Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë i ka dërguar Kuvendit një kërkesë për të marrë pjesë në seancat e Komisionit të Ligjeve, ku do diskutohet për ndryshimet në Kodin e Familjes, si dhe ka depozituar disa propozime në lidhje me këto ndryshime për nenet 241, 242.
Lënda: Kërkesë për pjesëmarrjen e Këshillit Ndërfetar në Komisionin e Ligjeve…
Duke ju uruar punë të mbarë, ju bëjmë me dije se Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë përbëhet nga pesë Komunitete zyrtare fetare në Republikën e Shqipërisë: Komuniteti Musliman, Kisha Orthodhokse Autoqefale, Kisha Katolike, Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Vëllazëria Ungjillore. Me anë të kësaj shkrese ju kërkojmë që në çdo rast që do të ketë propozime për ligje, drafte ligjore, që prekin interesat pronësore, fetare, ideologjike, ekonomike etj., të ftohet Këshilli Ndërfetar, si grup interesi, për të shprehur qëndrimin në lidhje me këto ndryshime apo projektligje. Po ashtu kërkojmë, që përfaqësuesit e çdo komuniteti fetar të jenë pjesë në seancat e shqyrtimeve dhe e diskutimeve nga komisionet e përhershme për këto çështje.
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje Draft-kalendarin e punimeve të komisionit (Për periudhën 27 shtator-15 tetor 2021), miratuar në mbledhjen e komisionit në datën 28 shtator, për Projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9062, datë 8.5.2003 “Kodi i familjes” të ndryshuar”.
Duke ngritur zërin në mbrojtje të familjes dhe fëmijës si interesi më i madh që duhet mbështetur në shoqërinë shqiptare, dhe duke kërkuar saktësinë e ligjvënësit në dispozitat që do të ndryshohen, propozojmë si më poshtë vijon:
1. Lidhur me ndryshimin e nenit 241 të Kodit të Familjes mendojmë se:
Në propozimin për ndryshim të nenit 241, ku përcaktohen kushtet e birësimit, thuhet se: Ka të drejtë për të birësuar personi që ka mbushur moshën 21 vjeç dhe ka zotësi të plotë për të vepruar.
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë propozon rritjen e moshës së birësuesit. Në mbështetje të kërkesës sonë mund të shërbejë dhe Kodi Civil Italian, i cili parashikon që ka të drejtë të birësojë personi që ka mbushur moshën 35 vjeç dhe në raste të rralla 30 vjeç.
E nënvizojmë këtë kërkesë si të domosdoshme për përgjegjësinë që do të marrë birësuesi dhe cilësitë (shkollimi, punësimi, të ardhurat nga punësimi etj.), që duhet të mbartë për të rritur dhe edukuar një fëmijë të përgjegjshëm…
Neni 242 aktualisht është: I mituri nuk mund të birësohet nga shumë persona, përveç rastit kur ata janë bashkëshortë. Birësimi i ri lejohet pas vdekjes së birësuesit ose të birësuesve apo pas vdekjes së njërit prej birësuesve, në qoftë se kërkesa është paraqitur nga bashkëshorti i ri i birësuesit.
Neni 242 ndryshohet, si më poshtë vijon:
I mituri mund të birësohet nga një person i vetëm ose nga persona që janë bashkëshortë, ose bashkëjetues sipas përcaktimeve të nenit 163 të këtij Kodi, që kanë bashkëjetuar në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme për të paktën 3 vjet.
Propozojmë të bëhet:
I mituri mund të birësohet nga një person i vetëm ose nga persona që janë bashkëshortë ose bashkëjetues vetëm kur provohet se ai apo ata janë të lidhur në martesë apo bashkëjetesë sipas përcaktimeve të neneve 7 dhe 163 të këtij Kodi, dhe që kanë bashkëjetuar në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme për të paktën 3 vjet.
Propozimi i mësipërm ka vlerë vetëm nëse nenet 7 dhe 163 të Kodit të Familjes mbeten të pandryshuar, pra të jenë:
Neni 7
Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç.
Neni 163
Bashkëjetesa është një bashkim fakti midis burrit dhe gruas që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët, që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie.
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë këmbëngul për mosndryshimin e konceptit të martesës dhe bashkëjetesës, duke u përcaktuar pjesëmarrësit në këto institute si Burrë dhe Grua nga lindja…