E kremtja e Hyrjes në Kishë të Hyjlindëses (21 nëntor) shquhet midis të kremteve të Mëmës së Perëndisë për simbolizmin e saj të pasur, gjë që është aq e dukshme dhe në himnologjinë e së kremtes dhe në ikonografinë e saj.
Tradita e Shenjtë plotësoi heshtjen e Ungjijve rreth jetës së të Tërëshenjtës sonë, dhe na informon lidhur me momente të caktuara të jetës së saj, që frymëzojnë dhe ushqejnë shpresëtarinë e besimtarëve në figurën e saj të Shenjtë. Kështu edhe sot, Kisha ndërpret heshtjen e Shkrimit të Shenjtë dhe na shfaq rrugët e pakuptueshme të Providencës Hyjnore, të cilat parapërgatisin “Nënën e Perëndisë – Fjalë”, të hyjë në të Shenjtët e të Shenjtëve dhe të ngelet aty si thesar i hirshëm dhe në të njëjtën kohë arkë e Lavdisë së Perëndisë.
Siç na informon Tradita e Shenjtë, Joakimi dhe Anna kaluan pothuaj gjithë jetën e tyre pa fëmijë, duke i lutur Zotit të gjithësisë t’u falë fëmijë, duke premtuar njëkohësisht, sepo të arrinin të dëshiruarën, do t’ia kushtonin Atij. Dhe Perëndia denjoi, dhe lindi në mënyrë të çuditshme Ajo, që u bë më vonë ndërmjetësja e Shpëtimit të njerëzve, mbasi u bë e denjë të bëhet Mëmë e Perëndisë.
Kur vajza e tërëmirë u bë 3 vjeç, prindërit e saj e morën dhe e drejtuan për në Kishë, duke plotësuar kështu premtimin e tyre ndaj Perëndisë. Çiftin e hirshëm me dhuratën e tyre të çmuar, të gjallë, e vajza shoqëruan në Kishë vajza të reja, të njohura të familjes së Hirshme duke mbajtur llambadhe të ndezura, ndërsa vashëza ecte gëzueshëm, pa kthyer aspak shikimin prapa te prindërit e saj dhe vatra e tyre.
Në Kishë e Tërëshenjta, u prit nga kryeprifti Zaharia – i ati i Shën Joan Pararendësit dhe Pagëzorit të Krishtit, i cili duke vepruar në mënyrë profetike e vendosi në pjesën më të Shenjtë të Kishës, në të Shenjtat e të Shenjtëve, aty ku vetëm kryeprifti mund të shkonte, edhe ai vetëm një herë në vit.
Mariami e vogël qëndroi aty dymbëdhjetë vjet dhe ushqehej nga Kryeengjëlli Gavriil, me ushqim qiellor, në mënyrë të mrekullueshme. Një nga etërit e Kishës sonë, Shën Jeronimi thotë: “Nëse do të më pyesnin se si jetoi Virgjëresha në Kishë, do të përgjigjesha se atë e di vetëm Perëndia dhe Kryeengjëlli Gavriil, që kishte shërbimin e mbrojtjes së saj.
Ajo për të cilën jemi plotësisht të sigurt është se Shpirti i Shenjtë qëndroi tek ajo që në moshën e saj fëminore duke e përgatitur trupërisht dhe shpirtënsht për t’u bërë më vonë arka e Hyjnisë, një e Shenjtë e vërtetë.”
Ky është, me pak fjalë mesazhi kryesor shpirtëror i së kremtes. E Tërëshenjta nuk hyn në Kishë vetëm për të ofruar me prindërit, dhuratën e saj dhe të drejtojë lutjen falënderuese, si çdo besimtar. Hyn për t’u bërë vetë “dhuratë dhe temjam e re mirë”? Banon në Shenjtëroren e Kishës për t’u bërë më vonë “Banesë e Perëndisë, e kënaqshme dhe e bukur”.
Përlëshorja e Hyrjes së Shën Marisë në Kishë
Sot është paramendimi i mëshirës së Perëndisë, dhe parashenjtja e shpëtimit të njerëzimit; në Tëmplën e Perëndisë, tregohet Virgjëresha madhërisht, edhe Krishti u paralajmëron të gjithëve; asaj edhe ne të t’i thërrasim me zë të madh: Gëzohu, o mbarim i urdhërimit të Krijuesit. (Përkthim i Imzot Fan S. Noli)
E Tërëshenjta me hyrjen dhe qëndrimin e saj në Kishë bëhet “Kisha e gjallë e Mbretit të Madh”, “qielli shpirtëror”. Me përgatitjen e saj në Kishën e Perëndisë, do të bëhet më vonë Kisha e Trupit të Birit të saj.
Ushqehet me bukë qiellore sepse do të lindë Bukën e jetës.
Kështu, Shërbesa e Shenjtë e së Kremtes së Hyrjes në Kishë të Hyjlindëses dhe ikona përkatëse, shërbejnë për një qëllim më të thellë. Udhëheqin besimtarin në Misterin e Trupëzimit të Birit dhe Fjalës së Perëndisë.
Hyrja në Kishë e Hyjlindëses është prologu i pajtimit te Perëndisë dhe njeriut, shpallja e shpëtimit të njerëzimit, paralajmërimi i ardhjes së Krishtit dhe realizimi i planit të Providencës Hyjnore për shpëtimin e botës.
Përgatiti: + M_M