Si arriti Kryepiskopi Anastas të vinte në lëvizje një mekanizëm të tërë për t’i falur frymë jete një emigranteje të vogël
Fotografia që shoqëronte intervistën e kohëve të fundit të Kryepiskopit Anastas në gazetën “Kathimerini” solli në kujtesën e teologëve Apostollos Barilos dhe Vaso Gogu historinë prekëse të vogëlushes Rusin.
Foto: INTIME NEWS
Botuar nga Marianna Kakaunaki në gazetën “Kathimerini”
Z. Apostollos Barilos dhe znj. Vaso Gogu përjetuan emocione të veçanta kur lexuan para disa ditësh intervistën e Kryepiskopit Anastas për gazetën “Kathimerini”. Jo aq për sa tha në lidhje me peripecinë e shëndetit të tij – kanë njohje personale dhe e jetuan me ankth kohën që ishte shtruar në spital – se sa për foton që shoqëronte shkrimin. Ishte një foto arkivi, që tregonte Kryepiskopin e Shqipërisë duke mbajtur në krahë një foshnjë. Mund të ishte një foto e shkrepur kudo, por atyre menjëherë u erdhi në kujtesë vizita gjatë së cilës ishte realizuar ajo fotografi. Megjithëse nuk dallohen në foto, janë edhe ata atje, në krah të tij dhe sot, tre vjet e gjysmë më vonë, rrëfejnë në “Kathimerini” historinë e veçantë që u shpalos atë ditë.
Ishte data 7 qershor dhe Kryepiskopi Anastas kishte shkuar në Larisë, ku do të shpallej “Qytetar nderi”. Zoti Barilos dhe zonja Gogu – teologë që të dy – kishin marrë përsipër të asistonin me programin dhe ta shoqëronin. Para shumë vitesh, znj. Gogu kishte qenë studente e tij dhe, pavarësisht rrjedhës së viteve, kishin ruajtur kontaktin dhe komunikimin.
Programi i asaj dite ishte i ngarkuar dhe ndërkohë ishin me vonesë. Ndërsa po largoheshin nga Muzeu Diakronik, dikush propozoi që të anulohej destinacioni në vazhdim, që ishte qendra e refugjatëve në Kutsohero, sepse ishte e sigurt se nuk do të arrinin në orën e programuar për drekën zyrtare, në një hotel të qytetit.
I thanë se atje qenë të ftuar të gjitha personalitetet zyrtare të Larisës – duke nisur me drejtuesit fetarë, autoritetet vendore etj.
Por Kryepiskopi ishte i paepur, do të shkonte patjetër në qendrën e refugjatëve. E konsideronte një mesazh të rëndësishëm që i drejtohej atyre që në atë periudhë i kishin lënë jashtë vëmendjes refugjatët. Kur mbërriti atje, megjithëse ishte periudhë Ramazani, ishin mbledhur shumë njerëz, më të shumtët myslimanë, për ta njohur. E priti koordinatorja e strukturës, Dhanai Natsuli. Bënte tepër vapë, ndaj ajo e pyeti nëse dëshironte ta fillonin vizitën me zyrat. “Unë erdha të njoh njerëzit që u keni ofruar pritje, jo për të parë zyrat”, i tha duke buzëqeshur Kryepiskopi. Pasi u shkrepën fotot e para, disa nga grupi i shoqërimit e informuan se pothuajse të gjithë të ftuarit ishin tashmë në hotel për drekën dhe se do të duhej të nxitonin. Por ai, me një shenjë, u tha se kishte kohë, kërkoi një karrige për t’u ulur dhe me ndihmën e një përkthyeseje filloi të bashkëbisedonte me njerëzit e mbledhur. “Mund të mos flasim të gjithë të njëjtën gjuhë, por jemi të gjithë bij të Perëndisë. Kemi nevojë për më shumë dashuri, më shumë besim dhe më shumë shpresë”, u tha.
Pak para se të ngrihej, pa një grua me një foshnjë në krahë, e cila me hezitim përpiqej t’i afrohej. Ishte znj. Zozan, një kurde nga Kobani i Sirisë, që kishte ardhur në Greqi me bashkëshortin dhe me të tre fëmijët – më e vogla, Rusin, kishte lindur me një deformim serioz në këmbë dhe do të duheshin një sërë operacionesh që të kishte një zhvillim normal dhe, duke u rritur, të mund të ecte vetë.
Në një video, që dikush e kishte filmuar, shfaqet Kryepiskopi duke kërkuar të gjente një nga bashkëpunëtorët e tij në Tiranë, ikonografin Kristo Papanikolau. “Kristo, duhet të bëjmë diçka. Duhet ndihmuar”, dëgjohet t’i thotë atij. Dhe z. Papanikolau, me origjinë nga Larisa, në ditët që pasuan kontaktoi profesorin e ortopedisë të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Larisës, z. Konstantino Malizo. Pasi vogëlushes iu bënë vizitat e duhura mjekësore, u programua që operacioni i nevojshëm të kryhej pasi ajo të mbushte 1 vjeç.
Z. Papanikolau kujton sot se Kryepiskopi e pyeste shpesh për shëndetin e vogëlushes, përecurinë e mjekimit.
Nga Kryepiskopata në Tiranë u krijuan kontakte me qendrën e refugjatëve në Larisë, që Kryepiskopi të merrte informacion për operacionet dhe terapinë, për të cilat ishte kujdesur që të bëheshin – dhe në realitet u realizuan më pas me sukses.
Vogëlushja Rusin tani është në gjendje të ecë, të vrapojë si çdo fëmijë tjetër i moshës së saj. Jeton me familjen e saj në Mynih dhe shumë shpesh komunikon me Kryepiskopin Anastas, duke i dërguar edhe foto e piktura. Vetëm pak ditë më parë ajo i dërgoi urimet e zakonshme për fëstat.
Vogëlushja Rusin ecën përsëri. Në fotografinë që i dërgoi Kryepiskopit Anastas ajo falënderon Fortlumturinë e Tij, si dhe profesorin e ortopedisë, Konstantino Malizo, dhe koordinatoren e strukturës së refugjatëve në Larisa, Dhanai Natsuli.
10.01.2021