(Vijon nga numri i kaluar)
Inati fëmijëror
Fëmija, që shumë i vogël, bën manifestime të dëshirës së tij. E shohim këtë që në periudhën e gjirit dhe të daljes së dhëmbëve. Gjatë moshës 3-4 vjeç shfaqjet e inatit janë të shpeshta. Kjo periudhë është karakterizuar si periudha e parë e inatit. Gjatë moshës 7- vjeç fëmija shkon në shkollë dhe gjendet në një organizim total, ku detyrohet të nënshtrohet për hir të organizimit. Kjo periudhë e re shkakton tronditje të fortë në shpirtin fëminor e një arsye më shumë për t’u theksuar inati. Zhvillimi i fëmijës vazhdon e s’vjen me ritëm të butë, por me hope të mëdha.
Mosha 8-13 vjeç është periudha e zhvillimit të madh. Tronditet ekuilibri shpirtëror i femijës dhe theksohet inati. Së fundi në periudhën e formimit shpirtëror dhe trupor adoleshenti kalon në një stad të ri krize. I riu ndjen se po mohon mënyrën e vjetër të jetës dhe të bindjeve pa arritur të realizojë zëvëndësimin e tyre, për këtë ndjen mungesë sigurie, por refuzon ta tregojë. Në dëshirën që të sigurohet për fuqinë e vullnetit të tij krijon një mori përplasjesh me ambientin e tij. Prirja e tij për një mospranim këmbëngulës shumëfishohet. Adoleshenti pak nga pak gjen gjakftohtësinë e tij. “Adoleshenca konsiderohet si periudha e dytë e inatit”. Psikologu J. Spieler në librin e tij “Fëmijët kokëfortë” vë re se në 100 femijë të moshës 6- vjeç të pajisur me një vullnet normal kishin kaluar periudhë inati, ndërsa në 100 fëmijë me vullnet të dobët nuk kishin paraqitur inat. Ky vëzhgim tregon se periudha e inatit përfundon në formimin e një karakteri të fortë.
Le të analizojmë së pari inatin që vjen nga disavantazhi. Fëmija kërkon të kalojë mendimi i tij që të ndjejë siguri. Nuk do t’i kundërvihemi me inat edhe ne, se kështu do përkeqësojmë situatën dhe krijojmë një situatë të dëmshme. Do t’i japim mundësinë të përfshihet në një sektor tjetër që të ndjejë kënaqësi dhe sigurinë se ka aftësi të realizojë diçka në jetën e tij. Në këtë mënyrë do ta ndihmojmë të mposhtë disavantazhet dhe automatikisht do mposhtë dhe inatin e tij.
E kundërta ndodh me rastin e inatit që vjen nga egoizmi ku fëmija shfaq një tendencë dominuese edhe ku përpiqet të provojë deri ku mund t’i imponohet mjedisit të tij. Këtë rast do ta përballojmë me indiferentizëm, do t’i japim të kuptojë se kurrë nuk do mund të fitojë me këmbëngulje dhe të qara, por vetëm kur të bëhet i mirë dhe të mposhtë vetveten. Në rastin e inatit që vjen nga zilia ekziston mundësia ta shtojmë atë kur fillojmë me krahasime qoftë me vëllezërit e tij, qoftë me fëmijë të tjerë të njohur. Krahasimet gjithnjë dëmtojnë dhe kurrë nuk ndihmojnë. Është e padrejtë, sepse është ligj, të pangjashmet nuk krahasohen dhe femijët nuk janë të ngjashëm, janë personalitete të ndryshmë dhe secili ka vulën e vet. Inatin që vjen nga zilia do ta përballojmë me indiferentizëm të gërshetuar me dashuri. Kjo ndodh shpesh tek fëmijët që janë të vetëm kur ndjejnë ardhjen e një fëmije të dytë në familje.
Le të shohim rastin kur inati vjen nga përkëdhelitë. Fëmija është në qendër të familjes dhe të gjithë merren me të. Nga përkëdhelitë nuk ha mëngjes dhe nuk do të hajë as drekë. Të njëjtën gjë bënë edhe në kopsht duke mos pranuar të hajë bukën që ka me vete. Në këtë rast mësuesja së bashku me nënën duhet të vendosin të mos ta lusin për të ngrënë, por ta lënë deri sa të afrohet vetë, qoftë edhe për disa ditë. Fëmija e kupton se askush nuk merret me të dhe i lë skenat që bënte duke u afruar pak nga pak tek shokët.
Le të shohim tani fëmijën e lënduar nga dramat familjare dhe le të përballemi me inatin e tij. Një fëmi që punon me kënaqësi dhe ka rezultat, kur e pyet për dëshirën e tij, acarohet shumë, bëhet brutal dhe përdor fjalë të rënda. Eshtë e dukshme se është i ndikuar nga ambienti familjar dhe skena të kësaj natyre. Nga biseda me nënën vërtetohet kjo gjë, midis prindërve ka grindje. Si do ta përballojmë këtë situatë? Meqë e njohim problemin do ta përqafojmë fëmijën me dashuri të madhe. Gjatë kohës së krizës do qëndrojmë të qetë pranë tij, qoftë edhe nëse inati i tij është i drejtuar kundër nesh. Kur kriza të ketë kaluar do t’i japim diçka që të merret dhe, kur të bindemi se femija është i kënaqur, do rikthehemi në procesin e edukimit ku me një këshillë ose mendim do ta ndihmojmë të rregullohet.
Bazë kryesore për zhvillimin normal janë këshillat e prindërve, ndryshe divergjenca midis tyre është në gjendje të krijojë edhe një mungesë sigurie që është edhe një arsye më shumë për inatin e tij. Kur ekziston drama familjare prindërit, të paktën, le të respektojnë njëri-tjetrin dhe le të mos thonë fjalë fyese. Plagosja e fëmijës është shumë e madhe kur sheh njerëzit e tij të dashur të jenë armiq midis tyre.
Ky lloj inati që vjen nga mungesa e sigurisë kërkon që t’i sigurojmë fëmijës qetësinë, besimin, sigurinë. Padurimi, ndryshimi i papritur i tonit, (ndryshim i përkëdhelive dhe qortimet), takti dhe mungesa e papritur e prindërve krijojnë tronditje në shpirtin e fëmijës, i cili reagon duke shkuar pas nënës ose babait. Ndjenja e sigurisë vendoset me ruajtjen e premtimeve tona, qoftë me shpërblim moral, qoftë me dënime. Eshtë e palejushme ajo që u thuhet fëmijëve: “Po iki, por do kthehem shpejt” ndërsa, realisht, do vonohemi. Eshtë mirë kur fëmija mëson të llogarisë mbi fjalën tonë.
Le të mos helmojmë shpirtin e fëmijës me dyshime, se kështu do mësojë edhe ai, pa vështirësi, të mbajë fjalën e tij dhe nesër do kemi një qytetar të ndershëm, ndryshe do formojmë një karakter tekanjoz dhe inatçi. Për këtë gjë shumë bukur shkruan Odier: “Krijimi dhe rritja e sigurisë është i vetmi ligj për prindërit dhe mësuesit”. …
Përktheu Nafsika Melo