– Nga 15-17 shkurt, Kryepiskopi Anastas bëri një vizitë në Dioqezën e Korçës. –
Nga data 15 deri në 17 shkurt, Kryepiskopi Anastas bëri një vizitë të ngjeshur me veprimtari në dioqezën e Korçës. Si gjithmonë, ai u prit me dashuri disa kilometra para qytetit të Korçës, ku kishin dalë dhjetra besimtarë me një numër të madh makinash, për t’i shprehur Kryebariut mirëseardhjen e respektin e tyre të thellë. Rreth orës 13.00, Fortlumturia e Tij zhvilloi një mbledhje me të gjithë klerikët, ku u fol për problemet e ndryshme që ka dioqeza. Më pas, Ai u prit nga grupet e katekizmit të të rinjve, grave e burrave, që bëjnë mësim çdo të shtunë. Në darkë, Kryepiskopi bëri vizita në familje besimtarësh dhe pati një takim të ngrohtë me një grup intelektualësh orthodhoksë, ku u shkëmbyen mendime rreth mbarëvajtjes së Kishës.
Të dielën, 16 shkurt, në mëngjes, në prani të qindra besimtarëve, Kryepiskopi drejtoi Liturgjinë Hyjnore, gjatë së cilës hirotonisi nga dhiak në prift at Kristaq Vison. Liturgjia u krye në pjesën e poshtme të Katedrales së Ngjalljes, e cila ka mbaruar si karabina dhe tashmë ka hyrë në fazën e punimeve plotësuese. Pastaj, Kryepiskopi pati takime me besimtarët, që kërkonin bekimin e tij dhe pas një pushimi të shkurtër, shkoi në fshatin Çiflik, ku ishte prifti i ri, at Kristaqi, ku u prit me dashuri nga besimtarë të shumtë në Kishën e Shën Thomait.
Të hënën, 17 shkurt, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi, pati një takim në godinën e Mitropolisë së Korçës, ku dha porosi rreth përshtatjes së një pjese të ndërtesës në klinikë shëndetësore. Pastaj, Kryepiskopi u largua, i përcjellë nga dashuria dhe respekti i gjithë komunitetit orthodhoks korçar.
Korresp. i “Ngjalljes”