Hap i veçantë në botimet tona
Protopresviter Thomas Hopko
BESIMI ORTHODHOKS
Vëllimi II
ADHURIMI
Një Manual elementar i Kishës Orthodhokse
Në nëntor doli në qarkullim në kishat tona libri “Besimi Orthodhoks”, shkruar nga Protopresviter Thomas Hopko, një ndër theologët orthodhoksë bashkëkohorë më të dëgjuar. Libri përbëhet nga katër vëllime dhe ka për qëllim të sigurojë për një lexues të zakonshëm një informacion themelor dhe të kuptueshëm rreth besimit dhe jetës së Kishës Orthodhokse. Lexuesi ka tani në dorë:
Vëllimi I, Doktrina, që përbëhet nga tri pjesë: 1. Burimet e Doktrinës së Krishterë; 2. Doktrinat themelore të Kishës Orthodhokse, paraqitur, duke shpjeguar Besoren e Nikeas; 3. Një shpjegim i doktrinë së Trinisë së Shenjtë.
Vëllimi II, Adhurimi, përbëhet nga pesë pjesë: 1. Ndërtesa e Kishës, Veshjet dhe Simbolet; 2. Misteret; 3. Cikli Ditor i Adhurimit; 4. Viti kishtar me festat dhe kreshmat; 5. Mesha Hyjnore.
Do të botohen edhe dy vëllimet e tjerë:
Vëllimi III, Shkrimi i Shenjtë dhe Historia e Kishës përbëhet nga dy pjesë: 1. Përmbajtja dhe interpretimi i Shkrimit të Shenjtë; 2. Historia e Kishës, duke theksuar zhvillimet kryesore theologjike, liturgjike dhe shpirtërore të çdo shekulli.
Vëllimi IV, Spiritualiteti, që flet për temat kryesore të Jetës së Krishterë: lutja, kreshmimi, pendimi, virtytet, dëshmia në botë dhe bashkëpërjetimi me Perëndinë.
Libri u shtyp me kontributin e bashkësisë shqiptare të Kishës Orthodhokse të Shën Nikollës në Nju Jork dhe sidomos të zotërinjve Albert Fundo, Piter Panajoti dhe shumë besimtarëve të tjerë.
Nga parathënia e Fortlumturisë së Tij, Prof. Dr. Anastasit
“Brezat më të shumtë orthodhoksë në Shqipëri, gjatë shekullit që po mbaron, u privuan nga afrimi dhe nga njohja më e thellë e të vërtetave të Besimit të Krishterë në dritën e mendimit dhe traditës theologjike. Dhe kjo erdhi kryesisht si pasojë e përndjekjes së ashpër shumëvjeçare ateiste, por edhe nga mungesa e mëparshme e literatures theologjike në gjuhën shqipe.
…Në këtë drejtim përbën një hap të rëndësishëm botimi në gjuhën shqipe i këtij libri, shkruar nga një intelektual i shquar, protopresviteri at Thomas Hopko, Dekan i Seminarit Theologjik të Shën Vladimirit të Nju Jorkut, libër i cili përmbledh në mënyrë të përpiktë të vërtetat dogmatike bazë të Kishës sonë. Autori, me të cilin na lidhin vizionet e përbashkëta të viteve të rinisë, kur bënim pjesë në Organizatën Botërore të Rinisë Orthodhokse “Syndesmos”, ka dhuntinë të paraqesë me qartësi, thjeshtësi dhe në mënyrë të plotë çështjet që trajton, duke gërshëtuar njohjen e thellë të “misterit të besimit”, me përjetimin e tij të kthjellët në një shoqëri moderne dinamike, siç është ajo amerikane.
Gjithashtu, përshëndesim veçanërisht faktin, që një nga klerikët shqiptarë të brezit të ri, një nga bijtë tanë shpirtërorë, Arqimandriti at Joan Pelushi, punoi për këtë përkthim. Ofrimi i Fjalës serioze theologjike përbën një detyrë parësore të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ndaj shoqërisë së sotme shqiptare, e cila ndodhet në kërkim të rrënjëve të saj shpirtërore dhe të horizonteve të reja për të ardhmen.”
Tiranë, më 22 janar 1997
+ Anastasi
Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë
Dy fjalë për botimin Shqip
Krishtërimi Orthodhoks ekziston në Amerikën e Veriut nëpërmjet sakrificave të panumurta të të krishterëve orthodhoksë, të cilët erdhën në këtë kontinent nga jashtë. Lutemi që botimi i këtij katekizmi në shqip të shërbejë si një shprehje modeste e mirënjohjes së madhe të të krishterëve orthodhoksë të botës së re, ndaj burrave e grave shpresëtarë, të cilët e mbollën dhe e kultivuan Kishën Orthodhokse në këtë vend.
Ndonëse kushtet në Amerikën e Veriut janë të ndryshme nga ato në Shqipëri, Besimi i Krishterë Orthodhoks dhe Kisha Orthodhokse janë gjithmonë dhe kurdoherë një dhe të njëjtë.
Protopresviter Thomas Hopko
Dekan i Seminarit Theologjik Orthodhoks
Crestwood, New York