EmailFacebookKontakt

I përkushtuar ndaj fesë, atdheut dhe mendimit të lirë – atë Aleksandër Lipe

Në datën 28 dhjetor 2020, Presidenti Ilir Meta dekoroi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, atë Aleksandër Lipen – i arrestuar, burgosur dhe pushkatuar padrejtësisht nga regjimi diktatorial në vitin 1946.

Me përkushtimin e tij ndaj fesë, atdheut, mendimit të lirë, atë Aleksandër Lipe spikati si kundërshtar i komunistëve ende pa u instaluar ky regjim, ndaj eliminimi i tij u vu menjëherë në agjendën e tyre. Ia arritën qëllimit në korrik të vitit 1946, kur e ekzekutuan dhe e lanë të ekspozuar për të trembur popullsinë.

Në vitet ’30 të shek. XX, kur nisi lufta midis fesë dhe komunistëve se kush do të sundonte shpirtin e njerëzve, atë Aleksandri botoi në revistën fetare “Predikimi” mars-prill 1938 shkrimin me titull “Për ata që adhurojnë materien”. Guximi dhe kuraja e tij sinjalizoi për gjëmën që po vinte dhe paralajmëroi për ateizmin e egër, goditjen e lirisë shpirtërore dhe bashkë me të edhe të lirisë qytetare. Nëpërmjet pyetjes: “A është Krishti komunist?” me një argumentim të bazuar në paravolitë e Zotit Krisht, zbulon falsitetin e komunizmit dhe humnerën që ndan Krishtin nga ideologët ateistë. Me forcën e fjalës argumenton se nuk mund të vendosen në një rang Krishti, Marksi, Lenini, Stalini etj. Ai thekson se: “Krishti është një gur i triqiptë; cilido pra, që përpjek kryet në të, i thyhen; dhe kujtdo që i bie në krye ia thyen”. Ishte kundër autokracisë e diktaturës dhe të ardhmen e Shqipërisë e gjykonte në demokraci. Si kalorës i fjalës së lirë i mëshonte idesë se vetëm demokracia dhe regjimi demokratik do të shpëtojnë popullin nga varfëria, vuajtjet, pabarazia dhe padija. Mbi të gjitha, ishte një prift patriot, teolog, mësues, publicist, demokrat, që kudo falte besim e dashuri, shpresë e mirësi.

Atë Aleksandër Lipe (Asimaq Marksi para hirotinosjes), lindi më 12 janar 1895, në Kaludh të Rrëzës së Përmetit. Fëmijërinë e kaloi në vendlindje, ndërsa në Strëmbec në vitin 1913, përfundoi shkollën plotore në gjuhën greke. Varfëria dhe vdekja e të atit, kur ishte vetëm 17 vjeç e detyruan të emigronte në Greqi. Krahas punës, në vitin 1917 studioi në gjimnazin “Vella” për mësues-prift e më pas edhe në Seminarin Teologjik të Selanikut, që e përfundoi në vitin 1922. Kthehet në atdhe dhe në shtator Mitropolia e Korçës e emëron prift në kishat e Kaludhit e Gjinkarit dhe më pas në Radovë të Leskovikut. Në kishën e Shën Kollit, në Rrëzë, u organizua ceremonia për hirotinosjen e tij prift me emrin Aleksandër. Që nga ajo kohë, prift Asimaqi njihet me emrat; papa Aleksi, atë Aleksi, atë Aleksandri apo edhe emrin e fshatit e të krahinës nga vinte si: Prifti i Kaludhit, Rrëzës, Leusës dhe vite më vonë, kur u emërua zv. Episkop i Përmetit, me emrin Prifti i Përmetit. Kur u titullua prift, veshi rason, vuri kryqin e u betua se do t’i shërbente të Madhit Zot, orthodhoksisë dhe besimtarëve.

Për shkak të përgatitjes së lartë teologjike, korrektësisë, përkushtimit dhe mirësisë, në maj të vitit 1925 u caktua klerik në kishat e Beratit dhe mësues në shkollën teologjike për përgatitjen e klerikëve të rinj. Ndërsa nga pranvera e vitit 1929, në kishat e Leusës dhe të Përmetit. Krahas detyrës si zv. Episkop, organizoi dhe drejtoi korin kishtar dhe grupet e katekizmit, ndërsa nga marsi i vitit 1938 – shkurt 1946 punoi edhe si mësues i lëndës së besimit orthodhoks në shkollën e qytetit.

Leka Tasi
Marrë me shkurtime