Apostull Pavli u shkruante romakëve në letrën e tij në ato ditë vështirësish dhe persekutimesh për përhapjen e fjalës së Perëndisë: “Se ‘cilido që do të thërrasë emrin e Zotit, do të shpëtojë’. Si pra, do ta thërrasin atë të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë në atë për të cilin nuk dëgjuan? Dhe si do të dëgjojnë në qoftë se nuk ka kush t’u predikojë? Dhe si do të predikojnë, po të mos u dërgohen? Sikurse është shkruar: ‘Sa të bukura janë këmbët e atyre që ungjillëzojnë paqen, që ungjillëzojnë të mirat’.” (Romakët 10:13-15).
Duke ndjerë përgjegjësinë e kësaj thirrjeje, 6 studentë të seminarit orthodhoks “Ngjallja e Krishtit”, organizuan një mision katekizmi nga 27 dhjetori deri në 5 janar në tre fshatra të Lushnjës; pikërisht në Kolonjë, Bubullimë e Këmishtaj. Sepse Apostull Pavlli gjithshtu na thotë: “Çdo besimtar, si pjesë e Kishës, trupit të Krishtit, duhet të kontribuojë në rritjen e trupit, në ndërtimin në dashuri”. Prandaj çdo njeri le të jetë shembull shpëtimi për të tjerët.
Ky aktivitet ishte mbushur me këngë lavdërimi për Zotin, studime biblike, si dhe jetë shenjtorësh dhe u ndoq nga mbi 150 të rinj e fëmijë.