EmailFacebookKontakt

Hymni Akathist – “Gëzohu o nuse e panusëruar”

Nga himnografia kishtare

Hymni Akathist

“Gëzohu o nuse e panusëruar”

Emri i Virgjëreshës së Shenjtë Mari në Kishën Orthodhokse zë vendin e menjëhershëm pas atij të Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht dhe rrethohet me aq shpresë, sa që nuk ka shërbesë fetare ku të mos përmendet ky emër i veneruar. Një shumicë poetësh kishtarë kanë kompozuar himne dhe poema të ndryshme për nderim të saj, që këndohen pothuajse në çdo rast. Tropari i parë i odës së nëntë të çdo kanuni, i është kushtuar Hyjlindëses së Shenjtë. Në të kremtet e shumë shenjtorëve, përveç kanunit të shenjtit, këndohet dhe një kanun i dytë kushtuar Hyjlindëses. Krahas kanunit Paraklitik për Krishtin, kemi dhe dy kanune për Shën Marinë.

Mirëpo, himni më i bukur, ku shprehet më fortë shpresa e çdo të krishteri orthodhoks ndaj, gjithmonë Virgjëreshës Mari, është “Himni Akathist”, i cili këndohet pjesë-pjesë në të pesë të premtet e kreshmëve të mëdha. Ky himn, i kompozuar për të kremten e madhe të Ungjillëzimit, (e cila është jo vetëm më e vjetra e të kremteve kushtuar Shën Marisë, por edhe ajo më kryesorja), bën fjalë për sa na tregon Ungjillori Lluka për dërgimin nga Perëndia të Kryeengjëllit Gavriil te Virgjëresha Mari në Nazaret (Lluk. 1,26).

Poeti, duke dashur që të himnojë misterin më të madh të Krishtërimit, trupëzimin e Birit të Perëndisë, arriti të shprehë me një hollësi të patreguar thjeshtësinë e admirueshme të tregimit ungjillor. Në fillim, me një thjeshtësi epike tregon ngjarjen e madhe të Ungjillëzimit të Virgjëreshës dhe të lindjes së Shpëtimtarit dhe pastaj, me një entuziazëm lirik, himnon Virgjëreshën e shenjtë, duke radhitur të gjitha të mirat që buruan prej trupëzimit të Perëndisë – Fjalë për njerëzimin.

Dhe poeti i hirshëm, duke pasur parasysh se ndjenjat e larta që buronin prej zemrës së tij në kohën e frymëzimit duheshin paraqitur me një veshje të thjeshtë, po dhe madhështore, tregoi një kujdes aq të madh në përdorimin e gjuhës, saqë edhe sot akoma pas 15 shekujsh, vështirë është të gjendet ndonjë himn tjetër që t’ia kalojë këtij himni në thjeshtësinë dhe pastërtinë e gjuhës. Nga ana tjetër, pasuria e formave të ndryshme të kuptimit e të shprehjes, me të cilat fjala e poetit paraqitet tepër plastike, dhe si e tillë, tepër e këndshme dhe e pëlqyeshme, tregon se poeti qe pajisur pasurisht prej muzave me dhuntitë e një imagjinate të gjerë e të një mendimi të lartë. Duke ecur gjithnjë përpara, ai, me thjeshtësinë madhështore që e karakterizon, e zbukuroi himnin e tij, jo vetëm me zgjedhjen e përshtatshme të fjalëve nga më të bukurat, si të kuptimit të drejtpërdrejtë ashtu dhe të atij metaforik, por dhe me harmonizimin e kujdesshëm të tyre, harmonizim i cili lind në shpirtin e njeriut bindje dhe kënaqësi të patreguar. Me fjalët e zgjedhura e të bukura dhe me rregullimin e tyre harmonik, ai arriti që ndjenjat e tij të thella fetare t’ua bëjë pronë edhe shpirtrave të lexuesve apo të dëgjuesve të këtij himni.

Duke qenë i tillë “Himni Akathist”, jo vetëm që ndër ne orthodhoksët arriti të jetë himni më i dashur dhe më popullor, por edhe nga të krishterët e konfesioneve të tjera, kaq u admirua dhe po admirohet, saqë deri më sot është përkthyer në një shumicë gjuhësh si në atë latine, italiane, gjermane, franceze e të tjera.

