EmailFacebookKontakt

Hierapostullim. Në gjurmët e Krishtit

Intervistë dhënë nga Hirësi Jobi (Getcha) për emisionin “Orthodoxi” të faqes “francekulture.fr” (Radio France).

Gazetari (Alexis Chryssostalis): Të dashur miq, mirëdita! “Mision. Në gjurmët e Krishtit”, ky është titulli i një libri, botuar më 2021 nga botimet “Apostolia” me autor Kryepiskopin Anastas, primat i Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Bëhet fjalë për një përmbledhje tekstesh të shkruara nga Kryepiskopi Anastas mes viteve 1964-2018, përkthyer nga greqishtja në frëngjisht nga Isabelle Tambrun-Kamaroudis dhe i riparë nga Hirësi Jobi (Getcha) i Telmessos, profesor në Institutin e Studimeve të Larta Teologjike në Shambezi në Gjenevë dhe në Institutin Katolik të Parisit, përfaqësues i përhershëm i Patriarkanës Ekumenike pranë Këshillit Ekumenik të Kishave dhe Bashkëpresident i Komisionit Miks Ndërkombëtar për Dialogun Teologjik mes Kishës Romano-Katolike dhe Kishës Orthodhokse. Hirësi, mirëdita!

Hirësi Jobi: Mirëdita, Aleks!

Gazetari: Aktualisht Kryepiskopi Anastas është një ndër personalitetet më të spikatura të botës orthodhokse, falë veprimtarisë së tij tepër të gjatë në mision, për të cilin thotë se kjo është vetë natyra e Kishës, dhe falë spiritualitetit të thellë që e realizon këtë shërbesë. Ai është autori i ringritjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe që prej vitit 1992 është kreu i saj. Le të fillojmë me dy fjalë rreth librit të sapobotuar dhe në vazhdim të flasim për jetën dhe veprën e Kryepiskopit Anastas.

Hirësi Jobi: Është një libër i jashtëzakonshëm, do të thosha një ndër librat që kemi në botën orthodhokse, në bibliografinë orthodhokse për sa i përket temës së misionit, një temë e cila është e panjohur si jashtë Kishës Orthodhokse (shumë shpesh kur mendojmë për kishat orthodhokse nuk i mendojmë ato si kisha misionare), ashtu edhe brenda saj. Do të kemi rastin t’u kthehemi këtyre aspekteve. Gjithashtu është një libër i mrekullueshëm, pasi Fortlumtuaria e Tij, Kryepiskopi Anastas, flet për misionin e Kishës jo thjesht në mënyrë teorike si teolog apo teoricien, nga brenda zyrës, por ai flet me përvojë, sepse ka qenë predikues, misionar pikërisht në Afrikë, për këtë do të flasim, dhe gjithashtu ai ka ringritur Kishën Orthodhokse në Shqipëri. Pra, është një libër që të apasionon, një libër që na përflak, na inkurajon në këtë veprimtari, të cilën Kryepiskopi Anastas e konsideron si veprimtari thelbësore të Kishës.

Gazetari: Do të flasim pak për personalitetin e Kryepiskopit, pasi është tepër i njohur, në një moshë të madhe, por gjithnjë plot fuqi e gjallëri. Nëse dëshironi, mund të na përshkruani disa etapa të jetës së tij.

Hirësi Jobi: Siç thamë, Kryepiskopi Anastas në këtë libër flet për misionin nga përvoja. Të gjitha sa thotë për misionin ai i ka jetuar, i ka përjetuar, ai jep një dëshmi të jetës së tij, jeta dhe vepra e tij shkojnë së bashku. Lindi më 1929 në Pire të Greqisë. Kreu studimet teologjike në Athinë, më pas mbron doktoraturën në Gjermani, në Hamburg e Marburg, duke kryer studime më të thelluara në teologji. Më pas u hirotonis dhjak në vitin 1960, pastaj prift më 1964, dhe episkop i Andrusës më 1972. Dha mësim si profesor i Historisë së Besimeve Fetare, madje u bë Dekan i Fakultetit të Teologjisë në Athinë, 1983-1986. Është një figurë e madhe intelektuale dhe akademike; ka qenë anëtar nderi i Akademisë së Athinës mes viteve 1993-2005. Mësimi dhe shkenca e tij në një zyrë ishte i lidhur me shërbimin baritor. Ishte predikues dhe katekist, fillimisht në Athinë në vitet 1950, 1954 deri më 1960, dhe më 1961 ai luajti një rol të rëndësishëm për ringritjen e misionit orthodhoks, duke u bërë themelues dhe presidenti i parë i qendrës misionare ndërorthodhokse “Porefthendes”.

