Një intelektual dhe misionar i flaktë, por i harruar i Kishës sonë Orthodhokse, që ndikoi shumë në forcimin e orthodhoksisë në vendin tonë dhe në frenimin e islamizimit, para ardhjes së Shën Kozmait, është dhe Nektar Terpo Voskopojari.
U lind nga fundi i shekullit të 17-të në Voskopojë, qendër e madhe tregtare dhe kulturore e kohës, e dëgjuar sidomos për Akademinë dhe shtypshkronjën e saj. Informatat që disponojmë për jetën dhe veprimtarinë e tij janë të pakta. Dimë se ka kryer Akademinë e Voskopojës dhe inguro midis plejadës së intelektualëve orthodhokse, klerikë e laikë, që kanë kryer Akademinë dhe përmendet nga të gjithë shkrimtarët që janë marrë me historinë e Voskopojës.
Pas mbarimit të studimeve, ka shkuar në Malin e Shenjtë, në këtë qendër të rëndësishme teologjike dhe asketike për mbarë orthodhoksinë, ku u bë murg e më vonë hieromonak. Emri i tij “Nektar Terpo Voskopojari” figuron – na thotë i ndieri shkrimtar i shquar Evllogji Kurilla në veprën e tij “Grigor Argjirokastriti” – ndër regjistrat e manastireve të atjeshëm. Më vonë e gjejmë në manastirin e Shën Naumit. Ishte njeri i veprimit, me karakteristikën bazë, që veprimi i tij vaditej nga pema e gjallë e jetës monakale. Veproi gjatë shekullit të 18-të dhe këtë e dimë nga përmbajtja e të dy veprave që ka shkruar dhe botuar.
Brenda dhjetëvjetorit 1720-1730 shkrojti veprën e tij të parë me titullin: “Çështje të ndryshme teologjike me pyetje e përgjigje, të mbledhura nga shkrimet e Shën Vasilit dhe të etërve të tjerë dhe të interpretuara në një gjuhë dhe perifrazim të thjeshtë”. Eshtë një katekizmë e mrekullueshme, që pati 3 botime; botimin e dytë më 1779 dhe atë të tretin më 1781.
Vepra e tij e dytë, që ka titullin “Besimi”, është botuar në Venedik më 1732 dhe pati disa ribotime. Nga veprat e tij mësojmë se ai kaloi më vonë nga manastiri i Shën Naumit, në atë të Ardenicës, ku në fillim u ngarkua me detyrën e atit shpirtëror e pastaj dhe me atë të igumenit të manastirit.
Manastirin e Ardenicës e bëri qendër të veprimtarisë së tij misionare. Që këtej ai shkonte nëpër fshatrat e Myzeqesë, predikonte kudo Fjalën e Zotit, rrëfente njerëzit, i inkurajonte të qëndronin në besimin e stërgjyshërve të tyre. Ardenica, në kohën kur ai qe igumen i saj, njohu ditë të mira, u bë qendër e rëndësishme shpirtërore për tërë rrethin e Myzeqesë.
Nga fjala e tij e shkruar, e cila duhet përkthyer në shqip, del shumë qartë në pah ndërgjegja misionare e këtij njeriu të shenjtë, si edhe piksynimet kryesore të tij, të cilat mund të përmblidhen si më poshtë:
1. Katekizmi. T’i dixytohej populli të vuajtur, që, nën shtypjen e huaj, po harronte besimin, zakonet, jetën shpirtërore; një populli që, i mbytur brenda në agoninë për të mbijetuar, rrezikonte të humbiste ndërgjegjen e tij fetare. Fjala e tij ishte ngushëlluese, inkurajuese, këshilluese.
2. Dhënia e njohurive bazë për orthodhoksët për besimin, për shenjtorët, por edhe për mënyrën se si mund të përmirësonin punët e tyre bujqësore.
3. Përmirësimi i jetës shoqërore të njerëzve. Njohës i problemeve shoqërore të krahinave që vizitonte, përpiqej të ndreqte anët e dobëta që kishin zënë rrënjë në marrëdhëniet midis njerëzve dhe në ato për punën.
4. Kufizimi i tendencës së islamizimit të të krishterëve, që ki-shte shkaqe të ndryshme. Terpoja u dallua në përballimin e këtij fenomeni. Ulej me dashuri në çdo rast dhe përpiqej për të përmbajtur me shumë mënyra të krishterët në fenë e tyre dhe të pengonte përpjekjet e tërbuara të turqve për islamizimin e rajave.
“Ju lutem o bij të bekuar të Krishtit – shkruan ai – mos u gënjeni dhe mos u mashtroni për dy aspra në ditë dhe tradhëtoni besimin e kulluar dhe shumë të sigurt të Krishtit dhe Perëndisë sonë. Asnjë të mos shkëputet nga besimi i shenjtë dhe nga Kisha e përgjithshme e Krishtit për detyrimin e haraçit”.
Dhe i këshillon: “Duroi pra torturat dhe po të lidhën mos u hidhëro dhe po të vunë në burg apo në hekura e në trombuk (mënyrë torture me shtrëngimin e këmbëve midis dy druve), duroi me gëzim duke bërë kryqin dhe leçit emrin e Krishtit, Perëndisë së Gjithësisë”.
5. Kritika shoqërore: godiste mendimet dhe veprimet e shtrembëra të njerëzve, padrejtësitë që kryheshin nga të fuqishmit e vendit, shpifjet, vjedhjet e të tjera. Kritikë të rreptë ka bërë edhe kundër pushtuesve osmanë, madje edhe kundër Sulltanit, edhe kundër klerit të lartë të kohës.
Prandaj kish krijuar armiq edhe nga ana e pushtuesve edhe nga ana e disa të krishterëve, që i kritikonte për veprimet e tyre të padrejta. Në korrik të vitit 1724 turqit e arrestuan në fshatin Dragot afër Elbasanit dhe e rrahën aq rëndë, sa e bënë invalid nga dora e majtë.
Vlerësohet si një teolog i zoti dhe i guximshëm. Të habisin idetë e tij të larta, të guximshme, antitiranike, për shkak të të cilave ka hequr shumë.
Kohën e fundit të jetës së tij e kaloi në Venedik ku edhe ndërroi jetë. Nuk dihet me saktësi as viti i vdekjes, as vendi ku u varros.
Pergatiti Dhimitër Beduli