EmailFacebookKontakt

Hierapostullimi i Kryepiskopit në Afrikë

Fortlumturi, bekimin Tuaj!

Është kënaqësi të jem bashkë me Ju sot, dhe veçanërisht në një ditë me kaq shumë shi. Unë kam kaluar një pjesë të jetës sime në Afrikë dhe, atje, kur bie shi, është një shenjë nga Zoti se është diçka e bekuar. Perëndia na ka bekuar që të kemi Fortlumturinë e Tij, Anastasin, Kryepiskop të Kishës sonë.

Do të flas shkurtimisht me ju për përpjekjet misionare të Kryepiskopit tonë. Përpjekjet e tij në këtë fushë duhet të jenë frymëzim dhe inkurajim për të gjithë, sepse ato janë dëshmi e realizimit të ëndrrave të rinisë së tij, ëndrra të mëdha të cilat duhet të jenë dukur të pamundura. Ëndrra të realizuara nëpërmjet lutjes dhe punës së vështirë, nëpërmjet studimit dhe përpjekjeve praktike, dhe më e rëndësishmja, nëpërmjet një dashurie të thellë për Perëndinë me anë të së cilës ai arriti të rindizte interesimin orthodhoks të hierapostullimit.

Për të kuptuar se çfarë hapi monumental është ky, duhet të kuptojmë historinë e Kishës sonë. Gjatë gjithë periudhave më energjike të jetës së saj, Kisha ka qenë misionare, domethënë misioni shihej si pjesë e natyrshme e veprimtarisë së saj.

Por në shekujt e kaluar, Kisha vuajti nga persekutime të tmerrshme. Mes këtyre vuajtjeve, ajo e harroi këtë gur themeli të identitetit të saj dhe shqetësimi për misionet fitoi statusin famëkeq të ‘porosi të lënë në harresë’. Kaq e plotë ishte kjo mangësi, saqë në vitin 1962, St. Vladimir’s Theological Quarterly (Revista periodike theologjike e Shën Vladimirit) botoi një artikull në të cilin thuhej: “Ta themi hapur, Kisha Orthodhokse nuk ka më asnjë mision të organizuar.” Kryepiskopi Anastas ishte një nga figurat kryesore që e pa këtë mangësi dhe punoi për ta ndrequr atë. Në vitet 1960 ai shkroi: “Kisha pa mision është kontradiktë termash. Nëse Kisha qëndron indiferente ndaj punës apostolike që i është besuar, ajo mohon vetveten, kundërshton vetveten dhe thelbin e saj, dhe është tradhtare në luftën ku është angazhuar. Një Kishë statike, së cilës i mungon vizioni dhe përpjekja e vazhdueshme për t’i shpallur Ungjillin oikoumene-it (botës), vështirë se mund të njihet si Kisha e vetme, e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike, së cilës Zoti i besoi vazhdimin e veprës së Tij.”

Kryepiskopi Anastas nuk u mjaftua duke pranuar këtë amulli që kishte depërtuar brenda Kishës sonë. Para se ta merrte detyrën e Kryepiskopit të Shqipërisë, ai ia kushtoi jetën rizbulimit të etosit misionar të Kishës sonë. Si teolog laik punoi në fusha të ndryshme të misionit të brendshëm në Greqi, duke u bërë pionieri i ringjalljes së Hierapostullimit të jashtëm orthodhoks. Ai botoi periodikun e parë misionar “Porefthendes” në greqisht dhe anglisht, si dhe periodikun “Panta ta Ethni” dhe themeloi qendrën misionare orthodhokse “Porefthendes”. Ai zhvilloi fushën e misionit të jashtëm me mbështetje të vazhdueshme për përpjekjet misionare në Kore, Indi dhe Afrikë. Fillimisht udhëtoi në maj-korrik të vitit 1964 në Ugandë, Tanzani dhe Kenia, duke shqyrtuar mundësitë për mision sistematik orthodhoks. Në dekadën e viteve 1981-91, shërbeu si Locum Tenens i Kryepiskopatës së Shenjtë të Irinupolit (Kenia, Ugandë, Tanzani), të cilën e udhëhoqi sipas një tradite misionare të Kishës sonë.

Përtej gjithë këtyre përpjekjeve të mëdha, ai u përfshi thellë edhe në fushën akademike si pedagog, duke studiuar, mësuar, shkruar dhe duke mbrojtur rëndësinë e misioneve brenda Kishës Orthodhokse.

Për më tepër, ai u përfshi në përpjekjet ekumenike, veçanërisht për këtë qëllim, duke dhënë dëshminë orthodhokse dhe udhëhequr shumë komisione e grupe misionare, të tilla si Komisioni për Hierapostullimin Botëror dhe Ungjillëzimin i Këshillit Botëror të Kishave (1984-91) etj.

Nëpërmjet përpjekjeve të tij, edhe një herë, veprimtaria misionare shihet si një pjesë themelore e praxis-it (praktikës) orthodhoks.