Në kuadrin e misionit, ai ka qenë i përfshirë në Këshillin Botëror të Kishave (KBK), siç e dini Këshilli Botëror i Kishave është shumë i lidhur me misionin. Mund të themi se lëvizja ekumenike lindi mes të tjerave për të zgjidhur problemin e prozelitizmit, përderisa në disa shtete të Afrikës kishte të krishterë të ndryshëm që vinin dhe predikonin Ungjillin e konkurronin mes tyre dhe ishte kundërproduktive. Një nga rrymat e lëvizjes ekumenike ishte rryma e misionit, dhe Kryepiskopi Anastas, meqenëse u përqendrua te çështja e misionit në Kishë, u përfshi te Këshilli Botëror i Kishave më 1963 në nivele të ndryshme në çështjet e misionit dhe në Komitetin e Misionarizmit dhe Ungjillëzimit Botëror; aktualisht, ai është një nga tetë presidentët e Këshillit Botëror të Kishave. Jemi shumë krenarë dhe të nderuar ne orthodhoksët që ta kemi një ndër presidentët e Këshillit Botëror. Pas themelimit të qendrës “Porefthendes”, ai shkoi në Afrikë më 1964. Atje vuajti nga shumë sëmundje, pra nuk mundi të qëndronte gjatë, por u kthye disa herë në vitet 1960-1970. Megjithatë, më pas u rikthye për një periudhë të gjatë nga vitet 1981-1990, ku kreu mision në Kenia, Ugandë dhe në Tanzani. Themeloi një shkollë teologjike në Kenia, shkollën e famshme Patriarkale “Kryepiskopi Makarios III i Qipros”, e cila funksionon deri sot dhe është një nga akademitë kryesore të Patriarkanës së Aleksandrisë për Afrikën. Më pas, që prej 1992 u zgjodh Kryepiskop i Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Këtu mund të themi disa fjalë, ndoshta tani, nëse doni…

Gazetari: Pikërisht, sepse lidhet me historinë e Kishës së Shqipërisë, të orthodhoksëve të Shqipërisë, të cilët patën një periudhë shumë të errët dhe Kryepiskopi Anastas u dërgua fillimisht si Ekzark patriarkal, sepse nuk kishte mbetur asgjë në Kishën e Shqipërisë.

