Kuptimi i Predikimit të Krishtit në mal
“Hyni përmes derës së ngushtë”
Nga At Luka Veroni
(vijon nga numri i kaluar)
“Lum ata, që janë të butë; sepse ata do të trashëgojnë dheun” (Matth. 5)
Të “butët” janë të ngjashëm me të “skamurit në shpirt”. Ata janë të përulur, fisnikë, të duruar. Janë njerëz që s’bien në zemërim dhe janë të sjellshëm me të tjerët. Njerëz, të cilët kanë një vetëkontroll të fuqishëm mbi pasionet e tyre. Në të vërtetë ata janë njerëz të “kontrolluar prej Perëndisë”.
Butësia nuk është shenjë dobësie apo mirësjelljeje pasive, por shenjë e fuqisë së kontrollit. Shpeshherë bota i keqkupton njerëz të tillë dhe i sheh ata si të parëndësishëm, të dobët dhe të pafuqishëm, por, në të vërtetë ata kanë një fuqi hyjnore, që rrjedh prej besimit të tyre tek Perëndia.
Karakteristikat e butësisë janë ilustruar më së miri në jetën e Moisiut, i cili është quajtur si personi më i butë i botës (Numrat 12:3) dhe tek jeta e Jisuit (Mt: 1:29; 12:15-21; 21:5). Asnjë prej të dyve nuk ishte i dobët. Të dy ishin njerëz të fuqisë dhe pushtetit, por ata gjithmonë e fshehën fuqinë e tyre, nën përulësinë, që zotëronin.
Thirrja e Jisuit për butësi kundërshton në mënyrë të drejtpërdrejtë qëndrimin e përgjithshëm të kryelartësisë dhe krenarisë. Në vend të nderimeve tokësore dhe respektit të sipërfaqshëm ne jemi thirrur të jemi të thjeshtë dhe të përulur. Bekimet e dikujt nuk vijnë prej shenjash të sipërfaqshme, por prej një mirësie të thellë të brendshme.
Shpërblimi për një butësi të tillë është trashëgimi i “tokës”. Shën Joan Gojarti e kuptoi këtë si nënkuptim, jo thjesht të një bekimi të së ardhmes, por, gjithashtu të një bekimi të së tashmes, duke pasur Perëndinë përkujdesës të nevojave tona tokësore.
Ne mund ta përmbledhim këtë, duke thënë: “Sa e mrekullueshme kur njeriu ka të vendosur të gjitha pasionet nën kontrollin e Perëndisë, kur është i mirësjellë i përulur dhe besëplotë tek Perëndia. Një person i tillë do të bekohet pasurisht në nevojat e tij të përditshme dhe në lavdinë e tij të përjetshme.”
Le të pyesim vetveten: “A jam munduar t’u shërbej të tjerëve në familjen time, shkollë, punë, kishë e kudo apo të sundoj mbi ta? A jam zemëruar padrejtësisht apo nxitimthi me të tjerët? A kam qënë zemërak, i hidhur, mosfalës ose fyes ndaj të tjerëve? A i kam dashur armiqtë e mi?”
“Lum ata, që kanë uri dhe etje për drejtësi; sepse ata do të ngopen” (Matth. 6)
“I uritur dhe i etur” është një term i përgjithshëm i Dhjatës së Vjetër, i cili përshkruan në mënyrë të gjallë një ndjesi të thellë dëshire të zjarrtë për diçka. Ashtu sikurse një person, i cili po vdes urie, kërkon ushqim ose një person i tharë për ujë digjet nga dëshira për të, në të njëjtën mënyrë pasuesit e Krishtit duhet të përpiqen për drejtësinë. Termi drejtësi mund të kuptohet në mënyra të ndryshme. A është dishepulli i bekuar kur digjet nga dëshira për drejtësinë e Perëndisë, apo për drejtësinë e sjelljes së tij? Etërit e Kishës shpesh e kanë kuptuar atë si një kombinim i të dyjave si një dëshirë për drejtësi personale, e cila mund të haset vetëm kur dikush përpiqet për përsosmëri në bazë të hirit dhe vullnetit të Perëndisë. Kështu, dëshira jonë duhet të jetë për një drejtësi apo mirësi të plotë.
Kur ne përpiqemi për qëllime të tilla të larta, Krishti na premton se ne do të kënaqemi. Ne do ta gjejmë një drejtësi të tillë sepse do të jetojmë më Krishtin!
Le të pyesim vetveten: “A kam dëshiruar me të vërtetë përmbushjen e vullnetit të Perëndisë para çdo gjëje? A kam punuar për drejtësi në familjen time, në shoqëri dhe në botë, sipas mundësive të mia? A jam përpjekur të kultivoj një jetë të drejtë përmes lutjes, kreshmës, adhurimit, marrjes së kungimit hyjnor dhe veprave të dashurisë kundrejt të tjerëve?”
“Lum ata, që janë të përdëllyeshëm, sepse ata do të përdëllehen” (Matth. 7)
Ky lumërim pason ngjashmërisht vargun e lumërimit të mësipërm përderisa mëshira dhe drejtësia kanë një lidhje të dukshme në fjalën hebraisht (Psal. 36:10; 85:10). Mëshira është një nga karakteristikat më të rëndësishme të Perëndisë. Jeta e Jisuit ilustron plotësisht idenë e mëshirës. Mëshira është dashuri në lëvizje, dashuri në veprim. Perëndia nuk na thërret të gjykojmë dhe dënojmë të tjerët, por t’i shikojmë ata me përdëllim, me përjetim dhimbjeje dhe ndjesë.
Termi greqisht i përdorur për fjalën “i mëshirshëm” (i eleimones) shfaqet vetëm dy herë në Dhiatën e Re. Këtu është përdorur si thirrje e një njeriu për të përftuar një cilësi të Perëndishme. Kjo cilësi përfshin si ndjesën ndaj fajeve ashtu dhe përdëllimin për vuajtjen dhe nevojën.
Vetëm njerëz, të cilët shfaqin të tillë mëshirë mund të presin mëshirë edhe më të madhe nga Perëndia (Matth.18:23-35). Gjithmonë kujtoni, se ne nuk tregojmë mëshirë ndaj të tjerëve, sepse ata e meritojnë atë, por sepse Perëndia ka treguar i pari mëshirë për ne. “Sepse ata do të përdëllehen” është një frazë, e cila garanton dishepujt, se ata do të marrin mëshirën e Perëndisë, ashtu siç Jisui u premtoi dishepujve të tij.
Ky mësim është drejtpërdrejt në kundërshtim me këndvështrimin e botës “sy për sy e dhëmb për dhëmb”. Për një të Krishterë nuk ka vend për hakmarrje. Perëndia thotë “Hakmarrja më përket Mua”.
Ne mund ta përmbledhim këtë, duke thënë: “Sa e mrekullueshme kur njeriu, i sheh të tjerët me mëshirë dhe përdëllim, duke i falur ata, e meritofshin apo jo, sepse, duke e bërë këtë, do të presë sjellje të një-llojtë nga njerëzit e tjerë dhe veçanërisht nga Perëndia.
Le të pyesim vetveten: “A kam treguar përdëllim dhe ndihmë për armiqtë e mi dhe ata, që nuk i simpatizoj? A kam treguar mëshirë për të varfrit, të uriturit, të vetmuarit dhe nevojtarët, që më rrethojnë? A jam përpjekur të kuptoj e fal të tjerët? Apo kam qënë indiferent, dhe gjykues?”
(Vijon)
At Luka Veroni