EmailFacebookKontakt

HIRESISE SE TIJ, ANASTAS, KRYEPISKOP I TIRANES DHE GJITHE SHQIPERISE – Urime me rastin e fronëzimit

Me rastin e fronëzimit Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit i kanë ardhur urime nga e gjithë bota e krishterë. Në këtë numër po botojmë disa prej tyre.

Nga Vatikani

Mesazhi, të cilin Hirësia juaj ia dërgoi Shenjtërisë së Tij Papës Gjon Pavli II duke bërë të ditur zgjedhjen tuaj si kryepishkop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, mbërriti kur Ai ishte në spital. Papa i shenjtë më kërkoi ta falenderoj Hirësinë Tuaj për mesazhin. Ai dëshiron të dërgojë urimet e Tij më të mira për Hirësinë tuaj dhe sigurinë e lutjeve të tij për të shumëvuajturën Kishë Autoqefale Shqiptare. Le të punojnë të gjithë të krishterët e Shqipërisë së bashku për të shpërndarë Ungjillin e Jesu Krishtit në të mirë të vendit.

Me respekt të thellë,

Kardinal Anxhelo Sodano, sekretar i shtetit

Nga Kisha Ruse

Patriark Aleksei, i Moskës dhe i gjithë Rusisë

Hirësisë së Tij Anastasit kryepishkop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Kishës Orthodhokse Shqiptare.

Hirësia Juaj, ne falenderojmë Zotin tonë Iisu Krisht për mëshirën e tij të madhe që tregoi për Kishën e shenjtë Orthodhokse, e cila tani shpirtërisht u pasurua me motrën e ringjallur, Kishën Autoqefale Orthodhokse Shqiptare, e cila në këto dekada me veprën e besimtarëve dhe të martirëve, ka lartësuar veten e saj. Në emër të Krishtit unë, me gjithë zemër ju uroj për zgjedhjen dhe ngjitjen Tuaj në vendin e parë të hierarkisë së qytetit të Tiranës.

Nga Kisha Katolike në Shqipëri

HIRESIA JUAJ

Në këtë ditë të shënuar të fronëzimit tuaj si Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë dhe primat i Kishës Orthodhokse Autoqefale Shqiptare, unë nxitoj t’ju dërgoj Juve përshëndetjet e mia vëllazërore dhe urimet e përzemërta. Unë i lutem Zotit të gjithëfuqishëm të derdhë bekimet e Tij të çmuara për detyrën tuaj të rëndësishme që ju morët sot dhe që ta kryeni me sukses për lavdinë dhe nderin e Tij të madh. Unë shpresoj në një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të ngrohtë me hirësinë tuaj në kopshtin e Zotit tonë në Shqipëri. Me vjen keq që nuk do të jem i pranishëm në ceremoninë tuaj të inaugurimit, sepse do të shkoj në Asisi si kryecelebrues i shërbimit liturgjik në të përvitshmen “Dita e Faljes”, ku qindra mijëra pelegrinë marrin pjesë duke kërkuar faljen dhe paqen e Zotit. Sapo të kthehem në Tiranë, unë personalisht do të paraqes urimet e mia për Hirësinë Tuaj.

Përshëndetje të përzemërta. Do të mbetem vëllazërisht Juaji në Zotin Jezu Krisht

Ivan Dias

Nga Kisha Anglikane

Shumë të nderuarit Anastas, Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë

Ju dërgoj urimet e mia të ngrohta për zgjedhjen tuaj si kryepiskop i Tiranës dhe primat i Kishës së Shenjtë Orthodhokse Autoqefale Shqiptare. Unë do t’ju kujtoj Juve dhe popullin shqiptar në lutjet e mia të së dielës të 2 gushtit, ku do të zhvillohet edhe fronëzimi Juaj.

Xhorxh – Kryepiskopi Kanterberit

Nga Këshilli Botëror i Kishave

Sekretariati i Përgjithshëm, Gjenevë, 29 korrik 1992

Fort Lumturia Juaj,

Përshëndetje në emrin e Zotit tonë të përbashkët Iisu Krisht!

Eshtë keqardhje e thellë për mua që nuk mundem të marr pjesë në Fronëzimin Tuaj si Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë të dielën më 2 gusht. Kisha organizuar një përfaqësuesi të rangut të lartë të Këshillit Botëror të Kishave për këtë rast të bekuar, por në momentin e fundit qe e pamundur për arsye praktike (lidhje ajrore). Dëshiroj t’ju siguroj se Ju do të jeni në mendimet dhe lutjet tona në këtë ditë të rëndësishme. Po i kërkojmë vëllait tonë Josë Leite t’ju transmetojë Juve dhe popullit tuaj dashurinë dhe miqësinë e KBK.

Të krishterët e Shqipërisë kanë kaluar një periudhë të gjatë vuajtjesh të tmerrshme dhe është një kënaqësi të dimë se ata përsëri kanë një Kryepiskop të zgjedhur t’i udhëheqë, t’i inkurajojë dhe t’i ndihmojë ata.

Perëndia e plotfuqishme Ju shoqëroftë dhe ju përkrahtë në detyrat e ardhme. Krishti qoftë gjithmonë para grigjës suaj si Zot i ngjallur dhe Shpirti i Shenjtë qoftë udhëheqësi dhe ngushëlluesi i besimtarëve të Kishës së Shqipërisë.

Zoti forcoftë dhe i dhëntë Hirësisë Tuaj çdo gjë që është e nevojshme për kryerjen e detyrës së madhe që ju besua Juve nga providenca e Zotit.

Zoti bekoftë besimtarët tuaj dhe le të jetë një sukses procesi konstruktiv i ringjalljes së jetës në Shqipëri. Ne besojmë se me ndihmën e Zotit lidhjet tradicionale të dashurisë vëllazërore dhe bashkëpunimi do të rivendosen midis dy kishave tona.

Jetë të gjatë Juve dhe me dashuri në Krisht. Jini të sigurt se vëllezërit dhe motrat tuaja të komunitetit ekumenik janë gati të ndajnë barrën tuaj me ju.

Me respekt të thellë dhe përshëndetje të ngrohta kristiane,

Juaji sinqerisht, Emilio Kastro, Sekretar i Përgjithshëm

Nga Konferenca Evropiane e Kishave

I dashur vëlla në Krisht

Në emër të Konferencës së Kishave Evropiane dua t’ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj këto ditë si Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë dhe primat i Kishës së Shenjtë Orthodhokse Autoqefale Shqiptare. Ne duam t’ju sigurojmë për lutjet tona që Zoti t’ju bekojë juve dhe popullin tuaj.

Me besë, Juaji në Krisht

Jean Fischer, Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Evropiane të Kishave