orthodhokse e Rusisë, Rumanisë, Bullgarisë, Serbisë, Gjeorgjisë etj., dhe Patriarkia e Antiokisë, e Jerusalemit dhe e Aleksandrisë ose kisha autoqefale në rangun e kryepiskopëve, siç është Kisha Orthodhokse e Finlandës, e Polonisë, Sllovakisë, Shqipërisë, Greqisë, Qipros e Malit të Sinait etj. Komunitetet orthodhokse në diasporë përfaqësohen nga kisha orthodhokse të pavarura ose të varura nga patriarkati i Lindjes. Në Evropën Perëndimore ka komunitete orthodhokse në Francë, në Belgjikë, në Gjermani, në Britaninë e Madhe, në Zvicër etj. Gjithashtu në Kanada, në SHBA, në Afrikën Qendrore dhe Orientale, në Australi dhe gjetkë ka komunitete orthodhokse emigrantësh të para dhe pas Luftës së dytë botërore ose më parë.
Të gjitha këto komunitete orthodhokse në botë, pavarësisht nga statusi i tyre juridiksional, autoqefale ose të varura nga patriarkatet e Lindjes, formojnë Universin Orthodhoks, që nga pikëpamja teologjike është një dhe i pandarë, mbasi ngrihet e funksionojnë mbi të njëjtat themele dogmatike dhe kanonike, të vendosura nga shtatë sinodet ekumenike të mijëvjeçarit të parë të Kristianizmit, kur Kisha ishte një dhe e pandarë. Prandaj, Orthodhoksia quhet dhe është Kisha e shtatë sinodeve ekumenike. Në Universin orthodhoks Patriarkia Ekumenike e Konstandinopolit zë në vend të veçantë nderi në raport me patriarkitë dhe kishat e tjera autoqefale. Patriku i Konstandinopolit është një “primus inter pares”, dmth “i pari midis të barabartëve”. Historikisht, kjo pozitë prioritare u ligjërua nga Sinodi 2-të ekumenik, që u mbajt në Konstandinopol në vitin 381. Prej asaj kohe dhe deri më sot të gjitha patriarkitë dhe kishat e tjera orthodhokse të rangut më të ulët kanë vazhduar të njohin këtë prioritet ekleziastik. Kjo pozitë e veçantë është njohur jo vetëm brenda universit orthodhoks, por edhe nga mbarë bota kristiane. Veç të tjerave, këtë e konfirmon fakti se edhe lëvizja ekumenike për bashkimin e dy kishave Katolikeve dhe Orthodhokse që është vënë në rrugë të mbarë, drejtohet nga koopresidente, që janë përfaqësues të Vatikanit dhe të Patriarkisë Ekumenike të Konstandinopolit.
Konsulta panorthodhokse e Halkit
Në Halki u mblodhën përfaqësues nga pothuajse nga i gjithë universi orthodhoks, profesorë universitare dhe studentë nga 30 shkolla teologjike, për të diskutuar rreth problemeve të edukimit theologjik në kohën e sotme. Ishin të pranishëm Thimotey Ware, profesor i Universitetit të Oksfordit dhe episkop i dioqezës së Diokleias në Britaninë e Madhe; Prof. Marios Begzos i Universitetit të Athinës; Dhimitra Kukura e Universitetit të Selanikut; episkopi Maksim i Pitsburgut të Pensilvanisë në SHBA; At Thoma Hopko i komunitetit orthodhoks të New Jorkut; At Vladimir Vorobiev dhe At Geor-gi Kotçekov nga Moska; At K. M. George nga Gjeneva, përfaqësues nga Instituti Teologjik Orthodhoks “Saint Serge” i Parisit, komuniteti orthodhoks Ukrainas i Quebeckut në Kanada, delegacione prelatesh dhe studentësh nga Amerika, Kanadaja, Anglia, Finlanda, Polonia, Rusia, Rumania, Bullgaria, Greqia, Libani, Shqipëria etj.
Në konsultë u referuan këto tema: Misioni i Edukimit Teologjik Orthodhoks sot; Edukimi Teologjik Orthodhoks dhe Jeta Spirituale; Edukimi Teologjik dhe Bota Moderne; Edukimi Teologjik në bazë të Shkrimeve të Shenjta dhe të Historisë; Edukimi Teologjik në Kontekstin ekumenik dhe pluralist. Temat, që u referuan nga profesorë dhe prelate të shquar, ishin të një niveli shumë të lartë teologjik. Konulta u karakterizua nga një debat i gjerë konstruktiv. Mbasdite, pjesëmarrësit në konsultë, shumica studentë, të ndarë në grupe pune sipas gjuhëve anglisht, rusisht, greqisht dhe frëngjisht, bënin propozime konkrete rreth preokupimeve të konsultës, të cilat do t’i paraqiteshin asaj në mbledhjen e fundit, para mbylljes së punimeve, nga përgjegjësit e çdo grupi. Përfundimet e konsultës do të botohen nga Sindesmosi më vonë.
(Vijon në numrin e ardhshëm)
Teodor Papapavli