Hirësi Jobi: Kisha e Shqipërisë është një kishë e hershme, përderisa Krishterimi në Shqipëri daton në shekullin e parë, në periudhën apostolike. Ka qenë një kishë, e cila ishte e lidhur me Patriarkanën Ekumenike dhe varej prej saj, të paktën deri në fillimin e shekullit të 11-të. Më pas shikojmë Kishën e Romës që fillon të ketë një ndikim në veri të Shqipërisë, ndërkohë që Patriarkana Ekumenike mbante shumicën e dioqezave, kryesisht në jug të Shqipërisë. Pastaj ndodhi skizma mes Lindjes dhe Perëndimit më 1054, ku lindën probleme konkurrence mes besimtarëve katolikë e orthodhoksë. Në fillim të shekullit të 20-të, me lindjen e nacionalizmit kudo në Evropë, Kisha e Shqipërisë vetëshpallet Autoqefale më 1922, fakt që nuk u pranua nga Patriarkana Ekumenike, por përfundimisht më 1937 Patriarkana i akordon Tomosin e Autoqefalisë Kishës së Shqipërisë. Për fat të keq, pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri u vendos regjimi komunist. Shqipëria ishte një vend ateist dhe shumë militant kundër Kishës, madje i dhunshëm, në atë pikë sa pas luftës Kisha u shkatërrua plotësisht, nuk mbeti pothuajse asnjë gjurmë kishe deri në rënien e regjimit dhe ardhjen e demokracisë më 1990. Atëherë, me iniciativën e Patriarkanës Ekumenike, që dërgoi Fortlumturi Anastasin, vihet re një ringjallje e vërtetë e Kishës në Shqipëri. Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike e dërgoi si ekzark patriakral në janar 1991. Ai mbërriti në Shqipëri në korrik, pasi shteti ishte kundër ardhjes atje të një greku, ishte një çështje politike dhe kombëtare, kjo ishte dhe një nga arsyet e autoqefalisë në vitet ’20. Në vitet ’90 shteti shqiptar ishte shumë dyshues ndaj orthodhoksëve grekë, me pretendimin se donin të ngrinin një kishë, e cila mund t’i shërbente helenizimit dhe marrjes së tokave etj. Pra, Fortlumturia, kur mbërriti në korrik, thirri një Asamble kleriko-laike me priftërinj e laikë që i kishin mbijetuar kësaj periudhe të vështirë. Që Kisha të ringrihej, kërkohej një episkop, një kandidat. Por nuk kishte një të tillë. Besimtarët shqiptarë i kërkuan atij të qëndronte dhe Patriarkana Ekumenike pranoi. U zgjodh në qershor 1992 Kryepiskop i Shqipërisë, dhe u fronëzua në gusht…

Gazetari: Le të bëjmë një pushim muzikor, ku do të përcjellim një psalm në shqip gjatë ceremonisë së Shenjtërimit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.

Gazetari: Jemi rikthyer me Hirësi Jobin e Telmessos për librin e Kryepiskopit të Shqipërisë “Mision. Në gjurmët e Krishtit”. Ishim në Katedralen e Ngjalljes gjatë përurimit madhështor më 2014 kryesuar nga Patriarku Ekumenik, me pjesëmarrjen e patriarkëve të Jerusalemit, Serbisë, Rumanisë, të Kryepiskopit të Qipros, Athinës, të Shqipërisë sigurisht dhe mitropolitit të Polonisë, shumë përfaqësuesve të Kishave Autoqefale, për të treguar që kjo Shqipëri, e cila ishte plotësisht e shkëputur nga traditat e saj fetare, tani bëhet një qendër për botën orthodhokse…

Hirësi Jobi: Kjo lidhet dhe me personalitetin e Kryepiskopit Anastas, i cili e ka thellë në zemër këtë unitet ndërorthodhoks.

Gazetari: Pikërisht, ai është një personalitet që nuk i ka përkrahur ndonjëherë lëvizjet nacionaliste. Ai ka ditur të dëshmojë një frymë të krishterë tepër të hapur.

Hirësi Jobi: Kjo bën jehonë dhe spikat në veprën e tij, por s’mund të hyjmë në detaje. Do të doja të tërhiqja vëmendjen e dëgjuesve, të cilët janë të interesuar të dinë më shumë, se Imzot Anastasi ka shkruar një tekst për Ngjalljen e Kishës së Shqipërisë, ku janë grumbulluar artikujt e botuar nga Christine Chaillot mbi Kishën Orthodhokse në Evropën Lindore në shek. XX, publikuar nga botimet “Cerf” më 2009. Atje ai përshkruan gjithë veprën e tij me detaje, e cila përqendrohet në shpalljen e Ungjillit dhe sjell disa aspekte pedagogjike, si katekizmi dhe edukimi i rinisë, përgatitja për pagëzimin, përderisa ai ka pagëzuar me mijëra njerëz, shërbimi baritor i rinisë, edukimi teologjik, si përgatitja e klerit, themelimi i një akademie teologjike, programe edukative; programe sociale lidhur me shëndetin, si klinika, qendra diagnostike; filantropinë, ndihmat për të vobektët; kulturën, restaurimin e monumenteve kishtare e kombëtare; shumë vepra dhe sipërmarrje për mjedisin, sikurse edhe Patriarku Ekumenik, i cili është tepër i ndjeshëm ndaj çështjes së mbrojtjes së krijimit; dhe me një dimension panorthodhoks. Kisha që u ndërtua nga rrënojat më 1991, 1992, që prej 1914 u bë anëtare e Këshillit Botëror të Kishave dhe Këshillit Evropian të Kishave.

