Ka pak kohë, që në pikat lokale të shitjes të kishave tona, gjendet një kasetë e re me muzikë bizantine. Ajo është e dyta në gjuhën shqipe, pas asaj të realizuar tre vjet më parë në Malin e Shenjtë, ku këndonin murgj të atjeshëm dhe studentë shqiptarë.
Kaseta e re është realizuar nga Kori Bizantin i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që mban emrin e himnologut të famshëm bizantin nga Durrësi, Shën Joan Kukuzeli. Kori drejtohet me mjeshtëri nga At Justini dhe përbëhet nga 14 vetë, shumica e të cilëve ka mbaruar Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”.
Kaseta përmban një pjesë të himneve të përgatitura për t’u paraqitur gjatë vizitës në Vendet e Shenjta, në Kuadrin e Jubileut të 2-mijë vjetorit të Lindjes së Krishtit. Ky program u transmetua edhe në Televizionin Publik Shqiptar.
Kaseta u realizua në studiot e Kompanisë fonografike “Ehogjenesi”, në Trikalla të Greqisë. Studioja ndihmoi edhe nga ana financiare në realizimin e kasetës, e cila dallohet për cilësinë dhe pastërtinë e lartë të regjistrimit.
Në faqen A mund të dëgjoni: “Sa u pagëzuat”, “O Zot, shpëto popullin Tënd”, “Kryqit Tënd”, “Polieleo”, “Shërbeje Zotin”, “Çdo frymë dhe çdo krijesë”, kurse në faqen B: “O Zot, thirra”, “Që prej djalërisë sime”, “Më të nderuarën”, “Zbritësore e Krishtlindjes A”, “Çdo frymë le të lavdërojë…”, “Eni gjithë kombet”, Polieleo: “Lavdëroni Zotin”.
Kaseta kushton 300 lekë.
Korresp. i “Ngjalljes”