Një nga tiparet më dalluese të kishave tona është edhe ikonostasi. Ai është pajisja e parë pas mbarimit të ndërtesës, ku vendosen ikonat, duke u dhënë mundësi besimtarëve të përqendrohen në lutje. Duke parë këtë rëndësi parësore, është e nevojshme të shpejtohet në plotësimin me ikonostase të shumë kishave që tashmë kanë mbaruar. (Vetëm kishat me parafabrikat janë ardhur së bashku me ikonostasë të gatshëm, dhuratë nga firma prodhuese).
Për të përballuar këto probleme, me bekimin e Kryepiskopit Anastas, Zyra e Shërbimit Teknik e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë iu vu kërkimit dhe testimit të gdhendësve të drurit. Dihet, se vendi ynë ka pasur një traditë të shkëlqyer në gdhendje të tilla për kishat, por që u humb pothuaj tërësisht në vitet e territ ateist. Kështu, deri tani janë seleksionuar 3 gdhendës, që kanë një përvojë të gjatë në gdhendjen e drurit dhe që paraqitën kampionë të mirë të punës së tyre. Të tillë janë Jovan Ceka nga Durrësi, i cili tani po punon për ikonostaset e Divjakës e Kavajës; Ziso Musha nga Portëza e Fierit, që ka gdhendur ikonostasin e Patosit e tani punon për të Pogradecit dhe Sotiraq Basho dhe i biri Iliri nga Pogradeci, të cilët kanë përfunduar ikonostasin e kishës së Manastirit të Shën Vlashit.
Përveç ikonostaseve prej druri, janë realizuar të tillë edhe me mermer të gdhendur apo imitacion. Këtu duhet përmendur Taqo Mio nga Tirana, pedagog në Artet e Bukura, i cili ka punuar në shumë kisha, për të bërë korniza, kapitele, parmakë etj. Në punën e tij veçohet aftësia në përgatitjen e imitimit të mermerit të gdhendur (çimento e bardhë me pluhur mermeri), teknikë me të cilën ka realizuar ikonostase të ulët, si në katin përdhes të Katedraleve së Korçës e Pogradecit, pagëzimoren e Katedrales së Ungjillëzimit, në katin përdhes të kishës së Shën Vlashit, si dhe në Paraklisin në kompleksin e Kishës së Kavajës. Tjetër gdhendës, është edhe Vasil Nasto nga Saranda, që po përgatit të gdhendur në mermer ikonostasin e Kishës së Këlcyrës. Rrjedhimisht, si rezultat i punës përzgjedhëse, pak nga pak po krijohet mundësia për pajisjen e gjithë kishave me ikonostase, gjithmonë edhe me pjesëmarrjen e besimtarëve të çdo kishe.
Për arsye donacioni apo për punë speciale, Zyra Teknike ka lidhje edhe me bërës ikonostasesh druri në Janinë, si dhe me një qendër për ikonostase në mermer në Tino. Të tilla janë ikonostaset prej druri të vendosura në Katedralen e Ungjillëzimit në Tiranë dhe Kishën e Shën Gjergjit në Durrës apo ikonostasi prej mermeri i kishës së Delvinës. Por, duhet thënë, puna e teknikëve tanë të drurit ka të njëjtën cilësi dhe për më tepër, janë punime të kryera vetëm me gdhendje dore (ndërsa në punishtet greke pjesa më e madhe e punës bëhet me makina dhe mbarohet me dorë).
Tani synohet specializimi i gdhendësve, që të sigurohet e ardhmja e punës, por edhe të ringjallet tradita e madhe e gdhendjeve me temë fetare, e cila duhet studiuar me vëmendje edhe për restaurimin e ruajtjen e atyre vlerave që mbetën pa u shkatërruar.
Në foto: Pamje e pjesshme e ikonostasit të Kishës së Shën Vlashit.
Në foto: Ikonostasi i Kishës së Ungjillëzimit Tiranë.