EmailFacebookKontakt

In memoriam për Hirësi Ilian

Një lajm i trishtueshëm preku thellë shpirtin e shumë njerëzve këtej dhe përtej oqeanit, lajmi i kalimit në jetën e pasosur të Imzot Ilia Katre, Mitropolit i Filomilit, episkopit të Asamblesë Episkopale Kanonike të Amerikës, si përfaqësues i diasporës shqiptare të Amerikës dhe Kanadasë. E dimë që vdekja është mbi fuqinë njerëzore dhe jashtë dëshirës së njeriut, por lajmi i papritur na pikëlloi.

Çfarë mund të na ngushëllojë? Shpresa jonë te Ngjallja, te Zoti që u Ngjall prej së vdekurish dhe që iu shfaq dishepujve të Tij dhe shumë njerëzve (shih I Kor. 15). Te Ngjallja me të cilën qëndron besimi i krishterë (I. Kor. 15; 13–14), që Hirësi Ilia predikoi me jetën dhe veprën e tij.

Hirësi Ilia ndërroi jetë në ditën që kujtojmë martirizimin e Apostull Thomait, 6 Tetor, ai i cili u bind te Ngjallja e Krishtit, duke pohuar Krishtin e Ngjallur (shih Jn. 20:28). Nuk mund të jetë rastësi largimi i tij në këtë ditë, sepse pikërisht jeta e Hirësi Ilias në gradën e episkopit nisi me dorëzimin e tij kryepriftëror të Dielën e Shën Thomait, në vitin 2002. Por për më shumë se një gjysmë shekulli ai i shërbeu me devotshmëri Krishtit dhe Kishës, tek niste rrugëtimin e tij si klerik në vitin 1961. Nuk janë vetëm vitet ato që vlerësojnë jetën e tij, por gjurmët që ka lënë në misionin e tij të shenjtë të ruajtjes, dëshmisë së besimit Orthodhoks, të kulturës së gjerë që zotëronte, të gjuhës amtare shqipe dhe të respektimit të rrënjëve të tij, të trashëgimisë së pasur, që iu rezervoi besimtarëve dhe njerëzve vullnetmirë kudo. Ai shërbeu pa u lodhur kudo, pavarësisht moshës, duke dhënë gjithçka për lavdi të Perëndisë tonë Jisu Krisht dhe të Kishës, duke ngritur Kryqin përgjatë viteve të jetës së tij.

Ai mori përgjegjësinë e drejtimit të Seminarit Teologjik për formimin e kuadrit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë me bekimin e Ekzarkut Patriarkal, Imzot Anastasit, në vitin 1992. Në vitin 2003 u caktua Dekan i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, duke drejtuar institucionin më të lartë akademik për formimin e klerit dhe të laikëve teologë, një përgjegjësi që e konkretizoi me një nivel të lartë për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë deri në vitin 2007. Përgjatë këtyre viteve, i dha hov cilësor strukturës akademike, kurrikulës së saj, si dhe dëshmisë në shumë fusha. Vlen të theksojmë këtu temat e dialogut ndër të krishterë dhe ndërfetar me institucionet e ndryshme, duke dëshmuar kulturën orthodhokse. Kjo edhe për shkak të përvojës së tij si përfaqësues i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në komisionin teologjik ndërmjet Kishave Orthodhokse dhe Kishës Romano-Katolike dhe Kishës Anglikane.

Me bisedat e tij, tek hapte tema aktuale, dilte në pah fryma mirëkuptuese dhe respekti dialogues si dhe kultura e thellë teologjike. Në ato pak vite të shërbimit të tij, dha një kontribut të paçmuar dhe të painteres për pedagogët dhe studentët. Për mua, për kolegët pedagogë dhe ish-studentët e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash, Durrës, ka lënë mbresa të pashlyera. Kam pasur nderin dhe privilegjin të dëgjoja, të mësoja nga përvoja e tij shpirtërore. Hirësia ishte shembull i një bariu shpirtëror të përkryer, një edukator, prind dhe mik i pedagogëve e studentëve, i cili ka lënë gjurmë thellë në ndërgjegjen e atyre që e njohën dhe bashkëpunuan me të. Me moralin e një hierarku si dhe dhembshurinë atërore, me këshillat e tij të vyera dhe përvojën, nuk kursehej t’i shprehte kudo që mori pjesë, qoftë në momente gëzimi, në ngjarje të ndryshme të pedagogëve dhe studentëve, qoftë dhe në sfida me gjithë bashkëpunëtorët e tij. Përjetoi sfidën dhe ngazëllimin e studentëve dhe besimtarëve kudo nëpër Shqipëri, sepse karakterizohej nga thjeshtësia, përulësia dhe shpirtgjerësia, duke rrezatuar hir që thërret në unitet, me një frymë paqësore, me një karakter më shumë se miqësor dhe tejet popullor. Ndau me gjithë njerëzit besimtarë dhe të njohur të ndryshëm zellin e tij, shembullin për t’i shërbyer Zotit dhe njerëzve, Kishës në Shqipëri dhe kudo në botë, duke nxitur vullnetin e shërbimit dhe përkushtimit. Ndër vizitat e ndryshme pastorale së bashku me pedagogët dhe studentët, nëpër pelegrinazhe të ndryshme kudo në Shqipëri, shfaqte dashurinë për Kishën, për kulturën, për traditat dhe frymën e atdhedashurisë dhe respektin për figurat patriotike. Shquhej për një mendje pjellore në mendime dhe veprime praktike ndërtuese, për një mënyrë pedagogjike dhe metodologji mendimi si dhe për fuqinë bindëse të fjalës së tij.

Mund të flitej shumë më tepër për të, për virtytet dhe shpirtbujarinë e tij. Megjithatë, imazhi i një ikone të gjallë do të mbetet në kujtesën tonë, si një njeri me shumë virtyte të perëndishme dhe të pëlqyeshme prej Zotit, duke i shërbyer vreshtit të Tij dhe tani shkon për t’u drejtësuar përballë altarit qiellor, i kurorëzuar me mirësinë, butësinë e fjalëve dhe veprave të mira.

Prandaj shprehem ashtu si me të Urtin Solomon se: “…të drejtët jetojnë gjithmonë, shpërblimi i tyre është në dorën e Zotit, i Tejetlarti përkujdeset për ta. Prandaj dhe do ta marrin kurorën e lavdisë… e djathta e tij do ta mbulojë dhe krahu i tij do ta mbrojë” (Urtësia e Solomonit 5; 15-16).

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

Dh. Qosja