EmailFacebookKontakt

I pasuri u bë i varfër…

Përgjunjemi para grazhdit të Vithleemit. Falemi bashkë me barinjtë e varfër dhe me magët e ditur para Mbretit të qiejve dhe të zemrave tona.

Perëndia i tërëfuqishëm “në dorën e të cilit janë të gjitha”, lindet në një grazhd kafshësh, ndehet në një grazhd me kashtë. S’ka asnjë vend tjetër për Perëndinë!

Vijmë në kohën tonë. Kanë kaluar që nga ajo kohë njëzet shekuj. Jemi bërë të pasur, të fortë. Shkenca na verboi sytë. Suksese në të gjithë degët. Që nga mjekësia, gjer te fizika dhe biologjia. Të gjitha në shërbim të njeriut.

U mbushëm me të mira, me të holla, me automobile dhe aeroplanë. U ngjitëm tek planetet.

U pajisëm me njohuri aq të shumta, sa kurrë ndonjëherë s’i ka pasur njeriu.

E mbushëm zemrën me autarki. S’ka mbetur asnjë vend më për Perëndinë! Dhe nëse Ai vjen, e nëse troket në portën tonë, ne nuk e dëgjojmë. Zëri i Tij mbytet dhe shuhet brenda në zhurmën e mekanizmave tona, brenda në fjalët, në fjalët pa mbarim të marrëdhënieve tona publike, dhe brenda nëpër rrugicat e shumta të politikës dhe të diplomacisë sonë. Jemi bërë shumë të pasur në të holla, në dituri, në fjalë….

Dhe Krishti mbeti shumë i varfër. S’të mbetet kohë ta takosh, s’të mbetet kohë ta njohësh! Një foshnje pa rëndësi, e lindur në një grazhd nga një nënë e varfër, në një shpellë të takes. “Duke qenë i pasur, – u bë për ne i varfër”.

Për ta takuar, duhet të bëhesh i varfër. Të mos varesh nga ato që ke. Të mos mbështetesh në asnjë forcë, në asnjë politikë. Se të gjitha këto janë të huaja për ty, sado që të duket sikur nga ato varet jeta jote. Qenia jote është lakuriq, e varfër për Perëndinë. Që ta bësh të pasur, duhet të shohësh lakuriqësinë tënde e të vraposh pranë foshnjës së varfër e të pafuqishme të Vithleemit, që të ngrohesh, që të marrësh pasuri nga varfëria e tij. Perëndia u bë i varfër “… që ne të bëhemi të pasur nga varfëria e Tij”.

B.