Me rastin e 20-vjetorit të vdekjes
Lindur më 1896, në katundin Zhuke të rrethit të Vlorës, nga një familje orthodhokse patriote, që e ndjente domosdoshmërinë e arsimimit të brezit të ri për interesat e Atdheut, ndaj bëri të mundur për Aleksin vazhdimin e studimeve të para në gjuhën greke në Berat, ku mbaroi shumë mirë për 5-6 vjet shkollën fillore.
Përkrahu pa rezerva Qeverinë e Imzot Nolit, duke u shquar për atdhedashuri e ndjenja demokratike. Më pas, u krijuan kushtet që të bëhej prift, mbasi kishte fituar edhe si autodidakt kulturën e mjaftueshme për atë kohë dhe u caktua në famullinë e 3 fshatrave të Myzeqesë së Vlorës. Më pas, duke qenë në një gjendje të vështirë ekonomike, u rikthye familjarisht në fshatin e lindjes, i ndihmuar nga bashkëfshatarët.
Duke punuar me ndershmëri dhe devotshmëri që e karakterizonte në kryerjen e detyrës si prift, fitoi besimin e njerëzve. Përdorte shqipen në ritet fetare, si në kishë ashtu dhe në raste pagëzimesh, martesash dhe vdekjesh etj.
Mbas 12 vjetësh shërbimi në fshat, Kryepiskopi i asaj kohe, Imzot Visarioni, e riktheu në qytetin e Vlorës, si prift në kishën e Shën Todrit. Më pas, Kryepiskopata e ngarkoi me detyrën administrative në Dioqezën e tij, ndërsa Imzot Paisi i dha gradën Ikonom, detyrë të cilën e kreu më së miri, duke fituar dashurinë e respektin e të gjithë besimtarëve dhe popullit të Vlorës. Duke i qëndruar besnik me fanatizëm misionit të shenjtë, të cilit i qe kushtuar me devotshmëri për 36-37 vjet, me pasion e besim te Zoti, me gjithë paralajmërimet dhe presionet e vazhdueshme nga organet e partisë dhe pushtetit të asaj kohe, ai rezistoi, duke u mbyllur në shtëpinë e vet për një kohë të gjatë, se heqjen e mjekrrës në mënyrë të imponuar e konsideronte “tradhti ndaj Zotit Krisht”.
Dashurinë që ushqenin besimtarët dhe gjithë qytetarët e tjerë ndaj Ikonom Aleksit e tregoi edhe pjesëmarrja e shumtë në varrimin e tij, më 12.1.1976.