Gazetari: Në këto minuta që na mbetën, le të flasim për librin. E para gjë, e cila më impresionoi duke e lexuar, po ju kujtoj se janë disa tekste që u shkruan në periudha të ndryshme të jetës dhe veprimtarisë së tij, është karakteri teologjik që i jep misionit…

Hirësi Jobi: Në sytë e tij misioni i Kishës nuk është propagandë ideologjike. Nuk bëhet fjalë që të sjellësh, të kthesh persona në grupin, kishën, besimin tënd, por misioni lidhet drejtpërdrejt dhe pa u ndarë me ekonominë hyjnore, me veprën e Perëndisë në botë. Perëndia Atë dërgoi Birin mbi tokë. Krishti predikoi në botë, themeloi Kishën dhe Kisha vazhdon veprën e Krishtit, nga ku kemi dhe titullin “Mision. Në gjurmët e Krishtit”. Pra, qëllimi i misionit të Kishës nuk është të konvertojë njerëzit në mësimet, mendimet dhe ideologjitë tona, por qëllimi i misionit është ta bëjë të njohur, ta bëjë të takojë Krishtin, dhe ky takim personal me Krishtin duhet të frymëzojë misionin e krishterë – thotë Fortlumturi Anastasi. Për këtë shpallja e Ungjillit është themelore. Ky inkorporim më Krishtin bëhet nga gjykimi i kishës lokale, nga kisha e cila është e pranishme në një vend… Misioni nuk është një vepër në anën e teologjisë dhe eklesiologjisë, por thelbësisht eklesiologjike. Dhe ka një perspektivë eskatologjike, domethënë, qëllimi nuk është që të kesh pasues mbi tokë, as të ndërtosh një botë të përkryer, por t’u japësh besimtarëve besnikë një parashijim të Mbretërisë së Perëndisë, tashmë e pranishme në Kishë, por që do të vijë në shekujt e ardhshëm.

Gazetari: Nuk kemi kohë që t’i shikojmë të gjitha, por është tepër emocionuese të lexojmë shkrimet që vijnë nga një njeri, i cili i njohu nga afër të gjitha këto probleme…

Hirësi Jobi: Një nga pikat e forta të librit është se Kryepiskopi Anastas bën dallimin midis misionit të brendshëm dhe të jashtëm. Misioni i brendshëm është të merresh me botën tënde të vogël, ndërsa misioni i jashtëm është të shkosh të shpallësh Lajmin e Mirë në skajet e botës… Imzot Anastasi thekson bukur se kur Kisha harron dimensionin universal, harron misionin e jashtëm dhe kufizohet në vetvete, vetë misioni i brendshëm nuk ecën aspak, sepse kemi nevojë për këtë universalitet të misionit që lidhet me universalitetin e shpëtimit dhënë nga Krishti.

Gazetari: Në minutat që na mbeten ndoshta do të përfundojmë me tekstin që ai ka prezantuar në Sinodin e Kretës më 2016…

Hirësi Jobi: Teksti bën fjalë për misionin e Kishës Orthodhokse në botën bashkëkohore. Imzot Anastasi konsideron se Sinodi i Madh i 2016-s i ra alarmit të misionit, shpalli unitetin e Kishës Orthodhokse, se Kisha Orthodhokse është një dhe jo disa kisha kombëtare të ndara nga njëra-tjetra, madje në garë me njëra-tjetrën, dhe se kjo Kishë e vetme duhet të dëshmojë Ungjillin e Krishtit në botën e sotme bashkëkohore.