Grupi i grave “Dhiakonia Agapi” i Kishës së Ungjillëzimit të Hyjlindëses në Tiranë, u krijua në vjeshtën e vitit 1992 me bekimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas. Qëllimi i këtij grupi ishte dhe është: Të ndihmojë familjet që jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe shpirtërore.
Zoti dhe Shpëtimtari jonë Jisu Krisht u dha nxënësve të Tij një urdhër të ri. “Sikundër Unë ju deshajuve, edhe ju të doni njëri-tjetrin. Prej kësaj do t’ju njohin juve të gjithë, se jeni dishepujt e Mi” (Joan 13:34-35). Kjo porosi është burim frymëzimi për të gjitha veprimtaritë e grupit.
Eshtë i kuptueshëm për ne fakti, se Perëndia i ka dhënë mundësinë çdo qenieje njerëzore për të patur dhe për të mbajtur brenda vetes një dashuri të shenjtë, si dhe për ta ndarë këtë dashuri me të tjerët. Eshtë kjo dashuri, e cila buron nga Perëndia, që përbën boshtin e jetës tonë dhe mbi këtë dashuri ne vendosim marrëdhënie vëllazërore me njëri-tjetrin.
Vitin e parë grupi kishte vetëm 7 gra, ndërsa sot 25. Veprimtaritë e para të grupit ishin shpërndarja e ushqimeve, ndihmave në të holla, si dhe rrobave në familjet nevojtare dhe në institucione të ndryshme.
Gratë veprojnë të ndarë na 8 grupe dhe çdo grup përgjigjet për një zonë të caktuar të Tiranës.
Detyra e çdo grupi është të vizitojë familjet nevojtare, duke i ndihmuar ato me të holla, ushqime, veshmbathje në emër të Kishës, si dhe t’i inkurajojë për të përballuar problemet e vështira të jetës së tyre.
Në vitet e para (1992-1995) puna e grupit tonë varej nga ndihmat që vinin nga Greqia dhe Qipro. Por, meqë gjatë këtyre viteve, standarti i jetës në Shqipëri u përmirësua, grupi i grave vendosi të ndihmojë të varfërit me ndihmat e siguruara brenda vendit. Në Dhjetor 1995, u vendos në hyrje të Kishës një kuti për të mbledhur ndihma në të holla, në faqen ballore të së cilës është mbishkrimi: “Kush mëshiron të varferit, i jep hua Perëndisë”.
Me bekimin e Perëndisë, brenda 2 muajve të parë (Janar-Shkurt), u siguruan afërsisht 100000 lekë të reja, të cilat u shpërndanë në shumë familje të varfera. Gjatë ditëve të të Kremteve janë grumbulluar më shumë para.
Në të njëjtën kohë u përpiluan listat me emrat e familjeve të varfëra që kanë nevojë për një ndihmë të vazhdueshme ekonomike. Në listë janë shënuar jetimët, familjet me shumë fëmijë, të sëmurë fizikë, të sëmurë psikikë ose ata që kanë pjestarë të paralizuar e të paaftë për punë. Ne, gjithashtu ndihmojmë të moshuarit me të ardhura të pakta për jetesë.
Gjatë vitit 1996 u ndihmuan 216 familje me 301200 lekë të reja. Krahas vizitave në këto familje dhuronin, gjithashtu edhe libra që ka botuar Kisha jonë, duke u ofruar kështu edhe një ndihmë shpirtërore.
Në dimrin e 1996 gratë mblodhën dhe shpërndanë rroba në shumë familje. Ato grumbulluan rroba të papërdoruara nga anëtarët e Kishës së “Ungjillëzimit të Hyjlindëses” dhe më pas i shpërndanë në familjet me të ardhura të kufizuara dhe që vuajnë për shkak të kostos së lartë të jetesës. Duke bërë këtë gjë, gratë kuptuan se ato kishin gjetur një mënyrë tjetër për të shërbyer Zotit tonë.
Në prag të Krishtlindjes, disa gra vizituan shtëpinë e të moshuarve për burra, për të çuar dritën dhe dashurinë e Krishtit edhe tek ata që e ndjejnë veten si të braktisur. Atje gjetën një ndërthurrje të varfërisë ekonomike me vuajtjen shpirtërore. Ato i dhanë disa dhurata të thjeshta dhe pak fjalë inkurajuese, duke shpresuar se ofruan tek ata gëzimin, shpresën dhe paqen që Zoti ynë u dhuron të gjithë njerëzve.
Gjatë 4 muajve të parë (Janar-Prill) të vitit 1997 intensiteti i punës së grupit të grave u rrit për shkak të ngjarjeve të hidhura që ndodhën në Shqipëri. Shumë njerëz humbën jo vetëm paratë, por edhe jetën në revoltat që shpërthyen dhe kjo situatë e rëndë u pasqyrua në dëshpërimin që pllakosi zemrat e shumë njerëzve. Në këtë gjendje shumë të vështirë, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, me anën e grupit të grave ndau 850 kuti me ushqime në familjet e varfëra. Gjithashtu, shpërndau 350000 lekë të reja, në 200 familje që kishin nevojë për ndihmë urgjente. Nga janari deri në prill, në arkën e ndihmës u grumbulluan 180000 lekë të reja, nga të cilat më shumë se 70000 u siguruan brenda 3-4 ditëve të Pashkës. Këto lekë ne i shpërndamë në 180 familje.
Përseri në mars, si dhe në prag të Pashkës, disa gra të grupit shkuan për të vizituar të moshuarit e Azilit dhe u dhuruan atyre fruta, ëmbëlsira dhe rroba.
Puna e grupit sa vjen e po organizohet më mirë, duke kërkuar edhe forma të reja. Duhet theksuar se një ndihmesë të madhe për këtë ka dhënë dhe jep motra Galini.
Porosia e Zotit tonë që përmendëm më lart, nga Ungjilli i Shën Joanit, ka frymëzuar gratë e grupit për të punuar së bashku, për të ndihmuar motrat e vëllezërit e tyre nevojtarë, pavarësisht nga besimi i tyre fetar, sepse të gjithë jemi bërë sipas ikonës së Perëndisë. Përpjekjet e grupit kanë dhënë fryte në sajë të udhëheqjes së Fortlumturisë së tij, Kryepiskopit Anastas dhe të bekimit të Zotit e Shpëtimtarit tonë, Jisu Krisht.
Për Grupin e grave
Rajmonda Shqevi
Tiranë