Veprimtaria e të 12 Apostujve të Shenjtë, për të cilën ata qenë përgatitur prej Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Iisu Krisht, gjatë periudhës 3-vjeçare që ndenjën bashkë dhe sidomos, me zbritjen e Shpirtit të Shenjtë ditën e Pendikostisë, ka qenë një veprimtari e habitshme, me të cilën nuk mund të krahasohet asnjë veprimtari njerëzore.
Apostujt qenë ndeshur me një shoqëri, e cila, siç e përshkruajnë historianët dhe filozofët e asaj kohe, si edhe Apostull Pavli në letrën e tij drejtuar romakëve (Kap.I), ishte një shoqëri e mbytur prej shekujsh në paganizëm, në idhujtari, në supersticione dhe besime të kota, në rënie dhe dekadencë morale të rëndë.
Në një kohë të tillë, pra, vepruan Apostujt e Shenjtë; peshkuan shpirtra, ngritën njerëz në lartësitë e moralit dhe të fesë dhe, nëpërmjet këtyre, ndihmuan vetë shoqërinë të jetojë në një mjedis të ri, në një jetë të re; krijuan një shoqëri të re, shoqërinë e krishterë, kishën e krishterë.
Dhe kush e ngriti këtë shoqëri, këtë Kishë? Peshkatarët e thjeshtë dhe të paditur të Galilesë. A nuk është kjo një mrekulli e habitshme? A nuk është kjo, siç thotë Shën Joan Gojarti, një nga provat më të shkëlqyera të prejardhjes hyjnore të Krishtërimit, i cili fitoi dhe triumfoi me mjete të tillë, me të cilat kushdo tjetër kish për të dështuar.
Në historinë e Krishtërimit, Apostujt e Shenjtë përbëjnë një kapitull të veçantë. Ata janë ikonat e gjalla të Krishtit, janë gurët e themelit të ndërtesës hyjnore, që është Kisha, janë shtyllat e saj të larta gjer në qiell. Madje dhe kundërshtarët e Krishtërimit, kur gjykojnë jo me anshmëri, qëndrojnë me admirim para figurave të tyre.
Dikush mund të thotë: Po. Apostujt e shenjtë qenë burra të mëdhenj, heronj shpirtërorë. Veprimtaria e tyre është e habitshme! Por, të gjitha këto kanë qenë “në atë kohë”, kanë qenë dikur. Sot, a kemi njerëz të tillë?
Natyrisht, një Shën Petër i ri apo një Shën Pavël i ri, i njëjtë me atë që ka qenë këtu e afro dymijë vjet përpara, nuk mund të riparaqitet në histori. Por, ama, ka nxënës të tyre, vazhdues të tyre, që, me jetën dhe veprimtarinë e tyre, të përafërt me atë të apostujve të shenjtë, të cilët kanë kulme të larta virtyti, janë shfaqur dhe shfaqen herë pas here në horizontin shpirtëror të Kishës së Krishterë.
Historia e krishterë na paraqet, sidomos në personin e barinjve dhe mësuesve të mëdhenj të Kishës, shumë karakteristika të jetës dhe veprimtarisë apostolike; shumë figura kishtare që kanë luftuar dhe janë përpjekur të arrijnë ata, të bëhen shembuj të gjallë e të lartë virtyti e besimi, të tregohen ikona të vërteta apostolike, të japin prova të gjalla që si në kohën e apostujve, edhe në kohën e tyre, Krishti iron, fiton e mbretëron.
Nga kjo pikëpamje, pra, mund të quhen apostuj të rinj gjithë ata që ndjekin shembullin e të dymbëdhjetë apostujve. Barabar me apostujt, a nuk emërtohet në kishën tonë Shën Thanasi i madh, për luftën që ka bërë për të mbrojtur besën Orthodhokse? Apostull të ri a nuk quan Kisha Shën Joan Gojartin, atë gojë të artë nëpërmjet së cilës fliste apostull Pavli? Barabar me apostujt a nuk quan Kisha jonë gjithë ata burra dhe gra, të cilët, duke ngritur kryqin e tyre sipas shembullit të të dymbëdhjetë apostujve, vepruan e u martirizuan për Krishtin dhe për krishtërimin? Isapostull quhet nga kisha Shën Joan Vladimiri i Elbasanit, që festohet më 4 qershor. Isapostull quhet edhe Shën Kozmai, i cili, si një apostull i ri, shëtiti vend më vend e hapte shkolla dhe ngrinte Kisha, duke predikuar Krishtin gjatë pushtimit osman të vendit tonë.
Po, a ka pasur edhe në kohën tonë frymë apostolike, apostuj të rinj. Dhe përgjigjemi: Po, ka pasur! Por për këtë do të shkruajmë një herë tjetër.
Dhimitër Beduli