EmailFacebookKontakt

Information nga bota e krishterë

Turqi

Një delegacion romano-katolik viziton Patrikanën Ekumenike
– Patriku do të vizitojë së shpejti Vatikanin –

Me rastin e Shën Andreas, në 30 nëntorin e kaluar, një delegacion i Kishës Katolike Romane shkoi në Fanar, si çdo vit, për të marrë pjesë në celebrimin e festës patronale të Kishës së Konstandinopojës. Ajo ishte i drejtuar nga Eduard Kasidi, president i Këshillit papal për unitetin e të krishterëve. Në fjalimet e rastit, Patriku Vartholomeu I dhe Kardinali Kasidi bënë një bilanc të vitit 1993, të shënuar nga sesioni i 7-të i komisionit mikst për dialogun teologjik katoliko-orthodhoks, që u mbajt në Balamand.

Në fjalën e tij Patriku Ekumenik nënvizoi rëndësinë e dialogut për të kapërcyer problemet mes dy kishave, veçanërisht atyre të shfaqura në ringjalljen e uniatizmit në Europën Lindore. Tani që është njohur zyrtarisht që uniatizmi nuk është metoda për të restauruar unitetin mes dy kishave, janë realizuar edhe përparime të rëndësishme.

“Në se nuk bëjmë hapa thelbësore përparimi në këtë qëllim të shenjtë, që është në mundësitë tona, do të gjendemi pa justifikime të vlefshme jo vetëm para të krishterëve të Lindjes dhe Perëndimit, por, gjithashtu, para gjithë njerëzve, dhe mbi të gjitha, para Zotit tonë, Gjykatësit të Universit, – theksoi Patriku, – para se të deklaronte se ka ndërmend të trajtojë personalisht këto probleme me Papën, gjatë një udhëtimi që do të bëjë së afërmi në Romë.

Boston

Takim vjetor i Shoqatës Orthodhokse të mjekësisë, psikologjisë dhe fesë

Rreth 250 persona morën pjesë në konferencën e 8-të vjetore të shoqatës orthodhokse amerikane të mjekësisë, psikologjisë dhe fesë, në Institutin Orthodhoks të Teologjisë të Kryqit të Shenjtë në Boston. Tema e takimit, “Lidhjet mes trupit e shpirtit”, u ilustrua me tre referenca.

Kjo shoqatë është një vend takimi dhe shkëmbimi mbi çështjet morale dhe shpirtërore, në lidhje me probleme të shoqërisë bashkëkohore. Ajo publikon një fletore semestrale “Sinergia”, si dhe libra të specializuar. Kjo shoqatë organizon konferenca në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare dhe financon veprimtari misionare në anë të ndryshme të botës. Mes projekteve të saj figuroi edhe krijimi i një instituti të etikës, që do të synojë të reflektojë një version orthodhoks të problemeve morale të shoqërisë moderne.

Gjenevë

Kishat dhe ekologjia në Evropë

Në qendrën orthodhokse të Patriarkatit Ekumenik në Shambesi, pranë Gjenevës, u mbajt nën drejtimin e mitropolitit Damaskino, seminari i 14-të teologjik ndërkombëtar për temën “Kisha dhe problemet ekologjike në Europë”. Në punime morën pjesë specialistë të problemeve ekologjike, teologjike dhe përfaqësues të Këshillit Ekumenik të Kishave, të cilët vizituan edhe qendrën Europiane për kërkimet nukleare.

Puna e seminarit ishte strukturuar rreth dy boshteve reflektimi; I pari mbi rolin e Kishës – se si ajo, si institucion, mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve ekologjike, tjetri rreth angazhimit personal të besimtarëve në mbrojtjen e mjedisit.

Korresp i “Ngjalljes”