Duhet të kuptojmë se ekzistenca e Kishës sonë këtu në Shqipëri, sot është një nga frytet më të mëdha deri tani e këtyre ëndrrave për rizbulimin e misioneve orthodhokse. Kryepiskopi e vuri në dukje këtë në vitin 2003, kur iu drejtua një takimi të rinjsh nga e gjithë bota, që u mbajt në Shën Vlash, duke thënë: “Rindërtimi i Kishës së Shqipërisë që nga rrënojat na afron një tjetër dëshmi – atë se idetë dhe qëllimet rinore nuk përfundojnë në asamble e festival.” Rindërtimi i Kishës këtu është një dëshmi se ëndrrat e rinisë mund të japin fryte konkrete.

Kjo vepër madhështore jo vetëm që na ka prekur ne, që jetojmë këtu në Shqipëri, por është edhe një përpjekje e cila është shfaqur si dritë mes Kishave orthodhokse lokale, madje edhe më gjerë, si shembull që Kisha Orthodhokse është e përfshirë në misione dhe se si duhet të duket veprimtaria e vërtetë misionare. Këto përpjekje janë përmendur nga primatët e Kishave Orthodhokse lokale, nga Papa dhe udhëheqës të tjerë të krishterë, nga figura shekullare, nga të krishterë besnikë në mbarë botën. Kryepiskopi tregoi mënyrën se si zbatohet tradita hierapostolike e Kishës sonë në shekullin e 21-të, me respekt për kulturën vendase, theksin në edukimin teologjik vendas, rëndësinë që u jepet përkthimeve dhe përdorimit të gjuhës amtare. Kaq e bekuar ishte kjo vepër, saqë edhe brenda tekstit të mesazhit të dhënë në Sinodin e Madh dhe të Shenjtë në Kretë deklarohet: “Riungjillëzimi i popullit të Perëndisë në shoqëritë moderne, të shekullarizuara dhe ungjillëzimi i atyre që ende nuk kanë arritur të njohin Krishtin mbeten detyrim i pandërprerë për Kishën.” Kjo tregon se sa thellë e ka pranuar Kisha Orthodhokse përgjegjësinë e saj ndaj misioneve.

E gjithë kjo ngre pyetjet: Si filloi e gjitha kjo? Çfarë e nxit atë?

Për Kryepiskopin, interesimi i tij për misionet filloi që në moshë të re. Si i ri, Kryepiskopi Anastas studionte dhe shqyrtonte vlerat e mëdha të tilla si liria, krijimtaria etj., por ajo, të cilën e shihte gjithmonë si më kryesoren prej tyre, ishte dashuria. Kjo dashuri është zanafilla e misioneve. Kryepiskopi vuri re se thënia më e guximshme, më e bukur dhe më revolucionare gjendet në fragmentet e Letrës së Parë të Përgjithshme të Shën Joanit, ku ai na mëson se “Perëndia është dashuri; edhe ai që mbetet në dashuri, mbetet në Perëndinë, edhe Perëndia në atë” (1 Joanit 4:16). Kjo lidhet me një siguri tjetër – që rruga drejt plotësisë së kësaj dashurie qëndron brenda Krishtit dhe Kishës së Tij. Që, ndërsa rritemi në dashuri, domethënë në Perëndinë, edhe afrohemi më shumë me njëri-tjetrin, sepse, siç na mëson Shën Maksimi, çdo i krishterë duhet të shohë fytyrën e Perëndisë, sipas shëmbëlltyrës së të Cilit jemi krijuar, te çdo person, pavarësisht nëse është burrë apo grua, pavarësisht se nga cili komb është, pavarësisht nëse beson apo jo…

Kjo dashuri mbush gjithmonë çdo motiv dhe veprim misionar. Është sikur jemi të lidhur me këtë burim të pashtershëm dashurie që derdh hirin e Perëndisë vazhdimisht brenda nesh, deri në pikën që mbushemi dhe më pas derdhemi. Dhe, në fakt, ne duhet të derdhemi nëse duam ta ruajmë lidhjen tonë me burimin e këtij hiri. Sepse një dashuri që interesohet vetëm për veten ose ata që njeh, është një deformim demoniak… është egoizëm. Kryepiskopi na thotë: “Dishepujt nuk mbeten të kënaqur me shijimin e tyre personal të hirit… Hiri bëhet shërbim, mundim krijues për shërim, pajtim, përhapje të Ungjillit për transformimin e të gjithëve.”

Ky është qëllimi ynë, synimi ynë, ëndrra jonë, thirrja jonë që kemi marrë nëpërmjet Etërve të Kishës sonë.

Vëllezër dhe motra, dua ta mbyll me një nxitje nga Kryepiskopi ynë:

“Nuk mund të bëhemi një komunitet i mbyllur ‘i të shpëtuarve’, i izoluar nga ngjarjet e planetit. Përgjegjësia jonë përfshin universin, udhëtimin e të gjithë botës.”

Në gjithçka që bëjmë, le të kujtojmë shembullin misionar të Kryepiskopit tonë dhe të mundohemi të mbetemi në Dashurinë e Perëndisë dhe ta ndajmë Atë, e cila është caktuar për të gjithë njerëzimin.

Atë Stefan Ritsi