EmailFacebookKontakt

Ikona e Lindjes së Krishtit

Pamja e Lindjes së Krishtit përbën një nga ikonat kryesore të Dodekaortit.

Tipi ikonografik u bë i tillë që të sinopsizojë teologjinë e Lindjes, duke e veshur me një formë të përsosur estetike. Pamja pasqyrohet në mënyrë antirealiste dhe simbolike, duke kompozuar elementë të realitetit historik me elementë shpirtërorë dhe diakronikë. Mali, Shpella, Grazhdi, kafshët, bashkegzistojnë me fushën e artë, që është hapësira shpirtërore e qiellit. Kështu, ikona menjëherë paraqet sintezën e tokësores dhe qiellores, njerëzores dhe hyjnores.

Të gjitha figurat e ikonës kanë kuptim dhe simbolikë të veçantë. Lindja vendoset brenda shpellës, element që nuk vjen nga Ungjijtë, por nga tradita. Ngjyra e errët e shpellës simbolizon edhe Ferrin, që do ta ndriçojë Krishti me Ngjalljen e Tij, por edhe errësirën e botës parakristiane, në të cilën do të shkëlqejë drita e hareshme, shpëtimtare (Mat 4:16).

Krishti paraqitet si foshnjë në pelena. Këtu ikona ndjek besnikërisht rrëfimin e Ungjillit ” e mbështolli në shpërgënj (pelena) dhe e vuri në një grazhd” (Lluk. 2.7). Pelenat e foshnjës janë të njëjta me savanet e vdekjes që ndeshim te Llazari i ngjallur ose në ” Varrin bosh” të ngjalljes së Krishtit dhe simbolizojnë zbrasjen e Hyjnisë në natyrën njerëzore.

Vendi i të Tërëshenjtës është vital në ikonë, duke treguar në këtë mënyrë rolin e saj në veprën e Shpëtimit. Jepet në lidhje të drejtpërdrejtë me Foshnjën Hyjnore, por ruan një farë distance nga Ai, që e dikton njohja e Hyjnisë së Tij. Fytyra e saj e gëzuar dhe e kënaqur tregon se lindi pa dhimbje, ashtu siç e konceptoi mbinatyrshëm.

Brenda në Shpellë nuk ka tjetër figurë veç Nënës dhe Foshnjës. Vetëm të dy kafshët kujtojnë fjalët e profetit Isaia për Hebrenjtë: ” Kam njohur zotëri të zotin e vet dhe gomari grazhdin e pronarit të vet. Por Izraeli nuk më njohu dhe populli im nuk tregoi mirëkuptim” (Isai 1,3)

Josifi qëndron jashtë dhe disi larg nga Shpella. Me këtë mënyrë piktura bizantine manifeston besimin themelor të Kishës, për Lindjen e mbinatyrshme të Krishtit. Josifi është vetëm i fejuar dhe mbrojtës i familjes Hyjnore. Përkundrazi, piktura e Rilindjes ngaqë nuk interesohej për shprehjen teologjike të ikonës, vendosi Josifin të gjunjëzuar brenda në stallë në sintezë me të Tërëshenjtën, duke e barazuar nga ana e pikturimit me Hyjlindësen dhe pa dalluar ndryshimin kaotik në lidhjen Hyjlindëse-Iisu dhe Josif-Iisu.

Në ikonën autentike orthodhokse Josifi rri i menduar. Ky qëndrim lë të nënkuptohet dyshimet që duket se ka akoma. Në disa ikona, përpara Josifit qëndron dhe bashkëbisedon një bari, zakonisht plak dhe i shëmtuar. Ky simbolizon djallin, i cili i transformuar në bari duke u përpjekur të fusë Josifin në ngasje duke i treguar shkopin plot nyje dhe duke i thirrë në mënyrë ironike se nëse nga ky shkop i tharë do të çelë gjethe edhe degë atëherë do të mund të lindë fëmijë një vajzë e pacënuar (virgjëreshë). Ndaj edhe në disa ikona shkopi i bariut pikturohet i çelur.

