EmailFacebookKontakt

Himnologjia dhe Muzika Bizantine, brenda adhurimit – Zhvillimi i Himnologjisë dhe arritjet e saj në shekuj

Himnologjia
dhe Muzika Bizantine, brenda adhurimit

Zhvillimi i Himnologjisë
dhe arritjet e saj në shekuj

(vijon nga muaji qershor)

Njeriu në adhurimin e tij ndaj Perëndisë ndien nevojën që të përdorë pikë së pari kombinimin e germave për të formuar himnet dhe troparet për t’iu falur, lavdëruar dhe himnuar Perëndinë dhe së dyti kombinimin e notave për të shprehur atë që është i pashprehshëm d.m.th. Perëndinë. Në këtë mënyrë Kisha arriti të na japë shembujt e mrekullueshëm të artit të himnografisë si edhe thesarin e pafund të Muzikës Kishtare Bizantine. Në zhvillimin e krishterimit, muzika luajti një rol kryesor në adhurimin e sapolindur të të krishterëve.

Të krishterët e parë, duke marrë shembullin e Zotit Jisu Krisht, i cili himnonte Perëndinë gjatë Darkës Mistike (Mat.26:30) dhe duke ditur ndikimin që ushtron muzika me ritmin dhe melodinë e saj në zemrat e njerëzve, kompozuan himne me të cilat shprehnin dashurinë dhe për- kushtimin e tyre ndaj Perëndisë. Dhe me të drej- të muzika u quajt “gjuha e zemrës”.

Vendet e adhurimit të të krishterëve të parë ishin tempuj të improvizuar, shumë herë vendet ku mblidheshin ishin shpella (për shkak të përndjekjeve) dhe sipas shembullit të apostujve luteshin duke psalur, duke lexuar Shkrimet dhe duke dëgjuar predikimin e shenjtë. Apostull Pavli këshillon besimtarët: “Por mbushuni me Shpirt të Shenjtë, duke folur midis jush me psalme e me himne dhe me këngë shpirtërore, duke i kënduar dhe duke i psalur Zotit me gjithë zemrën tuaj” (Ef.5:18-19). Gjatë shekujve të parë të krishterimit si himne në psalmodhi, shërbenin psalmet e Davidit. Meqenëse ato nuk ishin të mjaftueshme, lindi nevoja që të krishterët e parë të krijonin himne për Trininë e Shenjtë, për Jisu Krishtin, për Hyjlindësen, për shenjtorët dhe dëshmorët të cilët nuk përmenden në psalmet e Davidit. Për këtë qëllim etërit e Kishës si edhe kompozitorë të tjerë krijuan himne për të përkufizuar besimin e të krishterëve si edhe për të krijuar një mënyrë të tyre adhuruese drejtuar Perëndisë ndryshe nga mënyra që përdornin judenjtë në adhurimin e tyre.

Kështu, me shfaqjen e krishterimit, krijohet dhe zhvillohet njëkohësisht himnologjia dhe muzika kishtare e cila kulmin e zhvillimit të vet e pati në Perandorinë Bizantine, nga e cila mori edhe emrin “Muzika Kishtare Bizantine”. Pro- duktiviteti i pasur dhe tejet i madh që pati gjatë periudhës së Perandorisë Bizantine, tërhoqi vëmendjen e shumë studiuesve. Një nga proble-

met kryesore që hasën studiuesit ishte prejardhja e Muzikës Kishtare Bizantine. Prejardhja e saj ka qenë gjithmonë objekt diskutimesh nëse kjo muzikë rrjedh nga muzika e vjetër greke, hebra- ike apo ajo romake.

Duke analizuar fushën e Muzikës Kishtare Bizantine, shumë studiues mbështesin mendimin se sistemet, tingujt, shkallët dhe gjinitë ngjajnë me ato të muzikës së lashtë greke.

Veç të tjerash himnografët dhe kompozitorët, njohës të arsimit helen, i shkruajtën në greqisht dhe i kompozuan himnet e para të krishtera duke u bazuar në të dhënat e muzikës së lashtë greke. Gjithashtu kemi një zhvillim të përbashkët të muzikës së lashtë greke dhe asaj bizantine gjatë periudhës së Perandorisë Bizantine.

Ndërsa, disa të tjerë që besojnë se Muzika Bizantine rrjedh nga muzika e lashtë hebraike, e mbështesin këtë fakt se shumë melismata1 të periudhës apostolike ngjajnë me ato të hebrenjve, shumë nga të cilat u ruajtën ndoshta nga Kisha e parë e Jerusalemit, e cila përbëhej nga hebrenj. Klementi i Aleksandrisë referon se muzika e hebrenjve ngjan me atë të helenëve sipas stilit dorik.

Një problem tjetër që pati Muzika Bizantine ishte ndryshimi që pësoi ajo gjatë pushtimit të Konstandinopojës dhe rënies së Perandorisë Bizantine në vitin 1453 nën pushtimin otoman. Në këtë periudhë Muzika Bizantine u ndikua

nga muzika aziatike dhe mund të themi se muzika e sotme kishtare është e huaj ndaj asaj që u zhvillua gjatë periudhës së Perandorisë Bizantine.

Në vazhdim të ciklit të artikujve rreth zhvillimit të himnologjisë dhe muzikës bizantine kishtare do të vijojmë me përshkrimin e struk- turës së zhvillimit të historisë së muzikës, struk- turë e cila është shumë e pasur.

Është e natyrshme që të mos ketë ndonjë përcaktim kohor të saktë, por ekzistojnë disa ngjarje të cilat përbëjnë stacione të zhvillimit të muzikës kishtare bizantine. Muzika bizantine ndahet në tre periudha kryesore: 1. Periudha e vjetër (1-700 pas Kr.), 2. Periudha e mesjetës (700-1453 pas Kr.) dhe 3. Periudha e Re deri në kohën e sotme.

Siç është theksuar edhe në numrat e kaluar Etërit e Kishës Orthodhokse, vendosën në kishë muzikën fonetike (vokale) dhe jo atë instrumentale, sepse kishin bindjen se muzika instrumentale kishte karakter kozmik dhe kryesisht nuk shoqërohej me fjalë dhe se zëri njerëzor është instrument! më i përkryer që e krijoi vetë Perëndia për adhurimin dhe lavdërimin e Tij.

(vijon në numrin e ardhshëm)

Dhjakon Spiro Kostoli

Pedagog i Muzikës Bizantine dhe i Historisë së saj në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”.