Poshnja është një fshat në hyrje të Beratit, e cila dallohet për të veçantën që ka, si për bukurinë që i ka falur Perëndia këtij vendi të bekuar dhe për njerëzit e besës e të fesë.
Këtu, mbi një bregore, kujtdo i kap syri disa qiparisë dhe një kambanore, që qëndron si e menduar mbi rrënojën e gurtë. Atje, para 30 vjetësh, ngrihej Shën Pjetri. Pikërisht në këtë tempull, strehë të Perëndisë, shërbyen një brez klerikësh: Papa Jani, Papa Thomai dhe i fundit Ikonom Josif Ziu, për të cilin do të shkruaj.
Papa Josifi lindi në vitin 1897, në një familje bujku, djep që kishte përkundur breza të ndemar, fisnikë, të thjeshtë e besimtarë.
Fillimisht mbaroi qindikon në Berat, me rezultate të shkëlqyera, duke qëndruar pranë familjes së Ali Ndrios (Baboçi), në Goricë.
Si kreu shkollën greke, shkoi në Elbasan, ku përfundoi atje Normalen, një nga vatrat e dritës në Shqipëri.
Emërohet mësues në zonën e Skraparit, më pas në Kolonjë, Marinëz, Perondi – Drenovicë, pra gati për 20 vjet ai dha mësimin e gjuhës shqipe me aftësi të veçanta profesionale.
Në vitin 1945 papa Thoma Kumarakut, që shërbente në Kishën e Shën Petrit, në Poshnjë, vitet e pleqërisë dhe sëmundja ia kishin bërë të pamundur shërbesën në kishë.
Ishin poshnjarakët që e ngacmuan dhe trokitën në zemrën e intelektualit Josif, që ishte njëkohësisht edhe zëri i besimtarëve të Myzeqesë së Vogël.
Pasi qëndroi 2-3 muaj në Manastirin e Shën Vlashit, të Vlorës, hirotoniset nga Fortlumturia e Tij Kristofor Kisi dhe dorëzohet më pas prift në kishën e Shën Petrit, në Poshnjë.
Priftëresha Dhoksi, kur erdhi në shtëpi nga Vlora i veshur prift, i nxori tek pragu i portës një stagon me ajazëm, ku kishte brenda kryqin dhe unazën e floririt. Si simbol mbarësie.
Papa Josifi ishte një burrë me trup mesatar, me një fytyrë brune e me një ball fisnik. Rasoja sikur shenjtëronte edhe më shumë trupin e shpirtin kristian.
Kultura dhe horizonti i tij bënë që ai të gëzonte respektin e një kleriku të përkushtuar si shërbëtor i Zotit.
Papa Josifi diti të arkivonte shumë mirë nga ana administrative të gjitha shërbesat: pagëzimet, vënien e kurorës, vdekjet, si dhe kremtimet e datave të shënuara, nëpërmjet ditarit personal, të cilin e mbajti për 20 vjet, derisa Perëndia e denjësoi Ikonom.
Në vitin 1966, viti i reformës antikishtare e gjeti të shtruar në një spital të Tiranës.
Kur vajti për ta nxjerrë i biri, Gaqi i çoi rrobat civile.
“Kjo rrobë që po heq ishte zëri i Perëndisë dhe rrobat që më solle paçin udhën e Zotit. Ai duhet të më marrë siç desha, duhet të më ketë pranë” – foli i përlotur.
At ikonom Josifi jetoi dhe 14 vjet më pas dhe si gjithmonë i nderuar dhe i respektuar, sepse ai me Qalën e tij të ëmbël, me urtësinë e mençurinë kristiane ishte model i një intelektuali të kohës, i thjeshtësisë dhe i komunikimit vëllazëror njerëzor.
Me këto tipare ai zinte një vend nderi në çdo kuvend të burrave. Fjala e tij ishte sa e matur po aq dhe e bekuar. Të gjithë e besonin se fliste në emër të Zotit.
Vdiq në vitin 1982, duke lënë emër të nderuar e të respektuar jo vetëm në trevat ku shërbeu, por dhe në kulturën e krishterë të vendit tonë, si njeri i përkushtuar i Fjalës së Perëndisë.
Sotiraq Mishaxhi
Berat