EmailFacebookKontakt

Incident i rëndë në Sarandë – Qëllohet me armë gjahu një ekip xhirimi i Kishës

Incident i rëndë në Sarandë

Qëllohet me armë gjahu një ekip xhirimi i Kishës

– Autorë të veprimit të dhunshëm janë okupuesit abuzivë të tokave të Manastirit të Shën Gjergjit. –

Ndërsa opinioni publik vazhdon të jetë kaq i tronditur me masakrat mbi ikonat murale të Kishës së Shën Mihailit në Voskopojë, një tjetër ngjarje e pakëndshme ndodhi të shtunën e kaluar në Manastirin e “Shën Gjergjit” në Çukë, midis Sarandës dhe Ksamilit. Një ekip televiziv, që kryente xhirime për llogari të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, brenda territorit të Manastirit, me synim dokumentimin e vlerave të tij monumentale, është qëlluar me armë gjahu nga banorët, që në mënyrë krejt të paligjshme janë vendosur në pronat tokësore të Manastirit. Sulmi mbi ekipin xhirues u bë shkas për të rikujtuar disa aspekte të dhimbshme të grabitjes në këtë manastir gjatë vitit të fundit, ndërsa ishin shtuar shpresat për rikthimin e tij Kishës sonë.

Manastiri i ndërtuar që nga shek. XV në krye të malit Demos gjatë viteve ka përfituar nga donacionet e ndryshme private prona të shumta kullosore në të gjithë zonën rreth tij. Sikundër dëshmojnë dokumentat historike (nga të cilat pronarë të tjerë privatë në zonën rreth Ksamilit kanë përfituar) ai ka pasur para reformave komuniste rreth 5 000 dynym kullota.

Pas përpjekjeve të shumta, Komisioni i Rikthimit të Pronave i rrethit Sarandë, në vitin 1994 i ktheu Manastirit vetëm 10 dynym, nga të cilat 2,5 dynym brenda mureve të manastirit dhe të tjerat në zonën rreth tij. Me vendim të dhënë nga Komiteti i Rregullimit të territorit iu dha Mitropolisë së Gjirokastrës Leja e Ndërtimit për të kryer rrethim provizor të pronës që iu kthye. Filluan punimet për këtë gjë në nëntor 1995. Synimi ishte që pas rrethimit në atë zonë të ndërtoheshin kampingje për rininë dhe fëmijët.

Menjëherë, porsa filluan punimet u ndërhy në mënyrë krejt të paligjshme, sikundër i kanë përshkruar procedural juriste me përvojë, nga ana e Kryetarit të Gjykatës së Sarandës dhe punimet u ndërprenë. Përmendim se, ndërsa disponoheshin të gjitha dokumentat e nevojshme, tre herë u shoqëruan nga forcat e policisë punëtorët që kryenin punimet në atë vepër.

Ndërkaq, me fillimin e serisë së gjyqeve që pa asnjë shkak anulloheshin nga ana e z. Agur Jupi, gjykatës i kursit 6-mujor të Durrësit, ndërsa arsimi i tij bazë është agronomia, filloi vërshimi në të gjitha trojet rreth Manastirit i mbi 500 familjeve kolone, sepse origjina e tyre nuk është nga rrethi i Sarandës. Të dhënat lidhur me këtë vërshim dhe sipas të thënave të njerëzve që janë vendosur atje, tregojnë se gjithë veprimi ka pasur “leje nga lart”. Gjithçka ndodhte nën vëzhgimin e gjeometrave specialistë dhe nga ana e këshillit të rrethit të Sarandës ishte e pamundur të ndërhyhej.

Pati ndërkaq protesta të vazhdueshme nga ana e popullit orthodhoks të rrethit të Sarandës, janë dërguar letra tek Presidenti i Republikës, Ministri i Drejtësisë etj, por nuk është marrë asnjë përgjigje.

Edhe me rastin e votimeve, me synim legalizimin përfundimtar të situatës së krijuar, në shtëpinë e një ish oficeri, që bleu prona të ushtrisë në shkelje të ligjit ku përparësi ka pronari i truallit d.m.th., në rastin konkret Kisha, u krijua qendër votimi me 700 votues?!

Rasti i fundit nuk është i vetmi, me sjelljen jonjerëzore të personave që janë ngulur abuzivisht përreth Manastirit të “Shën Gjergjit”. Shumë nga priftërinjtë dhe populli që kanë dashur të ngjiten për t’u lutur ose vizituar Manastirin u është dashur të kalonin pengesa që kanë ngritur përgjatë rrugës zaptuesit e tokës. Presione direkte dhe indirekte janë bërë mbi personat që u morën me çështjen e rikthimit të pronave të Manastirit në fjalë dhe për bllokimin e situatës absurde të krijuar nga ndërhyrja e Kryetarit të Gjykatës së Sarandës.

Ndërkaq, akoma edhe sot gjyqi maratonë i shpallur para 8 muajve nuk ka përfunduar. Indiferentizmi dhe ndoshta qëllimshmëria e veprimeve të segmenteve të caktuara shtetërore e ka çuar situatën në një pikë kritike.

Korresp. i “Ngjalljes”