Shën Donati lindi në kufijtë e Dalmacisë me Panoninë, dy krahina të dëgjuara ilire. Duke parë virtytet e tija të krishtera, atë e dorëzuan prift në Akuile. Atje, ai e mbrojti me devotshmëri besën e vërtetë kundër çifutëve e paganëve. Kur filloi persekutimi i madh i Dioklecianit kundër të krishterëve (304), Donati shkoi në vendlindjen e tij, në Dalmaci. Atje, ai u tërhoq në një mal të lartë, ku filloi të bënte një jetë asketike, me lutje dhe agjërime, duke u bërë edhe një mbështetje e madhe për dëshmitarët e besës së Krishtit.
Jetoi në atë mal më shumë se një vit. Kur njëherë, perandori Dioklecian erdhi në Iliri, ai shkoi pikërisht në malin ku banonte shenjti, për t’iu bërë fli idhujve. Atje, perandori dhe shpura e tij dëgjuan për Donatin dhe për jetën e tij. Diokleciani dërgoi ushtarë që ta gjenin, ta arrestonin dhe ta sillnin tek ai. Ata shkuan e arrestuan dhe e sollën para perandorit ku u munduan ta detyronin, që edhe ai t’u bënte fli perëndive pagane.
Por shenjti dhe konfesori i Krishtit iu përgjigj me trimëri, që ishte i krishterë dhe nuk pranonte t’u bënte fli demonëve. Me kaq forcë e bindje e mbrojti besën e Krishtit, sa që dy nga anëtarët e shpurës së perandorit u kthyen e u bënë të krishterë. Këta ishin Makario dhe Theodhori. Mbas kërcënimesh të shumta, filluan t’i torturonin që të tre. Por ata i përballuan torturat me një burrëri të pazakontë. Perandori dha urdhër që t’u hidheshin bishave të egra. Por bishat, kur u ndodhën pranë martirëve të Krishtit, u zbutën dhe u bënë si manarë. Kjo mrekulli bëri që shumë paganë të ktheheshin në të krishterë. Paganët e tjerë, të trembur nga kjo mrekulli, i liruan menjëherë.
Ndërkohë, ra një tërmet shumë i madh dhe ata morën urdhër nga një zë i mistershëm që vinte nga qielli, që të shkonin në Thmuis të Egjiptit. Kështu, ata u nisën dhe shkuan atje. Në qytetin e Thmuisit sapo kishte vdekur, si dëshmor, episkopi i qytetit, shën Fileasi (që nderohet e përkujtohet 4 shkurt). Të krishterët ishin mbledhur për të zgjedhur zëvendësin e tij. Kur Donati hyri në kishën e qytetit, një pëllumb ndaloi mbi kokën e tij. Të gjithë e kuptuan që kjo ishte një shenjë nga qielli. Prandaj, të gjithë, njëzëri, e zgjodhën episkop të qytetit. Menjëherë, sapo u zgjodh, ai dorëzoi Makarion prift dhe Theodhorin dhiakon.
Në punën e tij si drejtues i kishës së Thmuisit, Donati u dallua si një bari i vërtetë. Ai kujdesej për grigjën e tij shpirtërore, ashtu siç kujdeset një atë i dashur dhe zemërdhembshur për bijtë e tij. Sëbashku me dy shokët e tij, ai përhapte pa u lodhur dhe pa pushuar Lajmin e Mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Fama e tyre u përhap në tërë Egjiptin.
Gjatë kohës së persekutimit të Licinit, ata u arrestuan dhe, mbasi i torturuan në mënyrë mizore, ua prenë trupat copa-copa dhe pastaj i hodhën në det. Kështu e mbaroi jetën shën Donati, ky bir i lavdishëm i Dalmacisë dhe i popullit ilir, së bashku me dy dëshmorët e tjerë, shën Makarion e shën Theodhorin.
Kisha Orthodhokse e nderon kujtimin e këtij dëshmori dhe të shokëve të tij në 22 maj.
At Joani