Kur u ktheva nga studimet e mia teologjike në Selanik dhe u dorëzova prift, i ndieri Patriarku Ignat IV më zgjodhi të ndihmoja në zyrën e tij, të ndiqja korrespondencën që vinte nga kishat motra. Gjithmonë më bënte përshtypje gëzimi që shfaqej në fytyrën e Patriarkut Ignat Hazim sa herë që merrnim një letër nga Fortlumturia e Tij, i ndjeri Anastas. Ato letra, ose përshëndetje, do të qëndronin në tryezën e tij për një kohë të gjatë. Në një rast, e pyeta për arsyen e kësaj sjelljeje, dhe ai u përgjigj se kënaqej duke lexuar mendimet dhe teologjinë e Fortlumturisë së Tij Anastas. Kjo më hapi një derë të gjerë për të mësuar rreth shkrimeve të kësaj shtylle të madhe të besimit, veçanërisht meqë ne, si studentë në Universitetin e Selanikut, nuk kishim studiuar shkrimet e tij mbi Islamin, fushën në të cilën ai shkëlqeu dhe të cilën e mësonte në Universitetin e Athinës. Me kalimin e ditëve, Patriarku Ignat më tregoi për marrëdhënien e thellë që kishte me Anastasin, që datonte që nga ditët e Lidhjes Rinore Orthodhokse “Syndesmos”, të cilën këto dy figura të nderuara e udhëhoqën me radhë, dhe më vonë përmes takimeve të tyre të shpeshta si krerë të dy kishave të mëdha, në mbledhjet panorthodhokse të mbajtura për të përgatitur sinodin në Kretë. Pas takimeve të mia të shumta me të ndierin Kryepiskop Anastas, fillova të vëreja ngjashmëritë e habitshme midis këtyre dy figurave në shumë aspekte; Të dy dalloheshin nga një dashuri e thellë për Kishën, një dashuri e përkthyer në dashuri praktike për fqinjin, për gjithë njerëzimin. Sa projekte humanitare themeluan ata në Kishën e Krishtit, në Shqipëri dhe Antioki, duke i lënë si fenerë të ndritshëm për gjithë botën! Këtu qëndron mishërimi i fjalëve të shën Ignatit të Antiokisë: “Aty ku është Episkopi, aty është komuniteti; dhe aty ku është komuniteti, aty është Kisha”. Këto dy figura të larta, të veshura me përulësi, e dëshmuan këtë të vërtetë jo me fjalë, por me praninë, shërbimin dhe vetëmohimin e tyre. Ajo që gjithashtu i bashkonte ishte dashuria e tyre për dijen dhe shkencën, dhe besimi i tyre i thellë se ndërtimi i një besimtari të vërtetë fillon me edukim të shëndoshë dhe të ekuilibruar. Prandaj, të dy morën nismën të themelonin institucione arsimore, nga çerdhet te shkollat, universitetet, madje edhe spitalet më të rëndësishme në dy vendet që shërbyen. Sot, këto institucione janë bërë qendra ndikimi kulturor dhe humanitar për të gjithë ata që i vizitojnë ose mësojnë rreth tyre. Një nga aspektet më të spikatura të karrierave të tyre është si secili prej tyre u ngjit në fronin e primatit, të cilit i shërbyen për mbi tri dekada. Patriarku Ignat trashëgoi një kishë që vuante nga varfëria e rëndë dhe mosmarrëveshje të kahershme midis udhëheqësve kishtarë, ndërsa Anastasi trashëgoi një kishë pothuajse të zhveshur si në burime ashtu edhe në fuqi njerëzor. Asnjëri prej tyre nuk e pati të lehtë të misionin e tij. Por Perëndia, duke punuar përmes hirit të Tij te shenjtorët e Tij, i bëri rrugët e tyre të suksesshme dhe bekoi përpjekjet e tyre, kështu që Kisha u bë e gjallë, e plotë dhe e pasur me institucione dhe mjete praktike. Ata u lanë pasardhësve të tyre një Kishë të lavdishme të aftë të durojë dhe të dëshmojë në këto kohë të vështira që po trondisin gjithë botën. Këtu vijnë në mendje fjalët e Anastasit të urtë: “Besimi i gjallë nuk ruhet thjesht në kujtesë, por ndërtohet në realitet dhe mbahet me veprim dhe sakrificë”. As nuk mund të anashkalojmë kontributet e tyre në edukimin teologjik të klerikëve. Ata themeluan seminare për priftërinj, të cilat më vonë u zhvilluan në kolegje teologjike, dhe inkurajuan studentët e shquar të ndiqnin studime pasuniversitare në universitete Orthodhokse, duke siguruar formimin e një tradite të shëndoshë teologjike dhe duke ruajtur marrëdhënie të shkëlqyera me kishat motra. Për më tepër, prania e tyre e rëndësishme në mbledhjet ekumenike është thelbësore. Ata luajtën një rol kyç në theksimin e identitetit Orthodhoks, si brenda mbledhjeve ndërorthodhokse ashtu edhe në kontekstin më të gjerë ekumenik, veçanërisht përmes udhëheqjes së tyre të Këshillit Botëror të Kishave. Së fundi, falënderoj Perëndinë për bekimet e Tij të shumta, më i çmuari prej të cilave është njohja ime personale dhe e afërt me këta dy gjigantë kishtarë. Lutem për mëshirën e Perëndisë mbi ta dhe kërkoj lutjet e tyre, prej aty ka ata tashmë ndodhen.
† Isaaku
Mitropolit i Gjermanisë dhe Evropës Qendrore