EmailFacebookKontakt

Gur themeli në përkthimet tona fetare

Ndarja fetare në Shqipëri ka qenë përherë një rrezik për unitetin e kombit. Shqiptarët kanë meritën e madhe ta kenë kapërcyer gati përherë atë rrezik me tolerancën fetare, që është një vetijë shumë e çmueshme e tyre. Kjo tolerancë u forcua gjatë Rilindjes Kombëtare. Përpjekja e rilindasve për të vënë atdheun mbi fenë, ishte sa e mençur, sa patriotike dhe demokratike aq edhe e suksesshme. “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, deklaruan ata me Pashko Vasën. Kristoforidhi ishte një nga frymëzuesit e mëdhenj të kësaj përpjekjeje, pikërisht edhe përmes punës së tij për vënien shqip të librave fetare.

Kristoforidhi iu vu kësaj pune jo sepse hyri në shërbim të Shoqërisë Britanike të Biblës, – BS. Ai nisi nga shqipërimi i Dhiatës së Re në vitin 1858 dhe e mbaroi këtë punë pas dy vjetësh, më të dy dialektet e gjuhës. Shoqëria Amerikane e Biblës, me të cilën pati të bënte kur ishte në Izmir më 1857, nuk iu përgjigj kërkesës së tij për ta botuar Dhiatën. Ajo Angleze e angazhoi më 1865 dhe “Të Katër Ungjijtë e Punët e Apostujve” u botuan gegërisht më Stamboll më 1866. BS nuk kërkoi atë kohë të botonte edhe shqipërimin toskërisht, sepse më 1858, me përkujdesjen e Kristoforidhit, ishte ribotuar në Athinë përkthimi i Vangjel Meksit, i vitit 1827. Më 1869, Dhiata e Re e plotë e përkthyer nga Kristoforidhi, u botua më dialektin verior. Më 1879, e plotë e përkthyer prej tij, ajo u botua edhe më dialektin jugor, përherë më Stamboll.

Parimet gjuhësore të Kristoforidhit, që në fillim ishin shkruante të dy dialektet paralelisht, duke i afruar; të shkruante të folmen toske të dialektit jugor, sepse paraqitej më e përgjithshme, më e përshtatshme pra se e folja çame, në të cilën shkroi Meksi; ta pastronte gjuhën nga fjalët e huaja dhe ta pasuronte me mjetet e saj. Për të dy dialektet, ai preferonte alfabetin latin në të cilin e shkroi në fillim, të pasuruar me ndonjë gërmë greke. BS i imponoi për gegërishten alfabetin latin, të quajtur të Lepsiusit, tepër i vështirë e që Kristoforidhi nuk e desh; për toskërishten, alfabetin grek. Vetëm më 1889, pasi Alfabeti shqip i Stambollit u përdor dhjetë vjet me sukses, BS bëri provat e para për t’i botuar me të shqipërimet e Kristoforidhit.

Pasi kreu pjesën më të madhe të punës, përkthyesin e larguan nga BS (1884), ndërsa përkthimet e tij dilnin pa emrin e tij, sepse drejtuesit e BS nuk vinin re te Kristoforidhi një zell të vërtetë, po sigurisht edhe pse ai nuk pranoi që të kthehej protestant. Kristoforidhin bota e dinin protestant, sepse kështu e paraqiste eprori i tij, pra ai edhe ka pësuar nga kleri dhe nga bestarët, ndonëse përgjithësisht njerëzit e çmuan shumë dhe e nderuan.

Më 1870, kur erdhi në Elbasan dhe nisi të përhapte në vend botimet e tij, Kristoforidhin e pritën me triumf edhe pse më parë autoritetet kishtare ia kishin ndaluar botimet. Mitropoliti i kohës, elbasanasi Visarion Theohari, ose Plaku, iu bë shpejt mik Kristoforidhit, sikundër iu bë mik edhe vëllezërve Frashëri. Në Shqipëri, Kristoforidhi pa me gëzim se njerëzit, të krishterë, por edhe myslimanë, kishin nisur ta shkruanin gjuhën sipas librave të tij. Në Tiranë, kisha thuhej pjesërisht shqip, siç bëhej dhe në Elbasan me kohë. Në Berat, me librat e tij, një mësuese u mësonte shqipen nxënësve të saj në shkollën në greqisht. Ndonëse dhe Vatikani i luftonte përkthimet e Dhiatës shqip, klerikë si Preng Doçi, abati i ardhshëm i Mirditës, i lexonin me admirim më rini të tyre. Kështu, dhe gjuhëtari arbëresh i Italisë, prifti Dhimitër Kamarda, si dhe poeti Jeronim De Rada. Kur, pas vdekjes së Visar Plakut më 1899, në Durrës erdhi mitropolit nga Greqia Jakovi, ky, duke parë të përdorej edhe shqipja në kishën e Elbasanit, iu kërcënua parisë orthodhokse që të hiqnin dorë. Paria iu përgjigj prerë se ashtu e kishin “kadimi” (traditë) dhe ashtu vazhduan.

