Oshënar Nikita ishte, siç e shprehte vetë gjithnjë, “nga viset e Shqipërisë”. Prindërit i kishte kriptokristianë (të krishterë që e ruanin besimin në fshehtësi), gjë që tregon se duhet të ketë qenë nga krahina e Shpatit. Dihet se banorët e kësaj krahine, gjatë pushtimit turk, për të shpëtuar nga detyrimet ekonomike tepër të rënda, pranuan formalisht myslimanizmin, ndërsa në fakt mbetën të krishterë. Ata kryenin me fshehtësinë më të madhe natën shërbesat e shenjta fetare, ruanin besimin me nderim të thellë, respektonin me rigorozitet kreshmët dhe të gjithë zakonet e tjera orthodhokse; mbanin dy emra, një mysliman zyrtar dhe një të krishterë. Të vdekurit e tyre i përcillte hoxha në varr, pasi më përpara natën prifti kryente në shtëpi shërbesën orthodhokse të vdekjes. Kjo gjendje vazhdoi deri më 1904 kur, me nxitjen dhe mbrojtjen e Rusisë cariste orthodhokse, u shpallën publikisht se qenë orthodhoksë, pa pasur asnjë reagim nga ana e qeverisë turke.
Shën Nikita lindi rreth viteve 1760-1770. Për kohën e rinisë së tij nuk kemi të dhëna. Dihet vetëm se kur arriti në moshë të pjekur, duke qenë mjaft i përkushtuar në besim, shkoi në Malin e Shenjtë, në skitin e Shën Anës, e u bë murg. Aty filloi ushtrimet shpirtërore duke kreshmuar rreptësisht, me agripni dhe lutje. I dalluar në këtë jetë, i virtytshëm dhe i pastër moralisht, u propozua nga etërit e manastirit të hirotonisej klerik. U bë në fillim hierodhjakon e më vonë prift në manastirin e Shën Pandeleimonit, i cili quhej “i rusëve”.
E mundonte gjithnjë mendimi që prindërit e tij, ndërsa në të vërtetë qenë të krishterë, detyroheshin të paraqiteshin si myslimanë. Këtë ai e konsideronte mëkat. Prandaj vendosi që të dëshmonte për Krishtin.
Kështu, la Malin e Shenjtë dhe shkoi në shumë fshatra të Serresit e të Dhramës duke lëçitur para turqve Krishtin si Perëndi të vërtetë. Arrestohet nga autoritetet turke, “e burgosin, i vënë në kokë një kurorë prej gjembash, i shkulin thonjtë dhe e varin kokëposhtë”. Pastaj i shoqëruar gjer në vendin e dënimit me të rrahura e me tallje, ekzekutohet me varje më 19 shkurt të vitit 1809, duke fituar kështu kurorën e dëshmorit të Krishtit. Lipsani i tij i shenjtë, sipas biografëve, “në kohën që qëndronte në litar i varur, lëshonte rreze drite dhe, gjer më sot, për ata që i luten me besim, vepron shërime”.
Lipsani i Shën Nikitës sot është në Skitin e Shën Anës dhe shenjtori përkujtohet vit për vit. Më gjerë, mbarimi prej martiri i hierodëshmorit Nikita Shqiptari, përshkruhet në një letër të igumenit të manastirit të Iliupojës së Serresit, Konstandin, drejtuar manastirit rus të Shën Pandeleimonit më 29 shkurt 1809, d.m.th. 10 ditë pas ekzekutimit.
Kjo letër është një dorëshkrim i çmuar. Vlerë të veçantë kanë sidomos pohimet e dëshmorit për Krishtin përpara autoriteteve turke të vendit. Në këtë letër tregohet njëkohësisht se hierodëshmori Shën Nikita, duke iu përgjigjur pyetjes së igumenit të manastirit të Iliupojës Konstandin se nga ishte, i tha: “Jam nga viset e Shqipërisë”.
Dhimitër Beduli
Përlëshorja e shenjtorit
Të gjitha pasionet e mishit i nënshtrove,
me lutje e agripni, me vetëpërmbajtje e lot,
depërtove errësirën e mospësimit, o Nikita i nderuar,
dhe duke lëçitur Krishtin me guxim, luftove për të, o i lavdishëm.
Lavdi Krishtit që të lavdëroi, lavdi Atij që të kurorëzoi,
lavdi atij që vepron me anën tënde, shërime për të gjithë.