Për festimin me sa më shumë madhështi të Krishtlindjes u bë mbledhja e Këshillit të zgjeruar të Kishës nën drejtimin e At Jani Trebickës. Në të ishin ftuar edhe specialistë të fushave të ndryshme për të ndihmuar në organizimin dhe përgatitjen e kësaj feste, ku u zgjodh komisioni që do të merrej me këtë detyrë. Këtij komisioni ju ngarkua zbukurimi i kishave, mbledhja e ndihmave nga sponsorët e shumtë të qytetit, organizimi i koncertit, kombinuar edhe me një spektakël teatral në kino – teatrin “Çajupi” të qytetit. Në këtë mbledhje u vendos që të vazhdohet tradita e javës së orthodhoksisë, mbas festimit të Krishtlindjes, nga 26 deri 30 dhjetor dhe u caktua programi i veprimtarisë.
Për përgatitjen e spektaklit të madh të Krishtlindjes u angazhua Kori i Kishës së Mitropolisë, Kori i fëmijëve të Mitropolisë, orkestra dinjitoze e shkollës së mesme të muzikës “Tefta Tashko”, kori i fëmijëve të kësaj shkolle dhe disa aktorë të teatrit A. Z. Çajupi, si dhe Kori i arumunëve, për vënien në skenë të pjesës teatrale që lidhet me lindjen e Krishtit, “Ylli i Estirit”.
Çdo gjë me afrimin e festës ishte gati. Gjithashtu, tashmë biznesmenë të qytetit tonë me tradita të lashta në orthodhoksi ndihmojnë për kremtimin sa më mirë të festave të tilla madhore të orthodhoksisë.
Koncerti i madh i Krishtlindjes u dha ditën e dielë, datë 22 dhjetor në Kino-Teatrin Çajupi, i cili u vu në dispozicion pa pagesë. U shpërndanë edhe ftesa, por hyrja ishte e lirë. U ftuan të gjitha autoritetet qeveritare lokale nga prefektura, këshilli i rrethit, bashkia, shoqatat, partitë politike, institucionet arsimore, shkollat etj. Pjesëmarrja ishte masive aq sa kinoteatri nuk mund të përballonte numrin e madh të njerëzve. Megjithatë, shfaqja u ndoq me interesim e në qetësi dhe u pëlqye shumë nga spektatorët. Ishin mbresëlënëse këngët kënduar nga koret e drejtuar nga Dhimitër Kondakçiu, Lida Tiko dhe Kristaq Sholla. Dinjitoz u paraqit edhe kori i fëmijëve të shkollës së muzikës, i shoqëruar nga orkestra e harqeve e kësaj shkolle, i dirigjuar nga drejtori i qendrës kulturore, mjeshtri Kostiko Tanto.
Impresionuese dhe mbresëlënëse ishte edhe pjesa teatrale “Ylli i Estirit,” ku rolin kryesor e interpretoi aktorja e teatrit A. Z. Çajupi të qytetit, Natasha Andoni. Për vënien në skenë të kësaj pjese dha një ndihmë të pakursyer aktori Zhani Petro, që kreu detyrën e regjizorit.
Kuptohet që pika kulmore e festimit ishte 25 Dhjetori, kur në të gjitha kishat e qytetit kishte një pjesëmarrje të jashtëzakonshme besimtarësh në Liturgjinë Hyjnore, të cilët morën pjesë në kremtimin e kësaj Dite të Shenjtë, që sjell mesazhin e madh të paqes, dashurisë, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet njerëzve.
Ngjarje tjetër e rëndësishme në kuadrin e festimit të Krishtlindjes ishte edhe “Java e Orthodhoksisë”. Kjo javë u konceptua me tema ditore teologjike nga klerikët, tema nga intelektualët orthodhoksë për problemet që i interesojnë forcimit të kishës, tema nga lidhja e Gruas dhe Rinisë orthodhokse, të shoqëruara me programe artistike kishtare, shfaqje filmash nga vendet e shenjta të krishtërimit, si Jeruzalemi, vendlindja e Krishtit, mali i Sinajit, Mali i Shenjtë etj.
Vlen të përmendim mjaft tema dinjitoze, si shpjegime mbi lindjen e Zotit Krisht, vepra madhore e Kryepiskopit Anastas në ringjalljen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ç’është orthodhoksia, roll negativ i depërtimit të sekteve të ndryshme fetare në Shqipëri, që nuk janë në traditën e këtij vendi. U pëlqye mjaft tema “Muzika bizantine në kishat dhe katedralet e Korçës, si ringjallje e një tradite të hershme”, e cila u shoqërua me muzikë bizantine të kënduar nga kori i Kishës së Profetit Ilia, nën drejtimin e Mjeshtrit të merituar Jorgaq Nano.
Interesante ishin temat nga punonjësit e Muzeut mesjetar, si “Voskopoja, qendër e rëndësishme e kulturës orthodhokse” etj. Tema të tjera ishin ringjallja e Kishës arumune brenda Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ritet fetare në shekuj, bukuria e tyre dhe ripërtëritja e këtyre traditave në dioqezën e Korçës etj.
Thoma Piluri