Kërkesat për kishë edhe më gjuhë të vendit, në Shqipëri njihen që nga mesi i shek. XVI, me Gjon Buzukun, por ato duhet të jenë shumë më të moçme, e pakta që nga fillimet e shek. XIV, kur dimë se, në Veri, kishte libra shqip, të cilat do besuar se ishin së pari fetare. Pjesëzat nga Ungjijtë, që boton Buzuku, janë shpesh më një gjuhë që nuk ka nisur atë kohë të shkruhet, po më herët. Kjo mund të pohohet edhe për pjesëzat nga Ungjijtë te dorëshkrimi i Anonimit të Elbasanit, (për ne Theodhor Bogomili), i cili i përket shek. XVII. Në Voskopojë, të dyja Dhiatat ishin vënë shqip që më 1762, nga Grigor Voskopojari, i njohur më pas si Grigori i Durrësit, se u bë këtu mitropolit. Këto përpjekje, të pjesëshme apo të plota, s’mund të shpjegohen pa një përpjekje për futjen e shqipes në shërbesat fetare. Në shek. XVIII, Dhaskal Todhri i Elbasanit do t’i ripërkthente të dyja Dhiatat, por edhe pjesë nga liturgjia, sikundër bëri pas tij edhe Meksi me Dhiatën e Re më Jug.

Nga ana tjetër, jemi të dokumentuar se shqipja i shërbente mësimit më shkollat në gjuhë të dyta të Shqipërisë, më shek. XVII në Veri (gjuhë të shkollave fetare katolike ishin italishtja me latinishten), si dhe në Jug (gjuhë e shkollës orthodhokse ishte greqishtja). Në mbarim të shek. XVIII, gjejmë të parat shkrimet fetare myslimane shqip. Pra dukuria u bë e përgjithshme, për të trija bashkësitë fetare.

Në një mënyrë a në një tjetër, shqipja hyri në shërbesat e kishës, por edhe në shkollë, sepse shkollat përdornin tekstet e fesë dhe ishin pranë institucioneve fetare. Kjo, pavarësisht kufizimeve, pengesave dhe përndjekjeve. Dhe përpjekja për ta shkruar shqipen të pastër e për ta pasuruar atë, shihet që te autorët e saj të parë të njohur të shek. XVI-XVII, që nga Buzuku te Pjetër Bogdani. Në shek. XVIII, Todhri do të përdorë sa më pak greqizma, duke krijuar shqip togje fjalësh të reja për terminologjinë fetare. Janë parimet bazë që do të ndiqte Rilindja Shqiptare, parime që do të bëheshin, e pakta që nga Veqilharxhi dhe Kristoforidhi, nga më militantët për çështjen kombëtare. Kjo luftë, në pjesën e parë të Rilindjes, gjer te Lidhja e Prizrenit, u zhvillua kryesisht në fushën e kulturës, për libra dhe alfabet shqip, për shoqëri kulturore që t’i përhapnin ato. Me Lidhjen e Prizrenit nisi faza e madhe e përpjekjes politike dhe me armë, që shpuri më 1912 te shpallja e pavarësisë. Konstandin Kristoforidhi është një nga pionerët dhe veprimtarët më të ndritur të lëvizjes kombëtare shqiptare.

Me përkthimet e tij, ai i hapi rrugën përpjekjes për kishën shqip dhe për Kishën Autoqefale Shqiptare. Më 1908, kur Fan S. Noli themelonte në SHBA kishën e parë shqip, dy ndër meshat e para shqip që ai mbajti, ishin për Kristoforidhin për Skëndërbeun. Noli dhe Faik Konica qenë entuziastë për punën e Kristoforidhit me gjuhën. Konica e krahasonte atë me humanistin francez Amio (Amyot), i shek. XVI, i cili u bë klasik me përkthimin në gjuhë të vet të Plutarkut. Mati Logoreci, pas tij, e quante Kristoforidhin Luter të shqipes, jo se qe në shërbim të BS, po se luajti për shqipen një rol të përafërt me atë të Luterit për Gjermanishten, me përkthimin që bëri ky të Biblës.

E madhe, siç dihet, qe edhe puna e Kristoforidhit për një Fjalor të shqipes. Edhe për këtë, ai do të punonte një pjesë të mirë të jetës, po që do të botohej vetëm pas vdekjes së autorit. Ky fjalor, i botuar më 1904, vështrohet si kryevepra e tij dhe si një nga veprat më të rëndësishme të Rilindjes dhe të shkencës shqiptare. Në fushën e letërsisë, kryevepra të tij ishin edhe shqipërimet e Dhjatës së Re dhe nga Dhjata e Vjetër. Psalmet e përkthyera nga Kristoforidhi janë një monument artistik i shkrimit të shqipes në shekullin e kaluar, porse jo më pak edhe Ungjijtë, Gjeneza (“Të bërët”) etj., të shkrimtarit të madh patriot.