Motra Argjiro, për mua, ishte “fenomen”, jo aq për njohuritë dhe shkencat e saj, sa për punën e saj, madje pa u shfaqur, gjithmonë në heshtje, në hije – punë për Kishën e Perëndisë, punë që nuk e kishte si maskë të egoizmit të saj.
I jashtëzakonshëm personaliteti i saj i shumanshëm: serioziteti, zgjuarsia, maturia, talentet e saj, dhe kryesisht vullneti i saj sakrifikues, përlulësia e saj. Kurrë nuk e pamë të zemëruar! Motra Argjiro ishte jo argjend, por flori! Për ne në Kryepiskopatë ishte “nëna” jonë, së bashku me të ndjerën Motrën Galini të Manastirit në Karea, Athinë, e cila u largua herët.
Ajo, pra, kujdesej çfarë do të hanim, çfarë do të vishnim etj. Përkujdesej për “familjen”, higjenën dhe rregullin e ndërtesës, drejtonte personelin e shërbimit dhe kujdesej për çdo gjë praktike në Kryepiskopatë. Ajo kishte edhe përgjegjësinë e mikpritjes së vizitorëve dhe të pritjeve zyrtare për Pashkë dhe Krishtlindje. Kryesisht, organizoi Sekretariatin e Kishës, ku e ndihmonin punonjëset e zyrës së saj. Ky Sekretariat përmbante volumin e madh të korrespondencës dhe Arkivin e Kishës. Motra ishte edhe poliglote.
E palodhur për shërbim vinte nga “shtëpia e motrave”, ende pa zbardhur dita, dhe largohej natën vonë. Fillimisht lëvizte me makinën e Kryepiskopatës, deri kur një herë në një rrugicë u ndaluan nga disa keqbërës me armë të cilët kërkuan të zbresin nga makina dhe të lënë çelësat brenda. Kështu ata e morën makinën dhe ikën. Që atëherë, motra nuk pranoi më të lëvizte me makinë, që të mos rrezikohej jeta e shoferit. Në errësirë, në shi dhe në baltë ecte me elektrik dore.
Gjatë periudhës së trazirave, e cila për pak do të përshkallëzohej në luftë civile, ndërsa të gjitha vullnetaret u larguan, ajo qëndroi duke preferuar “të mundohej me popullin e Perëndisë”.
Thuhet se bënte shumë lëmoshë. Unë nuk e kisha vënë re, por nuk kam dyshim për këtë, pasi Krishti kërkon që çdo të mirë ta bëjmë në fshehtësi.
E vlerësonin të gjithë për vetëmohimin e saj për hir të Kishës, kështu që edhe Kisha e mbështeti me shumë respekt dhe dashuri në fundin të saj. Ata dhe ato që u kujdesën për të i shërbyen me gjithë zemër. E meritonte!
Flisnim shpesh dhe sa herë që e pyesnim si ishte, përgjigjej: – “Siç do Perëndia”! Ajo ishte gjithmonë e gëzuar. Sado që ishte njëqindvjeçare, nuk e dëgjuam kurrë të ankohej për ndonjë gjë, edhe pse pleqëria shoqërohet me vështirësi psikologjike. Madje recitonte poezi, psalte dhe kënaqej me komunikim tonë. Të bekuar qofshin sa i shërbyen me gjithë zemër, deri në çastet e saj të fundit.
“Lum të vdekurit që vdesin në Zotin që tani e tutje. Po, thotë Shpirti, që të prehen nga lodhjet e tyre, ndërsa veprat e tyre i shoqërojnë pas”. Pra, “Është e lumur udha, në të cilën ti shkon sot, se të është përgatitur vendi i prehjes”. Kupa qiellore u pasurua me një yll më shumë! Motër e nderuar dhe e dashur, me mëshirën e Perëndisë, mirutakofshim në Mbretërinë e Qiejve! Na prit!
Me mirënjohje, Atë Justin Anthimiadhi.
(20 vjet misionar në Shqipëri) Manastiri i Ngushëllimtarit, Oropo, Athinë, Greqi