Po, megjithëse vlera e këtij himni është e njohur njëzëri nga të gjithë, për kohën e kompozimit të këtij himni, dhe për autorin që e kompozoi, ekzistojnë mendime dhe pikëpamje të ndryshme. Disa mendojnë se himni Akathist është kompozuar në kohën e kryengritjes “Nika” (532), disa në kohën e rrethimit të Konstandinopojës nga Avarët, të tjerë në rrethimin që u bë në kohën e perandorit Konstandin Pogonatit (668); disa në atë që u bë në kohën e perandorit Leon i III (717) e të tjerë në atë të Rosit, në kohën e perandorit Mihail i III (842).

Përsa i përket autorit të himnit, ka gjithashtu mendime të ndryshme, sipas pikëpamjes së kohës që pranon secili; disa thonë se u bë prej Romanoit (491), të tjerë prej patrikut Sergjej (610) ose prej poetit Pisedius; disa se u bë prej Kasianisë (829) dhe të tjerë prej patrikut Foti (810) ose prej nxënësit të tij Jorgji Siqeliotit.

Dhe kjo ndodh, sepse të gjithë këta që janë marrë me këtë çështje, nisen nga një bazë e gabuar, duke kujtuar se tropari hyrës në krye himnit akathist është ai i sotshëm, domethënë ky më poshtë:

“Përlufteshës gjenerale
këngët mundëse
si falenderim që u shpërbleva prej tmerreve.
Qyteti yt po të përshkruaj o Virgjëreshë.
Po sikundër ke fitqi të paluftueshme
Prej çfarëdo rreziqesh shpëtomë
Që të të thërres: Gëzohu nuse e panusëruar”

Mirëpo, në fakt, tropari hyrës i himnit akathist është ky:

“Si mori vesh porosinë mistike
Vajti te tenda e Josifit i nxituar
Kryeengjëlli t’i thotë Virgjëreshës:
Ai që epi qiejtë, dënjon e zbret
Dhe nxehet pa ndryshuar fare tek Ti
Të cilin duke e parë në gjirin tënd.
Të marrë formë robi çuditem e të thërras:
“Gëzohu o nuse e panusëruar”

Që ky është tropari hyrës i Akathistit vërtetohet nga sa më poshtë:

a) Ky tropar ka lidhje të ngushtë me krejt himnin, sepse është një përmbledhje e shkurtër e tij

b) Në kodikët e vjetër, siç është p.sh. Kodiku Sinaitik, si hyrje në himnin akathist figuron ky tropar dhe

c) Në vetë shërbesën e himnit akathist, i pari tropar që këndohet është: “Si mori vesh….”

Në këtë tropar s’bëhet asnjë fjalë për “rreziqe”, për “luftë” a për “kryengritje”, ashtu siç nuk bëhet fjalë dhe në krejt himnin akathist.

Mendimi i përgjithshëm dhe i saktë është, pra, se himni akathist është kompozuar vetëm e vetëm për të kremten e Ungjillëzimit, se nuk ka asnjë lidhje me ndonjë ngjarje historike luftarake ose rrethim të Konstandinopojës, pasi asnjë fjalë nuk bëhet në të për një gjë të tillë dhe se u këndua për herë të parë ose në kohën e kryengritjes “Nika” ose në rrethimin që ngjau në kohën e patrikut Sergjios, kur, për të arsyetuar këndimin e tij në Kishë, u shtua dhe tropari “Përlufteshës gjenerale…”.

Po kush është vallë kompozitori i këtij himni aq të bukur? Duke marrë parasysh pasurinë e mendimeve të larta dhe të figurave madhështore të himnit, dialogun dramatik të Gavriilit me Hyjlindësen, pastërtinë e gjuhës në të cilën është shkruar, format poetike dhe retorike të zgjedhura dhe përgjithësisht tërë mënyrën artistike të kësaj vepre, mund të themi me bindje të plotë, se autori i himnit akathist është Romanos Melodiani, një poet i dëgjuar i Kishës, që ka jetuar nga mbarimi i shek. V-të, pasi, si në himnin akathist, ashtu dhe në himnet e tjerë të këtij poeti, gjejmë pjesë të njëshme, mendime dhe forma të një-llojshme. Së fundi, ky himn quhet “akathist”, nga që besimtarët, kur këndohet ky himn në Kishën, e dëgjojnë në këmbë pa u ulur nëpër fronet.

Në shqip ky himn është përkthyer prej të ndierit Imzot Fan S. Noli dhe është botuar në librin liturgjik “Triodhi i Vogël”. Së shpejti do të dalë broshurë më vete, i korrektuar sipas ortografisë së sotshme të gjuhës.

Dh.B.