Në datat 7-10 nëntor, Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Prof. Dr. Anastasi, bëri një vizitë në Dioqezën e Korçës. Të premten, 7 nëntor, pas një pritjeje shumë të ngrohtë nga besimtarët orthodhoksë, mjaft prej të cilëve i kishin dalë Kryepiskopit përpara për ta pritur që mjaft larg qytetit, takimi i parë u zhvillua në Mitropoli, me të gjithë klerikët e Dioqezës. Në të, Kryepiskopi foli për unitetin që duhet të ekzistojë në Kishë dhe pastaj u diskutua për problemet e ndryshme të Dioqezës.
Mbasdite Kryepiskopi pati një takim mjaft të bukur me të rinjtë që ndjekin kurset e katekizmit, që kanë ngritur dhe një kor kishtar, i cili këndoi hymne e këngë fetare.
Të shtunën në mëngjes, Kryepiskopi kreu në Kishën e Burimi Jetëdhënës Liturgjinë Hyjnore të së Kremtes së Kryeengjëjve, ku bëri edhe një hirotonisje në dhiak. Më vonë, Fortlumturia e Tij pati një takim të gjatë, në formën e një bashkëbisedimi të ngrohtë me intelektualë orthodhoksë të Korçës, që mbushën sërish plot e përplot Kishën e Burimit Jetëdhënës.
Të dielën në mëngjes Fortlumturia e Tij kreu Meshën në sallën e poshtme të Katedrales së re të Ngjalljes, ku bëri edhe një tjetër hirotonisje në dhiak.
Të hënën, 10 nëntor, pasi vizitoi përkujdesjen ditore për fëmijët të ngritur nga Kisha, Kryepiskopi u largua i përcjellë nga dashuria e besimtarëve korçarë. Gjatë rrugës për Tiranë ai u ndal në disa qytete. Stacioni i parë ishte qyteti me tradita i Pogradecit, ku Fortlumturia e Tij vizitoi Katedralen e re të Ngjalljes dhe Kishën e vjetër, e cila po riparohet. Aty, Kryepiskopi bashkëbisedoi me shumë besimtarë, që u mblodhën menjëherë, sa mësuan mbërritjen e tij dhe pastaj shkoi edhe në përkujdesjen ditore të fëmijëve të hapur nga Kisha.
Më vonë, Kryepiskopi Anastas bëri bekimin e Kishës së Përrenjasit dhe më pas ndaloi në Librazhd, në vendin e marrë për të ndërtuar kishën orthodhokse. Edhe aty Kryepiskopi u rrethua nga besimtarë të shumtë, të cilët e falenderuan nga zemra për këtë dhuratë të Fortlumturisë së Tij për qytetin e tyre.
Korresp. i “Ngjalljes”