EmailFacebookKontakt

Information nga bota e krishterë

Nga kremtimi i Ujit të Bekuar

Konstandinopol

U festua me madhështi e kremtja e Ujit të bekuar nga të krishterët orthodhoksë. Besimtarët ndoqën me përshpirtshmëri Liturgjinë Hyjnore, si edhe Bekimin e Madh të Ujit që kreu Patriku Ekumenik, Tërëshenjtëria e Tij Vartholomeu. Hedhja e Kryqit të Shenjtë u bë si tradicionalisht në Bosfor, ku pavarësisht nga ujërat e ngrira, të rinj besimtarë u hodhën për të kapur kryqin.

Sofje

U festua me shkëlqim dita Ujit të Bekuar. Besimtarë të panumërt mbushën kishat për të ndjekur Liturgjinë Hyjnore. Në këtë ditë në Bullgari kryhet shërbesa e njohur e Ajazmës, në të cilën marrin pjesë në mënyrë të veçantë edhe të sëmurë, të varfër edhe sakatë për të marrë Kryqin Hyjnor. Në Bullgari, këtë festë ushtria e feston me parakalime.

Greqi

Uji i bekuar u kremtua me hedhjen e Kryqit të Shenjtë në det, në liqene, lumenj, por edhe në rezervuaret e ujit të pijshëm. Me madhështi të veçantë u festua sidomos në Pire, Athinë, Selanik, Patër e gjetkë.

Vithleem

Në vendin e Shenjtë të lindjes së Krishtit, më 6 janar, të krishterë monofizitë festuan vigjiljen e Krishtlindjeve (me kalendarin e vjetër). Me qindra besimtarë u mblodhën në kishën e hirshme të Lindjes së Krishtit ku Patriku kreu Liturgjinë Hyjnore.

Gjermani

600 mijë orthodhoksë

Kaq vlerësohet të jetë numri i orthodhoksëve në Gjermaninë e bashkuar. Shumica të ardhur në kohë të ndryshme. Dioqeza e Patriarkatit Ekumenik është më e rëndësishmja, me në krye Mitropolitin Agustin, i ndihmuar nga tre peshkopë të tjerë. Ajo numëron 53 famulli, të shërbyera nga po kaq priftërinj, dhe mbulon rreth 400 mijë besimtarë orthodhoksë. Dioqeza të vogla kanë dhe Patriarkati i Moskës, ai i Rumanisë etj.

Belgjikë

Blakenberg – Kongresi i 8-të orthodhoks i Evropës Perëndimore

“Të jetosh në Kishë bashkimin me të tjerët”, kjo ishte tema e refleksionit të kongresit, që u mbajt në Blakenberg (Belgjikë) nga 29 tetori – 1 nëntor 1993, i cili mblodhi 600 pjesëmarrës, të ardhur nga 16 vende të ndryshme.

Konferenca, që u hap nga mitropoliti Pandeleimon i Belgjikës, i cili lexoi mesazhin e bekimit dhe inkurajimit dërguar kongresit nga Patriku Ekumenik. Ritmi i ngjeshur i punimeve ishte i harmonizuar me lutjet, që patën pikën kulminante në celebrimin eukaristik të së djelës, ku morën pjesë 5 peshkopët që merrnin pjesë në këtë kongres.

Danimarkë

Dialog luterano – orthodhoks

Kohët e fundit u zhvillua në Sandberg sesioni i 7-të i komisionit danez të dialogut luterano – orthodhoks.

Në këtë takim u përgatit një dokument mbi “Koncilet ekumenike dhe autenticitetin në Kishë”. Sesioni i ardhshëm, që do të zhvillohet më 1995, do të diskutojë rreth “Dritës së koncileve ekumenike”. Të nisur më 1981, këto takime kanë çuar në miratimin e 3 dokumenteve të përbashkëta.

Korresp. i “Ngjalljes”