Përfshirja e dyshimeve të Josifit në ikonën e Lindjes, ka karakter didaktik: Në figurën e shenjtë të Josifit ikona rrëfen një dramë botërore, që prodhohet përgjatë gjithë shekujve. Misteri i Ungjillit i drejtohet besimit dhe ndesh si pengesë dyshimet e njerëzve: Qëndrimi i menduar dhe i rezervuar i Josifit tregon nje njeri që u gjend në ngjarje cila qëndron përtej mundësive të tija, por që nuk i mungon dashuria dhe predispozicioni i besimit.

Barinjtë, njerëz zemërhapur, mirëdashës, paqësorë, marrim me çudi, por edhe gëzim mesazhin e ardhjes së Mesisë, duke përfaqësuar pjesën e mirë të izraelitëve të vërtetë, që dëgjuan lajmin e mirë të Shpëtimit dhe e pranuan menjëherë.

Ndërsa barinjtë janë njerëzit e thjeshtë, Maget janë të urtë, të mençur dhe të lexuar, por që dijet e tyre nuk përbëjnë pengesë që t’i falen Logos (Fjalës) së trupëzuar. Prandaj dhe agjografia rkushton rëndësi të madhe pranisë së tyre. Me veshjet e tyre të ndritshme dhe të çuditshëm, herë këmbësorë dhe herë kalorës ata pasqyrohen shpesh në dy a tre skema të njëpasnjëshme. Maget janë kërkuesat, që rrëfilen për të gjetur të vërtetën jashtë nga hapësira e Izraelit dhe përfaqësojnë të gjithë sa kërkojnë të Vërtetën dhe që përmes shtigjeve të përkoklavitura të mendimit, duke ndjekur yllin e shtysës së tyre të brendshme arrijnë në një moment me përulësi në thjeshtësinë e grazhdit. Atje japin dhuratat e mundit të tyre shpirtëror dhe i falen së Vërtetës së Trupëzuar.

Engjejt, fisnikë dhe madhështorë, me veshjet e tyre të lashta, në qëndrime dhe lëvizje që tregojnë respektin ndaj Foshnjës, u komunikojnë barinjve ngjarjen e madhe, që do të përbëjë epokë në historinë e njerëzimit. Por edhe kur përkulen, për të shprehur respektin e tyre nuk pikturohen brenda në shpellë, por qëndrojnë jashtë, me qëllim që të theksohet pa pengim dhe pa fragmentizim tema qendrore: Perëndia dhe Krijuesi që u trupëzua, si edhe e Tërëshenjta Nënë e Tij, shërbyesja e misterit Hyjnor.

I gjithë kompozimi mbyllet edhe me një episod tjetër: banja e parë e Foshnjes. Sigurisht që Krishti nuk kishte nevojë pastrimi, por theksohet me këtë skenë të gëzuar, familjare, edhe një herë tjetër, natyra njerëzore e Zotit.

Elementët ikonografike që u shënuan më sipër, sigurisht nuk do të mjaftonin të përcillnin saktë mesazhin, nëse nuk do të kishin formën e duhur estetike. Kompozimi i lirë, që nuk përcaktohet nga ligjet gjeometrike të perspektivës, efektshmëria e ngjyrave, ndriçimi i brendshëm, ngjyra e pastër, janë mjetet e pikturimit, që e bëjnë pamjen më zbuluese. Ngjyrë, plan, kompozim bëhet Teologji. Kjo është arritja e madhe e pikturës bizantine; arriti të shfaqë me ngjyra dhe forma trupëzimi në dimensionimin teologjik shpëtimtar dhe pa na privuar gëzimin estetik që lind nga arti i madh, arriti ta bëjë ikonën portë hyrjeje në misterin që vështrojmë me ngazëllim dhe lavdërim.

Përgatiti M.M.